TIRANE, 28 Maj/ATSH/-  "Antik art", një koloni ndërkombëtare me 25 artistë nga vendet e rajonit dhe botës, zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
"Antik art", është një komunitet artistësh visualë, të cilët punojnë në pikturë, mixed media, skulpturë dhe punime më dorë.
Profili i i tyre këtë javë ishte Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
Kjo ishte dhe arsyeja që ata e vizituan Goron në zyrën e tij, për tu njohur më nga afër me të, por edhe për të prezantuar disa projekte konkrete artistike, që mund të marrin jetë në muajt e ardhshëm.
Tema e këtij muaji është natyra, ndaj artistët do të hedhin në kanavacë atë që do ndjejnë nga e gjithë bukuria mahnitëse e bregdetit shqiptar, që nga Llogoraja, Dhërmiu, Jala, Himara e më tutje, duke e përmbledhur të tërë këtë në një ekspozitë interesante dhe unike, që do të jetë e hapur për banorët e Himarës dhe për turistët në fillim të këtij qershori.
Artistët,  kanë disa ditë që janë vendosur në plazhin e mrekullueshëm të Jalit.
Kryetari i Bashkisë Goro, pasi falenderoi artistët që vizituan Himarën, tha se Himara është një qytet ku shumë piktorë e fotografë të huaj gjejnë frymëzimin e tyre në këto zona të jashtëzakonshme për nga bukuria natyrore, ku deti, mali dhe asete të tjera të mrekulllueshme të ftojnë drejt një magjie të pabesueshme  natyrore.   
Vetë artistët e "Antik art" u shrehën se kishin mbetur të befasuar  nga mikëpritja e vendasve, ndërsa organizatorët nga ana e tyre vlerësuan bashkëpunimin e vyer që Bashkia e Himarës dhe personalisht  Kryetari  Goro i dha këtij rrugëtimi të tyre, drejt zbulimit të mrekullive të natyrës shqiptare .
Goro përfitoi nga rasti të rrëfejë  edhe mbi disa projekte të tjera artistike dhe kulturore që janë gati të jetësohen këtë verë në qytetin bregdetar , që po e transformojnë dita ditës Himarën në një hapësirë të rilindur artistikisht.
Ekpozita me punët e artistëve, që do të ketë në fokus Himarën dhe zonat përreth saj, është vetëm fillimi i një tradite, e cila mendohet të bëhet e përvitshme , duke hapur kështu një dritare më shumë për të gjithë ata që e duan artin, e kanë dëshirë të ndjejnë aromën e mrekullueshme të natyrës fantastike që zonat e bregut shqiptar kanë. /a.g/