Jeta na mësoi të dallojmë një gjyq demode' popullor, nga debati me fakte e logjikë

Jeta na mësoi të dallojmë një gjyq demode' popullor, nga debati me fakte e logjikë

Veç pak rasteve kur Zoti, Natyra apo rrethanat, kanë bërë të shoh zhveshur shpirtëra të këqinj e të shëmtuar (për fat, fare pak), në të shumtën e rasteve, besoj në bukurinë, mirësinë dhe pozitivitetin e njerëzve. Besoj se një nënë, një baba, një motër a vëlla, do të veprojnë përgjithësisht në mënyrë konstruktive në të përditshmen e vet. Dhe në të vërtetë bota lëviz dhe punon për të mirën, pasi në të kundërtën, do të kishim më shumë njerëz në burg se në liri. Keqbërësit janë përjashtimi, jo të mirët. E duke besuar në mirësinë, nuk paragjykoj, deri në prova dhe fakte të kundërta, që të ketë njerëz që synojnë të keqen, shkatërrimin. Edhe pse duhet kohë të kuptohen natyrat e vërteta dhe të fshehta të disa njerëzve, disa na e kursejnë këtë vëzhgim e hulumtim duke shpalosur me këmbëngulje natyrën shkatërruese ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti tashmë.

U lodhëm me agresivitetin pas tërmetit, gjatë pandemisë, gjatë zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, për afganët, e tani për kabinetin e ri qeveritar, ndërtuar nga partia e shumicës që rimori drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare kompetente për këtë.

Disa kanë forcën të shajnë përherë dhe këdo. Shajnë, shajnë, shajnë. Nuk dinë të dëgjojnë, të heshtin, të studiojnë, të lexojnë, të arsyetojnë, të nxjerrin fakte, por vazhdojnë me këmbënguljen humbëse të sulmojnë pa kuptim.

Shumë shqiptarë nuk dëshirojnë as të komentojnë, as të shprehen në rrjete sociale, as të merren me politikë a llafe të tjera rreth saj. Ndërsa, nuk është surprizë tashmë, madje e pohuar publikisht nga psikologë me reputacion në shoqërinë tonë, se individë të ngurtësuar në fiksimet e tyre, e që kanë realisht nevojë për ndihmë mjeksore, vazhdojnë të japin mendime të ngarkuara në media, politikë, rrjete sociale, duke deformuar realisht (me ndërgjegje apo pa ndërgjegje) perceptimin e diskursit publik në vendin tonë. Njerëz që ndjehen viktima të përhershme ndajt kujtdo, mosbesues dhe akuzues shohin konspiracione, gjëma, parashikojnë të ardhme ogurzezë dhe më keq, urojnë sakrifikime në emër të fantazmave dhe historive që kanë në mendje dhe sajojnë. Debati sokratian mbi demokracinë është i bazuar në dialogun e sidomos në logjikën; kur logjika dhe faktet mungojne, nuk është tjetër gjë veçse një gjyq popullor enverist e demode’. Ne si popull e njohim dhe dimë mirë ta dallojmë.

Atëherë pse shqiptarët duhet të besojnë, ndjekin dhe të gjejnë vetveten në një analist, politikan, qytetar që së pari ka bërë më të mirën për të shkatërruar familjen e tij/saj, pastaj ka bërë më të mirën për të krijuar probleme në mjedisin dhe në profesionin që ka dhe sot, e që uron me etiketime katastrofiste më të keqen për këdo që mori një mision drejtues në administratë?

Kaluam muaj të tërë me lajme të mira dhe jo; jemi ende në vorbullën e një pandemie që ulet e ngrihet mbi kokat e të gjithë njerëzve në glob, e të shohesh dhe dëgjosh që ka ende njerëz që vazhdojnë të prodhojnë vetëm perspektiva negative në çdo ngjarje a rrethanë, që gjejnë forcën të anatemojnë si më të renë në politikë ashtu dhe më të vjetrin në kontribut, atëherë është e besueshme ajo që psikologët e mjekët psikiatër prej vitesh e thonë.

Ngjarjet, faktet dhe jo llafet nëpër studio a rrjete sociale, tregojnë se shqiptarët pak ua vënë veshin. I ndjekin si cirkun e radhës, në mungesë të cirkut të Tiranës. Se shumica ka vendosur prej kohësh të mos mbetet peng i tyre, por të gjithë bashkë, të besojmë në një shtet, drejtësi, njerëz (me të mirat e të këqiat që kanë) që duan të punojnë e të përmirësojnë dhe se kush gabon të përgjigjet para ligjit dhe Zotit, e jo para gjyqit demode’ popullor.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës