Sot kemi një foto të re. Të dhimbshme. Të plagosin në shpirt. Te njëra është Denisit 25-vjeçar, me të bijën foshnje, i cili prej dy ditësh është i vetmi familjar që do të ketë kujdestarinë për Kristinën. Në sfond duket edhe një foto e varur në mur, Resmije Kranja, vrarë në Gërdec në 15 mars 2008. Në foton e dytë është Kristina para një torte të ëmbël katrore, ku është shkruar: “Kristina, edhe 100 vjet”. Foto është shkrepur dy vite më parë dhe në të djathtë të vogëlushes që mbushte 3 vjeç është Tushe Osmani, gjyshja dhe kujdestarja e vetme e të miturës. Prej dy ditësh Tushja nuk është më. Vrau vetem me helm, se helm iu bë jeta. Gërdeci i vrau vajzën, dhimbja për të bijën i vrau burrin dhe dhimbja për jetën e padrejtë e mposhti përfundimisht.

Kristina, tashmë 5 vjeçe është jetimeeeeeeeeeeeeee. Është një nga dhjetëra fëmijët e Gërdecit që i mbijtuan masakrës shtetërore, që u vrau prindërit, vëllezërit, motrat, u shkatërroi shtëpitë, oborret ku luanin fshatçe. Kristina ishte më me fat se Flavio Deliu, vogëlushi që u shkrumbua ndërsa shëtiste me biçikletë mesditën e 15 marsit 2008, kur shpërtheu gjëma që qeveria ua kishte ngritur buzë vilës trekatëshe. Ai u shua, mes dhimbjeve të padurueshme. Ashtu si Edison Durda, vogëlushi që bën të ëmën, Zamirën, të shpërthejë me kujë zyrave të gjykatës, ku vetëm drejtësi nuk ka.

Jeta është e padrejtë për këta fëmijë. Tmerrësisht. Por jo për të tjerë. Kleoniki Delijorgji ka jetuar në Greqi. Në Shqipëri ka ardhur për t’u bërë miss. Është një krijesë e pafajshme. Është vajza e bosit të Gërdecit, atij që mund ta shohësh rrugëve të Tiranës të shëtisë i qetë dhe i qeshur. Nuk është punë fëmijësh, por janë fate fëmijësh, që janë lidhur padashur me tragjedinë e Gërdecit. Dhe kanë patur goxha fat. Kleoniki u bë miss i Shqipërisë dhe miss Globe. Shkëlzeni po bën miliona me punën e sekserit, Argita shumë më tepër. Gregor Rama, djali i suprrahësit të Berishës në 15 mars, vijon shkollën jashtë dhe sjell brenda ndonjë shkrim të qëndisur bukur. Semana, vajza e Fatmir Mediut u fejua me djalin e kryebashkiakut të Vorës, pas njohjes në shkollën e Vjenës. Fëmijët e Luan Hoxhës janë me azil politik në SHBA. Dhjetëra fëmijë të tjerë, që nuk janë publikë sa prindërit e tyre, jetojnë dhe shumë mirë madje.

Ky është një fotoalbum, me fjalë, për kandidatin e ri për Prokuror të Përgjithshëm, Adriatik Llallën që tha dje se ka prokurorë të korruptuar. Që prej muajsh deklaron se prokuroria dhe gjykata sabotoi punën e tij si kryeinspektor i Deklarimit të Pasurive. Që paska votën e të gjithë të djathtëve, por edhe të socialistit Tomë Doshi pse ka premtuar luftë kundër korrupsionit!!! Ok, le të votohet dhe ta nisë punën mbarë. Me Gërdecin: Duke parë foton e jetimes fatkeqe dhe fëmijët e pushtetit që i ka përreth.

Editoriali u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com

(eç/shqiptarja.com)