Jorgo Bulo: Redaktori gjuhësor
Rama i jep fund anarkisë gjuhësore

Jorgo Bulo: Redaktori gjuhësor<br />Rama i jep fund anarkisë gjuhësore
TIRANE - Si u dhunua gjuha e dokumentacionit shtetëror për më shumë se 20 vjet dhe sa i domosdoshëm është roli i redaktorit gjuhësor në institucionet shtetërore.

Masakra ndaj shqipes, sidomos në dokumentet zyrtare, por edhe në reklama e emërtime, apo në media për më shumë se 20 vjet ka qenë gjithmonë shqetësimi i gjuhëtarëve dhe akademikëve. Madje në 2004 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, u paraqit një projekt-ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, por kurrë nuk u mor në konsideratë.

Sot, nismën e kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, për t'i dhënë fund masakrës së gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, akademiku Jorgo Bulo e konsideron shpëtim, si fundi i një anarkie gjuhësore.

Në këtë intervistë për “Shqiptarja.com” gjuhëtari i njohur jep konsideratat për këtë nismë, arsyet pse e quan fund të një anarkie gjuhësore, se deri në ç’masë do ta frenojë kjo nismë deformimin e shqipes, dhe sa e zbatueshme është kjo reformë.

- Si e gjykoni nismën e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit gjuhësor në institucionet shtetërore?
- Kërkesa e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit gjuhësor në çdo institucion shtetëror është në thelb hapi i parë, i mençur dhe i domosdoshëm, për vendosjen e disiplinës gjuhësore të shtetit, për të kthyer seriozitetin e munguar edhe në praktikën shkresore administrative. Por kjo nismë shkon përtej nevojës për një paraqitje korrekte thjesht drejtshkrimore të kësaj praktike. Përveç se shprehje e vlerësimit për shqipen si pasuri identitare e kombit, nisma e Kryeministrit Rama ndihmon për t'i dhënë fund një lëngate të gjatë njëzet e ca vjeçare anarkie gjuhësore, nxitur në emër të një "liberalizmi gjuhësor".
 
- Në ç'masë do ta frenojë kjo nismë deformimin e shqipes letrare?
Në radhë të parë, siç thashë, fjala nuk është thjesht për zbatimin e normës drejtshkrimore, por për ngritjen e kulturës së gjuhës në përgjithësi, të zbatimit të normës morfologjike, sintaksore e leksikore dhe të kristalizimit të stilit të ligjërimit përkatës. Nga ana tjetër, masakra me shqipen letrare nuk ka prekur vetëm praktikën shkresore administrative, por të gjitha rrafshet dhe hapësirat e përdorimit publik të shqipes, që nga foltorja e Kuvendit, te media e shkruar dhe e folur, deri te botimet, madje edhe ato shkollore.
 
- Nga ana praktike sa është e zbatueshme kjo reformë?
Kjo gjendje në përdorimet publike të shqipes ka ardhur si nga pakujdesia e shtetit, ashtu dhe nga defektet e formimit gjuhësor në shkollë, sidomos të eksperimentit të dështuar të bashkimit të mësimit të gjuhës dhe të letërsisë në një orë dhe në një tekst, por dhe të zbehjes së rolit të institucioneve arsimore dhe  shkencore në procesin e zotërimit dhe të ngulitjes së normës gjuhësore përmes studimeve dhe trajtimit të çështjeve teorike dhe praktike që lindin në këtë fushë.

Kështu që puna nuk mbaron këtu, por fillon këtu. Kultura e gjuhës është pasqyrë e qytetërimit modern të një populli dhe ngritja e kulturës së gjuhës është detyrë e përhershme e gjithë shoqërisë, e shtetit dhe e institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e mendimit shkencor gjuhësor.

Në vitin 2004 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, atëherë në vartësi të Akademisë së Shkencave, ka paraqitur një projekt-ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, i cili prej gati dhjetë vjetësh fle në sirtarët e Kuvendit. Ka ardhur koha që detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve në përdorimet publike të shqipes të rregullohen me ligj, për të krijuar një front të përbashkët të gjithë shoqërisë për t'i dhënë kulturës gjuhësore të shqipes shkëlqimin që ajo meriton.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë