TIRANE - Fatma Buziu, është vajza 19 vjeçare e cila bashkëjetonte në një apartament me qera me shokun e saj, Ismail Xhindi, 25 vjeç të papunë nga qyteti i Skraparit.

E megjithatë që nga momenti kur kishin vendosur të bashkëjetonin, çifti i ri bënte një jetë ‘luksoze”, që nuk përputhej me të ardhurat financiare.

Kjo falë skemës së vjedhjes që vajza kishte arritur t’i bënte prindërve të saj, të cilët në shtëpinë e tyre mbanin 4 milionë lekë e 88 mijë franga zvicerane, të cilat e motra e kryefamiljarit, emigrante në Zvicër, i kishte lënë në mirëbesim.

Nga fotot e apartamentit në Durrës, ku jetonte çifti, duket çdo gjë moderne dhe e kohës së fundit. Cifti bënte udhëtime të shumta, madje 19 vjeçarja, ish gjimnaziste e shkollës së mesme së Medresesë, “Mustafa Varoshi” në Durrës, kishte blerë dhe një automjet benz modern.

Vjedhja është kryer gjatë periudhës korrik - dhjetor 2012. Sipas llogarive të policisë vajza ka vjedhur mesatarisht 2.5 milionë lekë në muaj duke i bërë rrush e kumbulla. Nga e gjithë shuma e vjedhur vajza ka kthyer vetëm 6 milionë.

(s.g/ad.ti/shqiptarja.com)