Joan Laporta do të vazhdojë të drejtojë FC Barcelonën pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën, duke siguruar një mandat të ri pesë vjeçar në krye të klubit katalanas.

Kandidatura e tij e quajtur “Mbrojmë Barçën” mori 32,934 vota, që përbëjnë 68.18% të totalit, duke i dhënë një fitore të qartë ndaj rivalit të tij kryesor, Víctor Font, i cili siguroi 14,385 vota ose 29.78%. Ndërkohë, 984 fletë votime rezultuan të bardha (2.04%).

Me këtë rezultat, Laporta do të udhëheqë Barcelonën për herë të katërt. Ai ka qenë më parë president i klubit nga viti 2003 deri në vitin 2010 dhe u rikthye në këtë post në mars të vitit 2021, kur fitoi zgjedhjet me 30,184 vota (54.28%).

Pas shpalljes së rezultateve, Laporta u shpreh i emocionuar dhe optimist për të ardhmen e klubit.

“Askush nuk do të na ndalojë. Na presin vite emocionuese. Do të jenë më të mirat e jetës sonë. Ky është një klub i mrekullueshëm ku anëtarët zgjedhin presidentin dhe bordin e drejtorëve. Është një klub unik në botë, vërtet i jashtëzakonshëm”, deklaroi ai në fjalimin e fitores.

Laporta falenderoi gjithashtu të gjithë anëtarët që morën pjesë në votim, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një “festë të demokracisë dhe frymës qytetare”, ndërsa vlerësoi edhe punën e drejtuesve dhe stafit të klubit për organizimin e zgjedhjeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:47
Laporta sërish në krye të Barcelonës, hapet rruga për rinovimin me trajnerin Flick deri në vitin 2028

1773672522_hansiflick.JPG

Joan Laporta fitoi zgjedhjet presidenciale te FC Barcelona, një rezultat për të cilin festoi edhe vetë Hansi Flick, me trajnerin gjerman që edhe më parë e kishte bërë të qartë se preferonte vazhdimësinë për t’i dhënë stabilitet projektit.

Flick i ka hapur tashmë bisedimet në lidhje me rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën dhe praktikisht ishte arritur edhe pakti dhe pritej vetëm rizgjedhja e Laportës në krye të klubit katalanas.

Marrëveshja mes palëve është zgjatja e kontratës edhe për një vit tjetër, deri në vitin 2028, një vit kur Hansi Flick pritet ta quajë të mbyllur ciklin e tij te Barcelona ku ai u transferua në verën e 2024-s.

Bisedimet për rinovimin e Flick nisën në fund të vitit të kaluar, por gjithçka u mbyll në një takim mes Laportës, Flick dhe agjentit të tij Pini Zahavi të zhvilluar në muajin shkurt në Barcelonë.

Trajneri gjerman preferoi që njoftimi për qëndrimin e tij në pankinën katalanase të shtyhej për pas zgjedhjeve, me Flick që donte të vazhdonte të ishte në pankinën e Barcelonës nëse vijonte projekti me Laportën në krye të klubit. Tani gjithçka pret zyrtarizimin.