"Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thoja për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër."
Kështu ka deklaruar sot Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, teksa fliste për stadin në të cilin ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit europian.
Kjo përgjigje e Kos gjatë një interviste për median ndërkombëtare "Politico" duket se ka irrituar kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, i cili përmes rrjeteve sociale shprehet se "shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar".
Bardhi thotë se "ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët".
"I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Jo e nderuar znj. Komisionere;
Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.
Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët - kartona në Kuvendin e Shqipërisë. SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.
Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët",- shkruan Bardhi.
Komisionerja europiane për Zgjerimin tha se BE po monitoron me kujdes ecurinë e procesit penal që po zhvillohet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-minstres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, nga SPAK. Për këtë të fundit, Kos tha se po bën një punë të shkëlqyer.
Lajmi kryesor:
Marta Kos me lëvdata për SPAK: Po bën punë të shkëlqyer! Po monitorojmë procesin ‘Balluku’! Shqiptarët të heqin korrupsionin edhe nga mendësia










