Jorgaqi: Berisha i përdori eshtrat
e Samiut për fushatën elektorale

Jorgaqi: Berisha i përdori eshtrat <br />e Samiut për fushatën elektorale
Çështja e sjelljes së eshtrave të Sami Frashërit në atdhe, është një çështje delikate dhe nuk do t’i shërbente aspak diplomacisë së marrëdhënieve me shtetin turk, nëse kjo kërkesë do të përdorej për fushatën elektorale të kryeministrit Sali Berisha. Ky është konkluzioni që del nga intervista për “Shqiptarja.com” me profesor Nasho Jorgaqin, i cili na kujton se edhe pala turke e ka pohuar hapur si akt të kryeministrit Berisha.

“Vet Erdogani, mik i kryeministrit ka heshtur, nuk dha përgjigje dhe ia ka lënë kthimin e saj formalisht ministrit të jashtëm”, shprehet profesor Jorgaqi. Cilat janë arsyet që e detyrojnë shtetin turk të këmbëngul që Sami Frashëri të prehet në varrezat elitare të Stambollit. Nga anon më shumë vepra e tij si ideolog i Rilindjes sonë Kombëtarë, apo si rilindësi i madh i kulturës turke, siç njihet edhe në Stamboll, edhe Europë. Si kanë nisur përpjekjet nga qeveria e Enver Hoxhës për sjelljen e eshtrave të dy vëllezërve Sami e Abdyl Frashëri.

Pse Sami Frashëri çmohet aq shumë në Turqi. Çfarë rëndësie ka në marrëdhëniet miqësore mes dy popujve mirëkuptimi për sjelljen e eshtrave të Abdyl Frashërit, njeriut kyç të Lidhjes së Prizrenit, fazës pararendëse të shtetit të pavarur shqiptar (Vlorë 1912). Nisur nga ky mirëkuptim dhe sjellja e eshtrave të Abdyl Frashrit në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, profesor Nasho Jorgaqi ka hedhur dritë në arsyet pse do të prehet Sami Frashëri përjetësisht i ndarë nga vëllezërit e tij shqiptar në Stamboll.

Duke përcaktuar rolin e kësaj figure në kulturën turke,por edhe rëndësinë në Rilindjen tonë Kombëtare, studiuesi Nasho Jorgaqi rrëfen arsyet se pse përfundimisht shteti turk ka të drejtën të vendos për fatin se ku do të prehen eshtrat e Samiut. Profesor Jorgaqi na lë të kuptojmë qartë se kur bëhet fjalë për të fituar në garën elektorale, kryeministri i vendit tonë nuk kursen as prishjen e marrëdhënieve diplomatike mes një vendi mik si Turqia, duke përdorur sjelljen e eshtrave të Sami Frashërit në atdhe si sfidë të “patriotizmit” nga ana e tij.


Zoti Jorgaqi, është bërë përpjekje edhe më përpara në kohën e diktaturës për sjelljen e eshtrave të Sami Frashërit, si e dini juve këtë histori?
-Po nga fundi i viteve ’70 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qeveria shqiptare e asaj kohe zhvilloi bisedime në palën turke për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Abdyl e Sami Frashërit. Me sa mbaj mend pati mirëkuptimin nga pala turke për sa i takon Abdylit, kurse për Sami Frashërin ajo u refuzua. Ka plot arsye që e motivojnë refuzimin. Padyshim Sami Frashëri është një figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare, ideologu kryesor i saj, është autor i veprës programatike të saj, është themeluesi i shoqërisë së shkronjave në Stamboll, themelues i abetares së parë të shkollës shqipe, autor tekstesh të shkollës shqipe, është autor i alfabetit shqip të Stambollit.

Por, nga ana tjetër është po aq i vërtetë kontributi i jashtëzakonshëm që ka sjellë ai në kulturën turke. Madje, ai është arkitekt i kulturës moderne turke. Janë me dhjetëra veprat e tij shkencore, letrare, publicistike që përbëjnë mijëra faqe. Sami Frashëri është autor i të parit fjalor normativ të gjuhës turke, i fjalorit enciklopedik “Kamur-ul-ami” në 6 vëllime, pa përmendur fjalorët e tjerë. Sami Frashëri ka përkthyer “Të mjerët” e Hygoit në Turqisht, ka përkthyer “Robison Kruzonë” e Defosë në turqisht. Ai njihet si autor i parë i letërsisë turke, njihet edhe si dramaturg. Sami Frashëri ka shumë kontribute për gjuhën e njësuar turke. Vlen të kujtojmë se kur erdhi në fuqi Qemal Ataturku, politikën e tij gjuhësore e mbështeti në mendimin shkencor të Samiut. Deri dhe në latinizmin e alfabetit turk, ishte mendimi i Shemshedin Samiut (turqit e thërrisnin kështu). Këto janë disa nga arsyet që na bëjnë ta mirëkuptojmë drejt refuzimin e miqve tanë.

A e ka ditur kryeministri ynë, zoti Berisha arsyen e refuzimit të parë?
-Dua të besoj se ai ka pasur njohuri për këtë, siç ai e di edhe peshën e figurës së Samiut në kulturën turke. Prandaj kërkesa duhej menduar mirë. Që do të thotë edhe ç’është më e rëndësishmja të gjendej koha dhe vendi i duhur. Ndoshta kjo çështje duhej zgjidhur në nivel kryeministrash. Kështu që mua nuk m’u duk me vend që kërkesa t’i bëhej Ministrit të Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, edhe momenti politik nuk ishte i goditur, duke marrë parasysh se jemi në prag të fushatës elektorale. Isha i bindur që kërkesa jonë do të refuzohej, duke e ditur ndjeshmërinë e madhe të miqve tanë për figurën e Samiut dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Përgjigjen çuditërisht nuk e dha kryeministri Erdogan, mik i njohur i kryeministrit tonë, por ministri i jashtëm, zoti Ahmet Davutollu, të cilin duhet ta mirëkuptojmë. Ai jo vetëm nënvizoi vlerat e pazëvendësueshme të Sami Frashërit si thesar të kulturës turke, por nënvizoi edhe qëllimin politik të kërkesë së kryeministrit tonë.

Domethënë ju mendoni se pala turke ka të drejtë?
-Duke lënë mënjanë anën emocionale, mendoj për sa thashë dhe mban më lart, pesha e vlerave racionale të kontributit të Samiut anon nga kultura turke. Sigurisht Sami Frashëri është një figurë emblematike, pjesë e historisë dhe kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare, por fatet dhe rrethanat historike, si dhe jo pak raste të tjera krijojnë probleme komplekse e të dhimbshme që duhen zgjidhur me gjakftohtësi dhe objektivitet. Për më tepër, kur mendoj fatin që ka pësuar sjellja e eshtrave të Pashko Vasës, Andon Zako Çajupit, Luigj Gurakuqit, Faik Konicës, Abdyl Frashërit, Migjenit e të tjerë, varret e të cilëve janë dhunuar e për më tepër nuk mirëmbahen, atëherë vetvetiu them që më mirë eshtrat e Samiut të rrinë atje ku janë, sepse këtu nuk ka siguri dhe përkujdesje dhe shteti dhe opinioni ynë nuk është në gjendje të bëjë atë që duhet dhe që meritojnë paraardhësit tanë të mëdhenj. Prandaj, ta lëmë të flejë të qetë Samiun në tokën e atdheut të tij të dytë, në varrezat e lulëzuara dhe të gjelbëruara të Erenqoit në Stamboll…


Kërkesa e Berishës
Refuzimi nga Turqia, përgjigjet ministri i Jashtëm Davutoglu


“Do të rikthejmë eshtrat e Sami Frashërit në Shqipëri, ai është gjeni i doktrinës së Shqipërisë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i të sotmes dhe të ardhmes shqiptare. Problemi është pak i komplikuar se ka familjarë të vet, të suksesshëm në fushat ku punojnë”, ka premtuar kryeministri Berisha.

Ndërkohë javën që shkoi media Turke “Todays Zaman” ka shkruar se Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutollu ka refuzuar një kërkesë nga Shqipëria për t'u kthyer “eshtrat e një osmani të shquar shqiptar të njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në nacionalizmin turk”. Davutoglu është shprehur se “Sami Frashëri është një thesar për turqit dhe se ai do të mbetet gjithmonë në Stamboll. Vëzhguesit spekulojnë se kryeministri shqiptar me gjasa synon të fitojë votat nacionaliste në zgjedhjet e ardhshme nacionale në vend me këtë përpjekje”.

Davutoglu ka theksuar rëndësinë e Samiut me identitetin kombëtar turk."? Kërkesa zyrtare e qeverisë shqiptare iu paraqit ministrit turk të Mbrojtjes gjatë vizitës së këtij të fundit pak ditë më parë në vendin tonë. Bisedën e ka konfirmuar për mediat turke Rifat Sait, deputet i Partisë së Kryeministrit Erdogan, “Drejtësi dhe Zhvillim”, që ishte me delegacionin turk gjatë vizitës në Tiranë.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit