Vrasja mafioze me armë e të dënuarit Arben Lleshi, brenda qelisë në burgun e  Peqinit nga i dënuari përjetë Sokol Mjacaj ka ngritur alarmin për sigurinë në këtë institucion të vuajtjes së veprave penale. Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj tha se pas kësaj ngjarjeje të rëndë duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në burgje.

“Do të këshilloja që ministri i drejtësisë të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në të gjitha burgjet e vendit për ti kontrolluar lidhur me elementë të sigurisë masat e sigurisë dhe lidhur me rregulloren zbatimin e tyre dhe përgjegjësitë e stafit. Burgu i Peqinit mbahet për nivelin më të lartë të sigurisë. Siguri e lartë do të thotë jo një burg i zakonshëm ku brenda mbahen persona me shkallë të lartë rrezikshmërie. Masat e sigurisë aty janë më larta.

Jemi në Shqipëri jo në Ekuador që kemi pasur vrasje brenda burgjeve dhe ky burg duhet të japë garanci. Familja e të ndjerit mund të kërkojë përgjegjësi ndaj shtetit shqiptar për humbjen e personit në burg. Pra ti i ke hequr lirinë dhe jo jetën”.

Ai tha se arma e zjarrit që u përdor për krimin mund të ketë hyrë përmes dy mënyrave, e para me dron dhe e dyta fizikisht. Për të më e mundshme është futja e armës së zjarrit duke korruptuar zyrtarë të burgut sesa me dron.

“Si mund të ketë hyrë arma? Po flasim për armë zjarri. Dy mundësi janë, dronin do ta përjashtojë dhe ana njerëzore, korrupsioni. Ka disa drone. Dronët amatore të cilët s’kanë nevojë për licencë por për autorizim. S’mund ta përdorësh dronin në objekte të rëndësisë së veçantë. Dronet duhet të jenë të klasifikuar dhe të licencuara dhe kushdo mund të përdorë dron”.

Gazetari Fatos Mahmutaj u shpreh se me këtë ngjarje është thyer siguria në burgun e Peqinit.

“Droni ka qenë shumë lart, nuk është ndjerë zhurma. Ngjarja e sotme është alarm për çështjen e sigurisë në burgje. Burgu i Peqinit i projektuar si burg i sigurisë së lartë, por që nuk rezultoi i tillë.”