Atmosfera ishte e zjarrtë të martën në stadiumin e Mallorcas para sfidës së javës së 33-të në La Liga të barazuar 1-1 kundër Valencias. Tifozët vendas surprizuan me një pankartë gjigante sulmuesin Vedat Muriqi.

Para fillimit të ndeshjes kundër Valencias, tribunat u mbushën me një koreografi mbresëlënëse, ku spikaste imazhi i sulmuesit shqiptar i shoqëruar me mbishkrimin “Ishulli i Piratit”, një nofkë që tashmë identifikon lidhjen e tij me klubin dhe tifozët.

Muriqi ka qenë figura kyçe në sezonin aktual për Mallorcan, duke kontribuar ndjeshëm në rezultatet pozitive të skuadrës. Me 21 gola të shënuar dhe një asistim, Muriqi është në një formë të shkëlqyer, duke qenë vetëm tre gola larg Kylian Mbappe në garën për çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i kampionatit.

Veç banderolës madhështore, tifozët kishin edhe kapele me shenjën e piratëve, kjo në nderim të 'Piratit' të tyre nga Kosova.