Problemi më i madh që ka Shqipëria sot është drejtësia. Ose e thënë më mirë dhe më qartë: Mungesa e drejtësisë. Një nga tri kollonat mbi të cilat ngrihet dhe mbi të cilat duhet të mbahet në këmbë shteti shqiptar sot, ka rënë. Për rrjedhojë, është prishur i gjithë drejtpeshimi i jetës sociale të vendit.
 
Presidenti Bujar Nishani, nën trysninë dhe diktatin e Kryeministrit Sali Berisha dhe interesave të mazhorances së ikur që ai përfaqeson, i vunë kazmën e fundit drejtësisë duke vendosur në të gjitha postet dhe funksionet kyçe të sistemit, të gjithë kamikazet e tyre juridikë të cilët, më shumë se për mbajtjen drejt të peshores së drejtësisë, janë shquar si njerëz që e kanë çuar kandarin andej nga kanë qënë interesat politike të pushtetit të qeverisë së rrëzuar me voëen e 23 qershorit 2013.
 
Duke qënë se humbi kontrollin mbi mazhorancën qeverisëse (ekzekutivin) dhe mazhorancën Parlamentare (legjislativi) Berisha dhe njerëzit e tij, të gjitha kapitalet e tyre, po i investojnë tek pushteti i tretë (drejtësia) me shpresën se nëpërmjet kontrollit të këtij pushteti, me anë të njerëzve të tyre, do të mund t’i shpëtojnë edhe ndëshkimit për abuzimet e tyre gjate 8 apo 22 viteve të fundit.
 
Por, edhe do të mund të mbajnë të dobësuar mazhorancën e re duke e futur atë në morsën e drejtësisë dhe arkës bosh që po lenë pas me ëndrrën se në këtë mënyrë do të ringrenë shpejt nga honi ku kanë rënë, opozitën e tyre të re,  për t’u rikthyer sërisht në pushtet.
 
Është një skenar i lexueshem për këdo që njeh sadopak mënyren se si bën politikë, por mbi të gjitha opozitë, Sali Berisha dhe njerëzit e tij.
 
Shansi i madh është që Berisha u dëbua me votë dhe berishizmi, sa më shumë të kalojë koha, aq me pak do të ketë mundësi të aplikohet më në Shqipëri. Ndaj, me shumë se kjo, duhet të na shqetësojë diçka tjetër. Më e madhe dhe më shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Shqipërinë.
 
Mazhoranca e re me 84 vota, duhet të na bëjë koshientë dhe të përgjegjshëm përpara historisë së re për të rregulluar njëherë e përgjithmonë drejtësinë,  e cila, është kollona më e rëndësishme e të gjithë sistemit, pasi është garante e saj.
 
Asnjë popull, asnjë komb dhe asnjë shtet nëpër histori, nuk ka arritur që të përparojë, të zhvillohet dhe të pasurohet, nëse nuk ka rregulluar dhe zgjidhur me parë, çështjen e drejtësisë. Që nga koha e Platonit dhe Aristotelit, drejtësia është cilësuar si një virtyt themelor që u mundëson njerëzve të jetojnë në harmoni me njeri- tjetrin.
 
Ne nuk na lypset një drejtësi e re "e majtë", përkundër drejtësise aktuale "të djathtë". Ne na duhet një pushtet real i ligjit dhe jurisprundencës, që rrok dhe e harmonizon në një, që nga e drejta romake, e drejta civile, e drejta natyrore, etj dhe deri tek ligjet dhe standardet e të drejtës dhe drejtësisë së BE-së. Ne na duhet një drejtësi e drejtë, nga të gjithë dhe për të gjithë.

Marrë nga "Shënimet e një deputeti" të A.Pezës, 14 korrik 2013.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)