Jo me 5, por me 4 vota!

Jo me 5, por me 4 vota!
Në raportin parazgjedhor të OSBE/ODIHR-it që u publikua pjesërisht në median e shkruar në 8 qershor 2013, midis të tjerave shprehet shqetësimi se: “KQZ-ja ka miratuar me katër vota akte normative që kërkojnë një shumicë të cilësuar”.

Në fakt për ata që kanë njohuri për Kodin Zgjedhor, kjo ka qenë e njohur. Por, kur konstatohet dhe konfirmohet nga një institucion siç është OSBE/ODIHR-i që ka për mision të monitorojë zgjedhjet, është një minus jo i vogël që do të pasqyrohet edhe në raportin përfundimtar.

Lidhur me këtë çështje natyrshëm mund bëhet pyetja: Konstatimi i mësipërm, a do të pranohet nga katërshja e KQZ-së? Nëse po, përse u lejua shkelja e Kodit Zgjedhor? Nëse jo, cilat mund të ishin argumentet ligjore?
Kemi parasysh se anëtari i KQZ-së është betuar se do të mbrojë integritetin, do të ruajë paanësinë, se do të tregojë profesionalizëm (Neni 13 i Kodit).

Kemi gjithashtu parasysh se: Anëtari i KQZ-së ushtron funksionin në mënyrë të pavarur”, se: “ai voton në përputhje me ligjin” (Neni 17 pika 2 e Kodit).

Për ta bërë më të qartë problemin, më duhet t’i referohem përsëri Kodit. “Mbledhjet e KQZ-së-thuhet në nenin 22 pika 5 të Kodit Zgjedhor-janë të vlefshme kur marrin pjesë jo më pak se 4 anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit, sipas nenit 24 të këtij Kodi”.

Neni 24 pika 1 e Kodit Zgjedhor, rrjeshton disa çështje që kërkojnë votimin “pro” të jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së. Midis tyre përmenden edhe aktet me karakter normativ.
Po në rastet kur këto akte miratohen me 4 dhe jo me 5 vota si konsiderohen?

Përgjigja që jep neni 24 pika 1: Nuk konsiderohen të miratuara. Si të tilla ato nuk kanë fuqi juridike dhe janë absolutisht të pavlefshme. Natyrisht ato mund të atakohen në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, por mendoj se në këto raste gjykata, do të konstatonte vetëm pavlefshmërinë absolute të këtij akti.

Dikush mund të mendojë se, e vetmja alternativë që i ngelej katërshes të KQZ-së, ishte që edhe vendimet që kërkonin votim të cilësuar, të miratoheshin me katër vota, sepse kjo ishte në “interes” të mbarëvajtjes së proçesit zgjedhor. Kam mendimin se një “argument” i tillë nuk mund të justifikojë shkeljen e ligjit. Zbatimi rigoroz i ligjit do të impononte ndoshta politikën për zgjidhjen apo kapërcimin e këtij ngërçi.

Në këtë vështrim OSBE/ODIHR-i në raportin e vet, me të drejtë ngre shqetësimin se, cili organ do të çertifikonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe “ndarjen e vendeve në Parlament”. Edhe 11 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Të shkosh në zgjedhje i shoqëruar nga një shqetësim i tillë në rritje, vështirë të pretendohet për zgjedhje të standardeve.

Cilat janë garancitë që do të bindnin zgjedhësit dhe ndërkombëtarët se zgjedhjet do të jenë të standardeve Europiane?! Në raportin e OSBE/ODIHR-it trajtohen edhe çështje të tjera të rëndësishme. Kam mendimin se ai është kritik dhe si i tillë kërkon reflektim. Qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se kjo nuk po ndodh.

Le të shpresojmë se gjatë proçesit të votimit dhe të numërimit të votave do të zbatohet me rigorozitet Kodi Zgjedhor. Në këto rrethana, mendoj se roli i KQZ-ve dhe KZAZ-ve është i një rëndësie të veçantë. Në këtë drejtim, veç të tjerave, do të ndikonte pozitivisht trajnimi i tyre cilësor si dhe pjesëmarrja sa më e gjerë në zgjedhje.

Për këtë bëhen vazhdimisht thirrje dhe deklarata, por deri më sot numri i zgjedhësve që shkojnë në qendrat e votimit për të t’u njohur me listat përfundimtare të zgjedhësve që janë shpallur, është relativisht i paktë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës