Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh sot se marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfshijë njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve. Ai në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, tha se ideja për korrigjimin e kufijve me Serbinë deri më tani nuk ka qenë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Çdo marrëveshje ka kuptim vetëm kur bëhet fjalë për njohjen dypalëshe dhe Kosova bëhet anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi.

Ai shtoi se ideja për korrigjimin e kufijve është e tij dhe se ideja për përfshirjen e Luginës së Preshevës po ashtu është e tij, dhe se nuk ka qenë subjekt i bisedimeve me Vuçiç, shkruan Telegraf.

“Por ne do të flasim për këtë. Unë dua të veproj në mënyrë racionale. Ka dallime të mëdha, por e vetmja rrugë është të vazhdosh dialogun. Pa një marrëveshje, ne pengojmë njëri-tjetrin në rrugën drejt BE-së”u shpreh Thaçi.

I pyetur se çfarë pret nga vizita e presidentit serb në veri të Kosovës, e paralajmëruar për 8-9 shtator, presidenti Thaçi tha se Kosova nuk do të ndahet dhe se nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

“Kosova do të ruajë frymën multietnike. Por ne duhet të punojmë për të zgjidhur armiqësitë që kanë ekzistuar për 200 vjet. Ne nuk duhet të jemi peng të kufijve të vendosur gjatë Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia nuk ekziston më. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Prandaj, askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.