Real Madridi po shqyrton një lëvizje të bujshme për pankinën, me presidentin Florentino Perez që ka në krye të listës rikthimin e Jose Mourinhos.

Pas një sezoni zhgënjyes, ku madrilenët u eliminuan në çerekfinalet e Champions League dhe mbetën jashtë garës për titullin, drejtuesit e klubit janë në kërkim të një trajneri me përvojë për të zëvendësuar Alvaro Arbeloan, me këtë të fundit që projektohet si asistent.

Edhe pse brenda klubit ekzistojnë dyshime për formën e fundit të Mourinhos, Florentino Perez vazhdon të jetë një admirues i madh i 'Special One'. Aktualisht, Jose Mourinho drejton Benfican, por një klauzolë prej 3 milionë eurosh mund të lehtësojë largimin e tij të parakohshëm.

Për Mourinhon, një rikthim në Madrid do të përfaqësonte një mundësi për të mbyllur llogaritë e hapura nga periudha 2010 - 2013, kur fitoi La Ligën, por nuk arriti të triumfojë në Champions League.

Megjithatë, ecuria e tij e fundit ka qenë e paqëndrueshme, me dështime te Fenerbahce dhe aktualisht te Benfica, ku skuadra renditet pas Portos.

Trofeu i fundit i rëndësishëm për portugezin mbetet Europa Conference League me Romën, por për Florentino Perez, karizma dhe përvoja e tij janë elementët kyç për të rikthyer Real Madridin në majat e futbollit evropian.