Google ka njoftuar se po u lejon përdoruesve të Gmail të ndryshojnë adresat e tyre.
E gjitha përmblidhet në disa hapa: përdoruesit duhet të shkojnë te cilësimet e klogarisë së tyre, pastaj të klikojnë Personal info >Email > Google Account email.
Në fund, përdoruesi duhet të klikojë “Change Google Account email”. Megjithatë, ky opsion është i disponueshëm vetëm për përdoruesit në SHBA dhe, sipas Google, jo për të gjithë. “Aftësia për të ndryshuar email-in e llogarisë Google po shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit, dhe ky opsion mund të mos jetë ende i disponueshëm për ju,” tha kompania.
Kushdo që mund ta shohë butonin e funksionit të ri mund të klikojë mbi të për të “zgjedhur një emër përdoruesi të ri dhe unik”.
Ky opsion është i disponueshëm vetëm një herë çdo 12 muaj. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, përdoruesit nuk do të jenë në gjendje të fshijnë adresën e re të email-it të krijuar. Megjithatë, kthimi te adresa e vjetër e email-it është i mundur në çdo kohë.
“Mos u shqetësoni për email-et tuaja të vjetra. Adresa juaj origjinale do të qëndrojë në llogarinë tuaj si një alternativë,” shpjegon Google.
Kjo përfshin fotot e përdoruesit, mesazhet dhe email-et e dërguara në adresën e mëparshme. Përdoruesit do të mund të përdorin shërbimet e Google duke përdorur si adresën e vjetër ashtu edhe atë të re.
Konkurrentët e Google tashmë kanë prezantuar veçori të ngjashme. Apple u ka lejuar përdoruesve të ndryshojnë email-in e Apple ID-së dhe të krijojnë adresa alternative.
Microsoft ofron adresa alternative në Outlook që lejojnë funksionimin e disa adresave të email-it nën një llogari të vetme. Këto opsione u mundësojnë përdoruesve të përditësojnë ose diversifikojnë identitetin e tyre digjital pa humbur qasjen në të dhëna.
Komente










