Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka surprizuar një familje të varfër në këtë fundvit. I shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, Balla i ka dorëzuar çelësat e një shtëpie të re një familjeje, e cila jetonte në kushte të mjerueshme.

Bëhet fjalë për familjen e Lulzim Doskut në fshatin Dorëz, që këtë vit të ri do ta presë në shtëpinë e re me tre fëmijët dhe bashkëshorten e tij. Në kuadër të këtij gjesti të mrekullueshëm, deputeti socialist ka ndarë emocionet e veçanta dhe tepër prekëse të të kthyerit buzëqeshjen në një fytyrë të ‘vrarë’ nga vuajtjet e varfëria.

Postimi i Taulant Ballës në ‘FB’:
Emocionet më të bukura dhe më prekëse në këto festa u kurorëzuan me gëzimin në sytë e Olesias, Sabiolës, Orgitos dhe të nënës së tyre të dashur Afërditës, teksa hynin në shtëpinë e tyre të re. Faleminderit të gjithë atyre që falën sadopak nga vetja, për t’i ardhur në ndihmë këtyre tre fëmijëve.

Sic thoshte Dalai Lama, “qëllimi kryesor i yni duhet të jetë ndihma për të tjerët, e nëse nuk i ndihmojmë dot, të paktën të mos i lëndojmë”. Qoftë ky qëllimi për secilin prej nesh për vitin 2018! Gëzuar!

Në 12 Janar të vitit 2017 pamë nga afër gjendjen e familjes së Lulzim Doskut në fshatin Dorëz, i cili bashkë me tre fëmijët dhe bashkëshorten jetonin në gjendje të mjerueshme, në një banesë e cila ishte tërësisht e shkatërruar. Në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe banorë të vetë fshatit, bëmë të mundur që kësaj familjeje t’i ndërtohet një shtëpi e re me kushte normale jetese, duke mbajtur kështu fjalën e dhënë.

Dua të falenderoj plot miq nga Maqedonia, nga Struga, të cilët mundësuan një pjesë të investimit; pjesa tjetër u mundësua nga shoqata këtu në vend e sipërmarrës, por edhe njerëz të thjeshtë e të zakonshëm të cilët u sensibilizuan nga pamjet që panë përmes TV.

Jemi në fund të vitit, ku dimri ka ardhur po aq i furishëm sa edhe vjet, por kjo familje do t’i gëzohet shtëpisë së re me kushte normale jetese. Unë jam shumë i gëzuar që tre fëmijët e kësaj familjeje janë përfitues të një banese, që u mundëson një jetë normale.

Vetë familjarët, e sidomos fëmijët u shprehën të emocionuar e të lumtur që më në fund do të jetojnë në një shtëpi të re e normale; nuk do të kenë më frikë nga dimri dhe i ftohti. #Gëzuar 🥂 dhe ardhtë i mbarë #2018 për secilin prej jush

balla
(Taulant Balla me fëmijët e familjes së varfër në shtëpinë e re)

d.c./shqiptarja.com