Zjarri në hotelin në Vlorë ka sjellë reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se autoritetet po e monitorojnë nga afër gjendjen e qytetarëve të lënduar dhe janë në komunikim me institucionet shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se katër shtetas të Kosovës janë lënduar nga zjarri, tre prej të cilëve po trajtohen në Tiranë dhe një në Vlorë.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë u lënduan katër shtetas të Republikës së Kosovës, tre prej të cilëve po marrin trajtim spitalor në Tiranë dhe një në Vlorë. Jemi të tronditur nga lajmi dhe po e monitorojmë nga afër gjendjen e qytetarëve tanë, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse në Shqipëri. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan Kurti.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit në hotelin “Brooklyn” në zonën e Lungomares në Vlorë.
Sipas policisë, flakët dyshohet se u shkaktuan nga djegia e prizës së një frigoriferi në restorantin e hotelit dhe më pas u përhapën në godinë. Gjashtë persona mbetën të lënduar, mes tyre pesë shtetas të Kosovës dhe një nga Rrësheni.
Pesë të plagosur u transportuan për mjekim në Tiranë, ndërsa një vajzë ndodhet në gjendje shumë të rëndë, me djegie në pjesën më të madhe të trupit. Disa prej pushuesve u detyruan të hidhen nga ballkonet për t'i shpëtuar flakëve dhe tymit.
Lajmi kryesor:
Natë tmerri, digjet hoteli në Vlorë, pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar! 6 të plagosur, 5 dërgohen në Tiranë, një vajzë me djegie të rënda (VIDEO)










Komente
Komento