Dita për Sajmir Kurtin nis dhe mbyllet pothuajse njësoj. 30-vjeçari nga Bilaj i Krujës është i verbër dhe jeton i mbyllur brenda mureve të shtëpisë.

Muzika është dritarja e vetme drejt botës — një botë që ai e ndien, por rrallë e prek.

“Unë jam Sajmir Kurti. Jam i verbër që nga lindja. Jetoj me mamin, me babin, me motrën. Kam qejf muzikën… këndoj,” thotë ai.

Ditët e tij rrjedhin mes tingujve, por përtej kësaj rutine fshihet një dëshirë e madhe për më shumë dije e zhvillim.

“Ditët e mia janë të mërzitshme. I kaloj duke dëgjuar televizor dhe muzikë… Po mërzitem gjithë ditën brenda, s’kam me çfarë të dal… s’kam njeri që të më marrë për krahu,” rrëfen Sajmiri.

Izolimi e ka rënduar shumë gjendjen e tij, ndaj kërkon libra në Braille, kërkon të mësojë, të ndërtojë diçka nga pasioni i tij për muzikën, por këto mbeten ende dëshira të paplotësuara.

“Nuk kam mundësi ta studioj muzikën… nuk kam libra, nuk kam asgjë”, thotë ai.

“Unë dua të bëhem këngëtar… po të kisha njeri që të më çonte në një shkollë! Do doja të mësoja ABC-në e muzikës… të lexoj, të këndoj”, shton ai.

E megjithatë, rruga e tij nuk ka qenë gjithmonë e njëjtë. Për vite me radhë, Sajmiri ka frekuentuar qendra sociale në Tiranë, ku mësoi të lexojë e të shkruajë, por transferimi i kësaj qendre dhe reduktimi i stafit e bëri të pamundur trajtimin e tij të mëtejshëm, duke e detyruar të rikthehej pranë familjes.

Prej 4 vitesh ai është larg miqve dhe nuk rresht së përsërituri kërkesën për t’u trajtuar sërish në një qendër për personat me aftësi ndryshe.

“A ka ndonjë qendër që më ndihmon… që të studioj, të rri, të kaloj kohën?” pyet ai, me një shpresë që duket se nuk është shuar ende.

Por realiteti i familjes së tij është po aq i vështirë. Nëna, babai dhe motra përballen gjithashtu me probleme shëndetësore dhe trajtohen me KEMP. Pavarësisht këtyre sfidave, Sajmiri nuk kërkon të mira materiale; ai u bën apel Shoqatës së të Verbërve, organizatave humanitare dhe institucioneve shtetërore që ta ndihmojnë për të zhvilluar pasionin për muzikën dhe për t’u socializuar në një qendër komunitare.