Dihej që ishte nga Ishmi, (disa mendojnë se do të thotë “i hijshëm”), ku ishte kaluar fëmijërinë, ndërsa rininë e hershme në Tiranë. I larguar në Itali ishte i munguar i madh. Duke hulumtuar për Shkollën e Vizatimit, emri i tij ishte i pranishëm në çdo bisedë që bëhej me bashkëkohësit. Skulptori i Popullit Odise Paskali, një nga themeluesit e shkollës tregonte se, Ibrahim Kodra në fillim ka qenë në Shkollën Teknike dhe kishte qejf të bëhej piktor. E përjashtuan nga Shkolla Teknike. Shkova në Ministri të Arsimit dhe iu luta që ta merrja në Shkollën e Vizatimit.
Ibrahim Kodra me Ismail Kadarenë
“Çuditemi me ju Paskali – më thanë. – Ne e përzëmë nga shkolla si element i padëshiruar e ju doni ta merrni në shkollën tuaj?!”
“Ibrahimi nuk do të bëhet mekanik. Ai ka shpirt artisti, pikturon reklamat e kinemasë. Mirëpo reklamat i shikon populli dhe Ibrahimi i drejtohet popullit me to, drejton shijen e tij. Në se do të vijë në Shkollën e Vizatimit, ai do të pikturojë më mirë dhe do t’i bëjë më të bukura reklamat e kinemasë.”
Nuk u bindën dhe nuk ma lanë ta merrja si nxënës të rregullt në shkollë. Megjithatë ai vinte shpesh dhe pikturonte”.
Mbretëresha Geraldinë
Hasan Reçi, Sadik Kaceli, Foto Stamo, Nexhmedin Zajmi, Qamil Grezda, Kel Kodheli etj., kishin qenë bashkënxënës dhe më pas ishin ndarë në shkolla të ndryshme në Itali. Ata në Akademinë e Romës dhe Kodra në Akademinë e Brerës, ç’ka do të përcaktonte edhe fatin e rrugën e tyre artistike, krejt të ndryshme: të parët realistë të thekur, u kthyen në Shqipëri dhe iu nënshtruan rrymës së Realizmit Socialist. Kodra ndoqi rrymat moderne të kohës, duke ekspozuar në galeri të famshme në Itali e jashtë saj. Në një këmbim letrash midis tij dhe Zajmit, kur ky i fundit i kishte dërguar si kartolinë një riprodhim të tij, titulluar “Diga e Drinit”, ku paraqiteshin disa punëtorë në ndërtimin e hidrocentralit të Drinit, Kodra i kthen përgjigje, “Kërkova në të gjithë Romën, por punëtorë të tillë nuk gjeta dot”! Zajmi i kishte shkruar se këta janë punëtorët, ky është arti, kështu pikturohet në Shqipëri.
Ardhja e parë e piktorit në vendin e tij u krye në vitin 1973 dhe njerëzit që e takuan ishin të ndrojtur dhe ndonëse u shëtit kudo nuk ekspozoi asnjë punë dhe nuk dha asnjë intervistë e nuk foli për artin e tij.
Takimi me papën në Itali
Rasti për të ardhur në Shqipëri Ibrahim Kodrës do t’i vinte pas ardhjes së demokracisë, ku takoi lirshëm kolegë, miq e shokë si dhe shumë dashamirës të artit, duke bërë edhe ekspozitë vetjake. Nuk është se pati një dashamirësi nga të gjithë artistët shqiptarë, ç’ka e lëndoi, por kërshëria për ta njohur ishte e madhe. Në njërën prej takimeve me të, nga arkivi vetjak, po nxjerrim bisedën e mëposhtme, të zhvilluar në muajin korrik të vitit 2003.
Një buzëmbrëmje u takuam me artistin Ibrahim Kodra pranë Galerisë së Arteve, në pritje të hapjes së ekspozitës vetjake.
Në lulishten para saj është ngritur një bufe e vogël, ku në disa tryeza të vendosura përqark, shërbehet kafe e ndonjë pije. Bashkë me piktorin u mblodhëm disa artistë e punonjës të Galerisë. Brenda po vendosen punimet e piktorit dhe ky hynte e dilte herë pas here. Mjeshtri shoqërohet nga Renzo Calzavara, piktor dhe mik i tij i afërt. Ndërkohë gjatë bisedës afrohen edhe shikues e dashamirës të artit për të dëgjuar artistin e madh.
Kodra ka ngjeshur në kokë kasketën karakteristike, këtë herë në ngjyrë të bardhë, me disa kuadrate të hollë, në gojë i endet një buzëqeshje, ndërsa sytë në fytyrën e rrudhur i shkëlqejnë nga mirësia. Ndonëse në moshë të thyer, në bisedë tregon gjallëri, por shpesh duhet t’ia përsëritësh pyetjet nga se ka filluar të mos dëgjojë mirë.
Përgjigjet ngadalë me zërin pak të ngjirur e sikur flet me hundë. Gjatë bisedës shpesh përdor edhe fjalë në italisht apo në frëngjisht. Sapo erdhi u zhyt me trupin e bëshëm në karrigen prej kauçuku. Në duart e bëshme i bien në sy disa unaza që shkëlqejnë fort në gishtërinjtë e trashë. Gojën e mban pak të hapur e buza e poshtme sikur i varet poshtë, duke i zbuluar dhëmbët e vënë. Nga pas kasketës i dalin disa fije floku të lyera në ngjyrë të kuqe në bojëkafe.
Në rini ka qenë një djalë i fuqishëm me një trup të lidhur prej atleti dhe ishte shpallur kampion e hedhjes së shtizës. Disa foto të kësaj kohë e tregonin bukur, por një aksident më pas kur kishte rënë nga kali, kishte bërë që kur ecte e hiqte pak zvarrë njërën këmbë. Dukej që ndihej mirë në freskinë e mbrëmjes, gjë që e shfaqte në ngazëllimin në fytyrë.
- T’i japin dorën piktorit që vjen erë Shqipërie, fola.
Më dha dorën, por nuk lëvizi sikur prania ime të mos t’i kishte bërë përshtypje. Dikush i kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ai zuri të kujtojë kur së bashku me Kacelin, Stamon, Zajmin, Grezdën etj., hidhnin ravgimet e para në pëlhurë dhe kur pasditeve shkonin e laheshin tek Ura e Brarit. Befas përmendi edhe vizitën që tre skulptorët shqiptarë Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri i kishin bërë në Milano, gjatë ndalimit në rrugën për Paris. “Nuk mund të shkonim në Paris pa takuar mjeshtrin e madh Kodra”, do të kujtonte piktori fjalët e Kristaq Ramës.
Me emocion kujtoi një “ndodhi” në një restaurant në Milano, kur si shqiptarë pasi kishin ngrënë po “ziheshin” se kush ta paguante. Kodra me shpirtin të madh dhe me butësinë që e karakterizon, do të thoshte, “Heshtni se dreka është e paguar. Pronarëve të lokalit u kam dhënë një pikturë dhe kam të drejtë të ha 1000 dreka!”. Heshti si i mallëngjyer e vijoi si i përhumbur në kujtime:
- Nëna më ka lënë tre vjeç. Babai u martua për me më rritur. Njerka lindi një djalë. Qamil e quajtëm. Kur vdiq baba, mbas gjashtë muajsh njerka u martua përsëri. Nuk mund të vij me ty, do të rri me vëllanë tim!, -i tha Qamili. Më ka dashur shumë. Kishte mbaruar Bujqësinë në Kavajë. E kanë vra të shkretin. Shtëpia ishte e bukur me oborr, me kopsht të madh edhe me pus me ujë të farfullum. Jam rritur me pus. Kishim gjithë llojin e fiqve, të mollëve, të dardhave, ullinj shekullorë.
Në Ishëm filluat të vizatonit?
- Babai më pruri një bllok me letra dhe më mësoi të shkruaja emrin në turqisht. Duke luajtur e mbusha bllokun. Dhe kështu të vjen vetvetiu që të vizatosh shtëpinë, detin, malin... dhe kështu dalëngadalë frymëzimi vjen, shtohet...
Keni shkruar edhe poezi, u hodh e pyeti një studente e re që sapo u ul pranë nesh e po dëgjonte gjithë kureshtje.
- Kam bërë njëzet poezi. Poezia e parë që kam shkruar dhe u përhap gjithandej, është poezia e nënës. Kur e lexoja qanin të gjithë. E kam recituar shumë herë.
Mbas mbarimit të shkollës fillore në Ishëm, erdha në Tiranë në Shkollën Teknike të Harri Fulcit, ku më ka dhënë mësim Daniel Ndrek, por ishte dhe profesor Dajçi. Piktura ka qenë mjet pune. Jam frymëzuar gjithmonë prej popullit tim, se kam dalë i vogël prej Ishmi.
Piktori bën pauza e ndalon të rrëfyeri e duhet ta nxitësh të flasë. Për ta ngarë bisedën i bëjmë ndonjë pyetje mbi kujtimet e fëmijërisë apo rinisë.
- Lasgush Poradecin e mbani mend të jepte mësim në Shkollën e Vizatimit ?
- Po besa, - gjallërohet e shton, por... janë emra që i kam të largët... kujtoj Odise Paskalin, Abdurrahim Buzën e ndonjë tjetër.
Në Shkollën Teknike ishte një degë klasike dhe një degë shentifike (shkencore). Atje mora shkollën e artit. Nëna Mbretëreshë me Princin, më kanë afruar dhe më strehuan në konviktin “Naim Frashëri”. Pranë konviktit, Odise Paskali ngriti Shkollën e Vizatimit, si shkollë mbrëmjeje. Në të mësonin Kaceli, Zajmi, Grezda etj. Unë shkoja pasi mbaroja mësimet, natën, në orët e mbrëmjes nga ora tetë me dhjetë. Odise Paskali kur e pa emrin e tij në katalogun tim në Francë ju bë qejfi se ka menduar që në se Kodra e ka vënë emrin tim si mësuesi i parë. dmth nuk e ka harruar Shqipërinë.
Buza ishte profesor i mirë. Më kujtohet kur bëra një punë “Kafe Durrësi” në Tiranë. Ishte kafe për të pasurit. Aty shkonin njerëzit pasanikë se brenda lokalit bënin valle ciganet. Ato kërcenin duke mbajtur një napolon mbi ballë, të nuk duhej ta përmbysnin duke kërcer. Në se nuk e përmbysnin e fitonin. Buza ishte në komision dhe pikturën e pëlqyen dhe më dhanë edhe një shpërblim.
Shkrimtari Haki Stërmilli botoi librin “Sikur të isha djalë”. Gocat ishin të mbyllura, merreshin me shtëpinë, familjen, ndërsa djemtë kuptohet ishin të lirë. Libri u drejtohej gocave që ishin të mbyllura, që duhet të ishin edhe ato të lira. Bëra vizatimin për kopertinën, ku paraqita një gocë të mbyllur brenda dritares. Haki Stërmilli punonte karshi librarisë së “Lumo Skëndos”, një librari e madhe, që kishte “Larousse”, stofra dhe shumë gjëra të tjera. Ishte dyqan luksi.
Shqipëria atëherë jetonte mirë. Ishte Monarkia. Fëmijët ishin të veshur mirë. Vajzat rrinin bashkë. Më kujtohen Nermin Vlora, Vera Blloshmi... vajza të bukura shumë. Në qendër ishte “Vllazën Kaceli”, të cilët kishin një dyqan kinkaleri, librari, ku blinim lapsa me ngjyra e fletore.
Me mbarimin e Shkollës së Vizatimit, po prisja të merrja ndonjë bursë. Mbretëresha Gerarldina ma kishte premtuar dhe në verë me thërret, “Do të dërgojmë në Itali për Artet e Bukura”, më tha. Ndërkohë që po prisja bursën e studimit për të shkuar në Itali, më takon një gazetar me mbiemrin Shundi. “Ibrahim aktorja e madhe italiane, Maria Denis, ka ardhur në Tiranë bashkë me një grup turistësh, për të qenë e pranishme në shfaqjen e filmit “Dy jetimët”, ku ajo luan. A nuk do të ishte mirë që t’i bëjmë një portret me veshje shqiptare ?”
“Posi, ia ktheva. Ma jepni fotografinë”. Të nesërmen gazetari ishte pjek me aktoren italiane në hotel “Kontinental”, në Bulevardin “Musolini”. E bëra portretin dhe shkuam së bashku për t’ia dhënë. Ishte bashë me konsullin e Italisë Attoma Lorusso. Erdhi. Goca ishte shumë e bukur, si Brixhit Bardo, me famë të madhe. “Sa bukur, ia bëri kur pa vizatimin, po më përngjan, më pëlqen shumë. Qenke shumë i zoti. Pse nuk vini në Itali të studioni për pikturë?”
Fjalët e saj kishin rëndësi të madhe. Konsulli pas dy ditësh, më dërgoi një letër, ku më ishte dhënë bursa e studimit për në Itali. Kështu që kisha dy bursa: një prej shtëpisë reale (mbretërore), e tjetra prej Italisë.
Piktori u mbush me frymë dhe si hodhi një gllënjkë ujë zuri të priste ndonjë pyetje tjetër. Nuk nxitohet dhe qëndron i palëvizur. Mbushet me frymë si me vështirësi.
- Kur e keni bërë ekspozimin e parë?
- Në Itali më kanë pritur shumë mirë dhe vepra e parë që kam bërë është “Sindakati” (Bashkia). Më kanë ftuar dhe më ka dhënë një shpërblim 250 mijë lira të kohës., si dhe çmimin e parë. Ç’është ky çmim ?! Pse ma jep, e pyeta. “Ta dhamë, më thanë, sepse Kodra ka rezultuar djali më i mençur, më i mirë i Brerës”. (qesh)
Pas tre vjetëve, pa mbaruar studimet, Shteti Italian disa studentë, na solli në Shqipëri për të parë italianët a po bënin keq apo mirë. Pamë që kishin bërë Ministritë, Hotel “Dajtin”, kishin filluar rrugën e hekurit, kishin bërë shumë gjëra, kënetën e Durrësit që sillte ethe, malarje, e kishin tharë. Thoshin që Shqipëria është një vend shumë i pasur sa edhe sot flitet në Itali, që Shqipëria është toka që na dha bukën e botës dhe ka jo vetëm vajguri, por ata nuk e dinë, por po thonë inxhinierët për pasurinë e madhe që ka nëntoka. Kanë dërguar dhe fjala është që kanë dërguar 150 sipërmarrës që po punojnë me e lartësuar Shqipërinë në pikëpamjen turistike për ta bërë vendin më të bukur, me u bërë vendi turistik i Evropës me rëndësi të madhe.
Kujtova që Kodra ekspozitën e fundit të përbashkët me ish studentë shqiptarë që studionin në Akademinë e Romës ishte bërë bërë në 1940 në Bari dhe prej asaj kohe ai nuk ekspozuat me me ta.
Piktori shtoi, se ata kanë mbetë, kurse unë e vazhdova, pata interes. Kam lidhur kontrata, merrja dhjetë milionë në muaj dhe 100 pikë. Me pika është mënyra franceze e vlerësimit të pikturës. Në Zvicër kam punuar mirë dhe kam bërë ekspozita kudo. Aty kam 1000 piktura. Besoj e kam bërë më tepër se 6000, 7000 piktura në të gjithë botën.
Fillimi në Itali ishte i vështirë, vijon Kodra, pot pastaj u hap fjala, “Ky piktori shqiptar qenka i mirë.” këtej – andej dhe erdhën të huajt prej Parisit, Gjermanisë. Agjentët e mi bënë ekspozita kudo që nga Tokio, Kanada, Londër, Paris etj. Të gjithë për mua kanë shkuar fjalët më të bukura. I ruaj në arkiv, që është muze në shtëpi, libra, gazeta, revista, artikuj të shumtë, por besoj se kanë gjetur fjalët më të bukura për me zhvillue punën time.
Në vitet e para bëja vizatime nga lufta., të cilat publikoheshin gjithmonë. Ndërkohë komunistët ftuan poetin e madh Pol Elyar. E ftoi Giancarlo Vigorelli, un grande scritore (një shkrimtar i madh). Ngritëm një komision dhe më kërkoi t’i bëja një vizatim Pol Eluarit. E bëra dhe ai e vuri në revistën e tij “Merkurio”. Eluari ka bërë poezinë e fundit. Ai nuk mund të dilte nga shtëpia, se ishin ata guardia tedeske (rojet gjemane). Ishte koha e “Via Mazhino” (Fortifikimi i famshëm që mbronte Francën nga gjermanët). Ai hyri në shtëpi dhe bëri këtë poezi:
Que voulez - vous la porte etait gardèe
Que voulez – vous nuos etions enfermes
Que voulez – vous la rue etait barrèe
Que voulez – vous la ville ete mateè
Que voules vous elle etait affamèe…
Zëri i ngjirur i Kodrës kumboi dhe vargjet piktori i risolli nga poezia titulluar “Poezia dhe e Vërteta”, me një recitim gjithë pasion, në një frëngjishte të bukur duke u përhapur në qetësinë e mbrëmjes tiranase.
Elyari, vijoi Kodra, i shoqëruar me shkrimtarin Beniamino Jopolo dhe një gazetar i gazetës “Unita”, ardhën për të vizituar studion time. Duke parë disa punë poeti u shpreh, “Kodra është primitivi i një civilizimi të ri”. Fjala doli dhe e botoi gazeta. Gjithnjë e kanë marrë për qortim këtë thënie... por në pikturën time këto figura me kuadrate e gjeometrike ç’janë ? E kam thënë gjithmonë, është sot portreti i juaj, portreti i gjithë njerëzimit, jemi sot në civilizimin e konsumit, dmth njeriu e ka humbur çiltërsinë. Ne jemi të mbyllur. E shkrova atëherë, e kanë pëlqyer dhe u hap fjala, këto figurat që bëj, kanë bërë hapësirë të madhe, janë pëlqyer... civilizimin e konsumit, e kësaj kohe politike sot. Këtë thënie të Elyarit e kanë marrë dhe e kanë zhvilluar kritikët më të mëdhenj, kanë gjetur fjalët më të bukura për të shkruajtur për pikturën time. Në atë kohë artistët Breton, Aragon, Pol Eluar ishin shumë të famshëm.
- Si jeni njohur me Pikason ?
- Në Milano, u përgjegj Kodra, rrinim bashkë piktorët e quajtur të Nëntëqindës, Carlo Carra, Mario Sironi, Francesco Messina skulptor i madh, Carlo Riccardi, Achille Funi afreskisti më i madh i botës. Ai mësonte afreske.
Shokët e mi kanë qenë Ennio Morlotti, Sasçinari, Gianni Dova, Roberto Crippa, Renato Guttuzo, të cilin e kisha shumë mik. Renato ishte i lidhur mbas Rezistencës. Uno grande scritore (një shkrimtar i madh) Davide Lajolo shok i imi, kishim simpati për njeri - tjetrin dhe në mbrëmje të gjithë shikonim bashkë për të ngrënë darkë. Më donin ata. Poeti Salvadore Quasimodo rrinte gjithmonë aty, sepse e kishte shtëpinë afër Brerës, Via Garibaldi 16, kam qenë shoku i tij. Ai gjithmonë vinte të më shikonte. Te “Biancheria” që ishte përballë vinin më të mëdhenjtë e botës. Ajo ishte shumë e famshme atëbotë. E quanin “Quartier Latin”, ku vinin njerëzit më të mëdhenj. Më 1948 Italia ishte në dorën e komunistëve, në pikpamje kulturore, sepse pas Rezistencës ishte e programuar, që Italia do të bëhej komuniste. Shumë hierarkë fashistë u shndërruan në komunistë dhe punuan që në vend që Kongresi i Paqes të bëhej në Paris, u bë në Romë. Pastaj arti dhe Rezistenca, në vend që ta bënin në Paris e bënë në Bolonja...
Pikasson ma prezantoi Guttuzo. Menjëherë u bë shumë shok me mua, më ka ftuar katër herë në Kanë, në Port Azurra “Mon ami peintre Kodra !” (Miku im piktori Kodra) - do të thoshte gjithmonë Pikaso kur më takonte.
Njohja e Kodrës me Pikason më ngacmoi dhe më risolli në kujtesë një thënie të vjetër, të thënë nga një piktor, e cila më kishte munduar gjithmonë për vërtetësinë e saj. Thuhej që Pikaso ishte shprehur që Shqipëria është vend ku lindin piktorë. E pyeta.
- Nuk e di ta ketë thënë këtë gjë. Pikaso ka thënë që Shqipëria ka një popull që ka vuajtur, porse lind me vokacione të ndryshme artistike, u përgjegj dhe vijoi, Në Milano ka ardhur edhe Heminguej për të xhiruar filmin “Dielli lindi përsëri” (Il sole serge ancora), bazuar në librin e tij tij. Filmin e kanë muzikuar me këngën shqiptare, që e pruna prej Shqipërie, me partizanë.
Kodra zuri të këndojë lehtë:
Me pjek gruni ka fillue
Tan Shqipnia në këmb është çue.
Shqipni, ti je... none
Plot me partizone
Shqipni, ti je nënë kreshnike
Plot me bollshevike hej.
Këngës e pëlqyen shumë sa të gjithë gjithë komunistët e dinin përmendësh. Regjizori i filmit është Aldo Vergano dhe u muzikua (kolona zanore) me këtë këngë, një këngë ishte e kapshme. Kur doli libri “Këngët e rezistencës” kam bërë ilustrimin e kopertinës dhe kanë vënë edhe këtë këngën brenda.
Me Heminguejn hëngrëm darkë bashkë. Njeri i thjeshtë, por pinte... Njerëzit e mëdhenj sa më të mëdhenj bëhen aq më të thjeshtë janë.
Kodra heshti përsëri. Ne vështruam njeri tjetrin. Ishte një gjë e padëgjuar. Emra të tillë si Pikaso, Heminguej, Kuazimodo, Elyar në Shqipëri ishin mitikë dhe ishte hera e parë që shqiptoheshin me aq lehtësi nga një piktor shqiptar duke lënë një shije mikluese tek të gjithë. Kodra është frymëzuesi i kolonës zanore të një filmi bazuar mbi romanin e shkrimtarit të madh Ernest heminguej dhe ai e thoshte këtë fare thjeshtë e pa asnjë mburrje ! Filmi është ribërë edhe nga Holluvudi, ku luajnë aktorë të famhëm si Eva Gerdner e aktorë të tjerë të shquar. Kohë më pas duke gërmuar për këtë fakt, mësova se, poeti Mario De Micheli, do të shprehej se “Kënga e 25 prillit” e kemi bërë pikërisht në ditët e kryengritjes, kur partizanët hynë në Milano.
Unë këtë këngë shqiptare, e kam mësuar nga një piktor shiptar, që quhet Ibrahim Kodra, i cili në atë kohë bënte Akademinë dhe që ishte i lidhur me grupin, që vepronte në mes të intelektualëve të Rezistencës”. Dhe diku tjetër lexohet, që kjo këngë e thjeshtë lindi në ditët e nxehta të luftës, kur partizanët hynë në Milano. Bazohet mbi një melodi shqiptare intonuar nga piktori Kodra në një bar të lagjes në Brera. Mbi këtë melodi u improvizuan tekstet e poetëve të ndryshëm, artistë e intelektualë të pranishëm. Bën pjesë tek “Këngë të rezistencës italiane”.
Pa na lënë të mbusheshim mirë me frymë Kodra zuri të thotë:
- Eugenio Montale fitues i çmimit “Nobel” (viti 1975) ka bërë një libër “Pesëmbëdhjetë vjet poezi, pesëdhjetë vepra të Kodrës”. Sot jam piktori më i shquar dhe për mua janë shkruajtur gjërat më të bukura. “Kodra piktori më i madh i shekullit tonë”, “Kodra është simbol i përgjithshëm”, nga Karlo Bon-i, shkrimtar i madh.
- Me Salvador Dalin jeni njohur ? – u hodh e pyeti një studente që kishte kohë që po dëgjonte rrëfimin e piktorit.
- Dali ? Posi. Njeri pak... (qesh) ishte estravagant.. Kur shkova herën e parë në Paris, pashë katër vetë, që po çonin një bukë të madhe dhjetë metra të gjatë në studion e tij. Ishte e shkruajtur “Bukë për puntorët”, Dali. (qesh). E përdori në një tablo.
- A e keni njohur Gorge Braque ?
- Braque nuk e kam njohur. Kam njohur atë. që në Francë ka bërë Shkollën e Kubizmit. Ishte edhe Braku, posi. Pikturën e fillova në Milano, por kam qenë në Paris, ku kam parë, kam njohur shumë artistë si Bretonin, Pikason, Aragonin që kanë bërë pikturë moderne. Pikturën surealiste e krijoi Andre Masson, ia mori Bretoni, ai shkoi në Amerikë kaloi atje...
kodra heshti përsëri. Renzo Calzavaro ndërhyri duke thënë që Kodra është takuar e njohur me Afro Basaldella në Pedova. Kur shkonte në Venecia ishte mik i Tommazo-s, mik i Guttozo-s, piktorë me famë botërore.
Maestro ka një gjë të bukur, që nuk flet kurrë keq për piktorët e tjerë. Flet gjithmonë mirë. Megjithëtë ka shumë piktorë, jo në lartësinë e tij, që flasin vetëm keq për piktorët e tjerë. Maestro flet gjithmonë mirë për kolegët e tij. Kjo është natyra e tij. Pse duhet të flasim keq për të tjerët, që të konfrontohemi me ta ? - thoshte. Koleksioni i Kodrës në Milano është shumë i madh dhe jo vetëm në Milano, por në të gjithë Italinë. Kam shumë gjëra nga Maestro Kodra. Këtu disa kuadro që janë të miat, që ia kam blerë. Kam disa vjet që e ndjek.
Piktori u kthye në bisedë e ashtu shtruar e shtruar vijuam bisedën. Në një çast e pyeta se si i kishte mbajtur lidhjet me Shqipërinë dhe si i vinte ajo në telajo. Buzëqeshi dhe u përgjegj:
- Shqipëria për mua ka qenë frymëzimi më i madh, sepse gjithmonë kam punuar duke menduar Shqipërinë. E kanë thënë disa kritikë, që punoj si me patur në mendje kustumet, veshjen, jetën e shqiptarëve, tokën, ngjyrat, duke patur para syve gjithmonë kodrat, malet e Shqipërisë, më kujtohet Qafa e Shtama, ku uji ishte si akull, Mamurra, ajo dita e madhe... Shqipëria ka qenë gjithmonë në shpirtin tim. Kam lindur këtu, jam rritur në fëmijëri. Janë kujtime me rëndësi të madhe. Kam marë nga folklori, nga jeta e popullit tim, kam vazhduar duke pasur gjithmonë frymëzimet më të mëdha.
Këshilla ime lidhja me vendin dhe duhet me punuar, duke jetuar me zakonet tona, me folklorin tonë, veshjet tona. Kjo ka bërë përshtypje edhe në punën time. Frymëzimin e mar nga populli shqiptar, pse e kam thënë gjithmonë, le ta dijë bota mbarë që Kodra është gjithmonë Shqiptar.
Shqipëria ka dhënë piktorë, poetë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, muziçistë të mëdhenj, ka dhënë projekte të mëdha, ka dhënë çdo gjë.
Kur njeriu shikon bambini (fëmijë) që po flejnë rrugës, probleme me njerëzit që ecin këmbëzbathur, atëhere të vjen në mendje Madre Tereza, dmth madhësia e saj, nga pikpamje humane, njerëzore, që ka kaluar të gjitha kufijtë e njerëzimit.... që marshin shpërblimet më të mëdha prej popullit shqiptar e tokës shqiptare.
Kam mbetur shumë i kënaqur për Shqipërinë. Më duket sikur jam në shtëpinë time, se populli shqiptar më ka dhënë ato mjete shpirtërore, sa që sot në se kam një farë emri, ja di popullit shqiptar, ia di edhe atyre që më kanë dhënë mësime për të shkuar përpara.
- Në pikturë kujt i jepni më shumë rëndësi linjës, ngjyrës apo kompozimit ?
- Kompozimit, se ai është me rëndësi të madhe. Po ashtu edhe forma. Kompozimi është forma. Forma dmth paraqet në art e në poezi mënyrën e shprehjes. Ngjyrat pastaj vijnë vetë.
- Keni pasur ndonjë ngjyrë të preferuar ?
- Këtë pyetje ma kanë bërë gjithmonë. Kam thënë kudo se kërkoj të paraqes ngjyrat e jetës, ngjyrat bëjnë jetën, ngjyrat e diellit, e ujit, e tokës. Tre ngjyra janë që kanë bërë jetën e njeriut.
- A mund të flasim që Shqipëria është një vend që ka ngjyra të bukura, një diell të fortë ?
- Po ka shumë ngjyra të bukura, me të vërtetë ngjyra të bukura. Ngjyrat tek ne janë shumë të pëlqyeme... jam i frymëzuar nga këto ngjyra.
Më pas Kodra zuri të flasë për takimin me shkrimtarin Ismail Kadare.
- Kadare në ’73-in erdhi në Milano për të më takuar. Me disa shokë të tjerë u bashkuem dhe e ndejtëm një natë së bashku. Kadare më tha, “Kodra duhet të dërgosh në Qendrën e Kulturës në Tiranë disa kalogë, se nuk të njohin”. I dërgova dhe pastaj më ftuan në Shqipëri. Më kanë çuar në Ishëm. E besa, shkuam edhe në Akademinë e Artit. E besa kena bo shumë... Foto Stamo më ka dërguar gjithandej, më ka shëtitur këtu në Tiranë deri ne Krujë e në Shkodër, pastaj ai bëri një darkë në shtëpinë e tij. Ishte dhe Paskali, i cili tha, “Kodra e ve në Katalogun e tij, që profesori im i pari ka qenë Paskali, Kjo do të thotë që Kodra nuk e ka harruar Shqipërinë.”
Me thënë të drejtën para Shqipërisë për herë të parë më ka njohur Kosova. Pse ? Një gazetar nga Zagrebi, kishte pjekje me poetin Quazimodo në Milano. Quozimodo ishte me mua, e paraqiti. Ai u çudit. Këta nga Zagrebi e donin Kosovën. Ai bën një artikull në “Telegraf”. Këtë artikull e lexoi Drejtori i Bibliotekës së Zagrebit, i cili quhet Aleksandët Stipçeviç. Ai i njihte profesorët e Kosovës dhe pastaj erdhën me më pa mua në Milano, se ishte bërë intervista për “Rilindjen”. Kështu që me 1955 bëra ekspozitën time në Teatrin e Popullit, afër Bozhurit. Erdhi edhe aktori i famshëm shqiptar Bekim Fehmiu. I thanë Bekimit se çfarë do të thuash për ekspozitën. “Nuk kam fjalë më thanë ! Njoh pikturën, por njoh Pikason e Kodrës !” Kështu tha Bekim Fehmiu që ka bërë “Uliksin”.
- Kur ndodhi kalimi juaj në kubizëm dhe pse ?
- Në vitin 1945 krijuam një grup në Breshia me marrë disa rryma. Ishin atëhere si atraktizma, kubizma e zgjodhëm kubizëm, sepse në kubizëm ka tre dimesione, kurse atraktizma ka dy.
Edhe në Itali duan të bëjrë shumë ekspozita. Arti është i vështirë dhe duhet të marrësh pjesë me gara, me shumë gjëra. Nuk është e lehtë. Në vitin 1938 kur shkova në Akademinë e Arteve, duhet të merrni me mend, se dalin prej Akademisë 50 vetë çdo vit. Në shtatëdhjetë e ca vjet sa bëhen ? Është shumë vështirë, sepse shumë kanë dështuar, dhe pastaj bëheshin mësues në shkolla, të tjerë kanë shkuar në shtëpi botuese për të bërë vizatime për librat, ilustrime. Nuk është kollaj besa, duhet me punu shumë.
Piktori hehti dhe u mbush me frymë. I rreshtova disa pyetje, të cilave ai iu përgjegj shkurt.
- A mund të flasim për ndonjë krizë të artit sot ?
- Po, po ka krizë, sepse bota është e politizuar shumë. Kanë mbyllur galeri, në Paris, në Milano, e mbylli Kodra dhe si heshti një çast, vura re se sytë iu lëbyrën e befas nisi të këndojë:
Rashë e fjeta
S’më zu gjumi
Po ëndëroja përtej lumi
Moj leshverdhë
Që ke lindur në qyteze
Eja, eja do ta marr
Ta kem për fare
Moj leshverdha lozonjare...
Filluam të buzëqeshnim dhe Kodra shtoi, Më donin shumë gocat e Liceut.
Studentja nuk priti por ia ktheu:
- Keni qenë i butë prandaj ?
Renzo Calzavaro ia priti:
- I butë profesori ?!
Ky i hodhi një vështrim të shpejtë vajzës së re dhe shtoi me zërin e tij paksa të ngjirur:
- Kam qenë i butë, i ëmbël... Kodra, u thonin se isha shumë i bukur. Nuk e dija veten. Në qoftë se jam i bukur nuk është faji im, po kështu më ka bërë nëna.
- Paskali më ka folur për ju si një djalë shumë të hedhur.
- Isha studioz i madh...
- Dhe që bënit vizatime të bukura.
- Posi, vizatimet e mia gjithmonë kanë qenë të publikuara nëpër gazeta, në kohën e luftës. Kam punuar shumë. Kur isha i ri 15 – 16 vjeç autorët që lexonim më shumë ishin Gorki, Esenini, Dostojevski. Kam lexuar shumë libra të ndryshëm, teori nga e gjithë bota. Drejtori i një reviste në Milano, djalin e të cilit e kisha shok dhe u bë filozof më pas, kur shkuam një herë në darkë së bashku, drejtori i thotë djalit, që Kodra është enciklopedi moderne, se di çdo gjë.
Kur më pysnin për arte dhe për çdo gjë u përgjigjesha menjëherë. Arti është një raport ndërmjet shkencës dhe lirisë. Edhe poezia po kështu është. Poezia sipas Frojdit lind nga brendësia e njeriut dhe do të tregojë realitetin e vërtetë të vetë jetës. Psikopoezia është një gjë tjetër, nuk është që duhet ta shpjegojë, duhet ta kuptojë vetë populli. Ajo jep vetëm kuptimin ose kur nuk e di se çfarë do me thënë, merret me mend, si për shembull fjala e Mark Antonios në varrin e Jul Qezarit. Duke folur mirë, që thoshte që Bruto e uomo donore (Bruti është njeri i ndershëm), Bruto e... kështu e Bruto ashtu, që e donte Çezarit, duke folë mirë i dha me kuptuar popullit, pa ditë ai, që nuk ishte i tillë...
- Jeni marë edhe me muzikë ? I binit kitares ?
- Po, i bie kitarës, mandolinës. Në Shqipëro në atë kohë shkollat kanë qenë të forta. Në to mësonim muzikë, kitare, mandolinë e bënin picoli complessi me dajre (komplekse të vegjël)...
Kodra ndihet i pematuar nga çfarë u shkrua në shtyp prej ndonjë artisti, i cili e goditi për vlerat që ai ka. Një nga menaxherët kishte bërë shumë fjalë dhe ishte shprehur që na ka prishur shumë punë, ndaj edhe gjatë fjalës së tij fillonte citonte, se çfarë kishin shkruar për të.
- Si vizatues kam qenë më i miri i të gjithëve, kam fituar 200 shpërblime, kupton apo jo ? Akademia franceze më ka dhënë mua medaljen e arit, i vetmi në Itali, kam emrin në shumë muze, në libra, në encikopedi më kanë futur...
Kam bërë 6780 vepra. Janë në të gjithë botën, andej – këndej, sepse kisha 12 agjentë që punonin për mua... Folnin këta njerëzit e mëdhenj, të njohur.
- A keni miq në Kosovë ?
- Posi. Më kanë pritur shumë mirë. Ishim shokë me Muslim Mulliqin. Gjelosh Gjokaj, Rexhep Ferrin, Xhavit Nimanin.
- Në Galerisë së Arteve është një mur i bardhë bosh në Galeri që ka poshtë të shkruar emrin Kodra. A do t’i lini ndonjë vepër ?
Po besoj... po një vepër timen duhet ta kenë... Kam bërë disa piktura që ia kam dedikuar Shqipërisë. Njera është titulluar “Shqipëria fantastike”. Çudia më e madhe është që sa më të mëdhenj janë aq më të thjeshtë janë.
- A jeni i kënaqur nga jeta ?
- Shumë, shumë i kënaqur.
- I keni marë ç’keni dashur ?
- Po besa, buzëqeshi Kodra e shtoi ngadalë, nuk kam dashur kurrgjë, m’i kanë dhënë.
*Studiues arti
*Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)