Jordi Alba është lojtar i ri i Barcelonës. Klubi katalanas ka konfirmuar nënshkrimin me anësorin e majtë të kombëtares spanjolle për shumën e 14 milionë eurove.

Pas disa muajve kontakte, negociata dhe mohimit të çdo lloji mundësie të një transferimi të tillë, Barcelona dhe Valencia e kanë mbyllur përfundimisht marrëveshjen. Jordi Alba do të jetë përforcim cilësor për mbrojtjen e skuadrës së trajnerit Tito Vilanova.

Spanjolli do të jetë lojtar i katalanasve gjatë pesë edicioneve të ardhshme. Jordi Alba do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në Barcelonë javën e ardhshme, pas kthimit nga Kampionati evropian, ku është finalist së bashku me Spanjën. Jordi Alba ka qenë një nga pikat kryesore të ekipit kombëtar spanjoll dhe është aktivizuar në të gjitha ndeshjet si titullar, në krahun e majtë të mbrojtjes. (rb/shqiptarja.com)