Një gjykatë në Hong Kong ka dënuar me 20 vjet burg biznesmenin pro-demokrat Jimmy Lai, pasi u shpall fajtor për shkelje të ligjit për sigurinë kombëtare në dhjetor të kaluar.

Ky është dënimi më i ashpër që është dhënë nën ligjin e kontestuar për sigurinë kombëtare, i cili, sipas Kinës, është i nevojshëm për stabilitetin e qytetit.

Ai u pa duke buzëqeshur qetësisht dhe duke tundur pak kokën kur gjykata shpalli dënimin e tij, raporton BBC. E gjitha u mbyll brenda 10 minutash dhe gjykatësit vendosën të mos i lexonin 47 faqet.

Megjithëse ai u dënua për tre akuza të veçanta, që kolektivisht bartin dënime mbi 35 vjet burg, Lai do të lejohet të kryejë disa prej tyre njëkohësisht, tha dokumenti, “duke bërë kështu një dënim total prej 20 vjetësh”, thuhet në vendim.

Disa anëtarë të publikut u dëgjuan duke qarë. Gruaja e Jimmy Lai u pa duke dalë nga gjykata, duke mbajtur syze të errëta dhe duke u përpjekur të mbante lotët.

Gjykatësit vendosën, ndër të tjera, se shkeljet e Lait ishin “të rënda” dhe se komplotet ishin të kategorisë “më serioze”. Komplotet për bashkëpunim të huaj ishin “të mirëplanifikuara” dhe “të paramenduara”, thanë ata.

Gjykata u shpreh se nuk ishte “e prirur” t’i jepte Lait një dënim më të ulët për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

“Ne vërejmë se rregulli i përgjithshëm është që arsyet shëndetësore rrallë do të jenë bazë për të ulur dënimin për krime të rënda,” thuhet në vendim. Avokati i Lait kishte thënë se ai vuan nga hipertensioni dhe diabeti.

Lai, i cili është qytetar britanik, ishte një nga kritikët më të zëshëm të Pekinit, shpesh duke përdorur gazetën e tij pro-demokratike, Apple Daily, si mjet proteste. Gjashtë ish-drejtues të tjerë të gazetës u dënuan gjithashtu me burg nga vendimi i shpallur të hënën, nga 6 vjet e 9 muaj deri në 10 vjet.

I konsideruar hero nga lëvizja pro-demokratike, Lai shihet si tradhtar nga Pekini. Ai gjithmonë ka mohuar akuzat ndaj tij, duke thënë se kishte mbrojtur atë që besonte se ishin vlerat e Hong Kongut, si sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes.

Dy vjet nga dënimi 20-vjeçar i Lait do të përkojnë me dënimin e tij ekzistues për mashtrim dhe mbledhje të paautorizuara që do të thotë se ai do të kryejë 18 vjet shtesë. Kjo gjithashtu do të thotë se ai mund të jetë 96 vjeç kur të lirohet në 2044.

Megjithatë, të burgosurit zakonisht marrin një të tretën e dënimit për sjellje të mirë. Nëse kjo i jepet, Lai mund të lirohet rreth viteve 2037 ose 2038, duke qenë se atëherë ai do të kishte mbushur 90 vjeç.

Një sërë organizatash për të drejtat e njeriut dhe media kanë dënuar dënimin e Lait dhe u kanë bërë thirrje qeverive të Kinës dhe Hong Kongut ta lirojnë.