‘Ju ishit si dy ‘pokeristë’ të regjur, por kur acarohej pacienti juaj, që quhej Enver…’, letra e panjohur e Dr. Isuf Kalos, për mjekun e diktatorit

‘Ju ishit si dy ‘pokeristë’ të regjur, por kur acarohej pacienti juaj, që quhej Enver…’, letra e panjohur e Dr. Isuf Kalos, për mjekun e diktatorit

Enver Hoxha dhe Isuf Kalo

Ishte një kohë, kur njerëzit emocionoheshin nga letrat e shkruara. Megjithëse i kam tani mbi tavolinë, një tufë prej 40 letrash të komunikimit mes nesh, kuptoj se jashtë formatit të tyre, kanë mbetur shumë të pathëna. Prandaj sërish më lindi dëshira të shkruaj një letër për ju, profesor Fejzi Hoxha, në ditën e 100-vjetorit të lindjes suaj. Një letër që t’i ketë brenda saj, edhe të shkuarën, të sotmen, edhe të ardhmen. Ashtu si i ka hije respektit mes njerëzve, kolegëve dhe mes mësuesit e nxënësit. Sepse për respektin, mirënjohjen shkruhet me sinqeritet e vërtetësi pas vdekjes. “Mund të isha në sallën ku u mblodhën, e celebruan në këtë jubileun tuaj të papërsëritshëm. Mund të isha në podium, duke ju thurur ditirambe. Për fat të keq ai u ndërtua i ngushtë, pa lënë vend për këto që do them unë!  

Sidoqoftë, duartrokitjet e mia i bashkova përzemërsisht me ato të gjithë të tjerëve, për meritat e kontributet e pakontestueshme tuajat, si një nga themeluesit e shëndetësisë tonë, themelues i mjekësisë interne, iniciator mbështetës i specialiteteve të saj, pionier i diabetologjisë e endokrinologjisë shqiptare, një nga pedagogët e parë të Fakultetit të Mjekësisë. Anëtar i Akademisë sonë të Shkencave që në themelim. Deputet në 7 legjislatura. I dekoruar me shumë tituj, urdhra e medalje merite, deri “Hero i Punës Socialiste”.

Desha të bisedoj me ju, ato që nuk u thanë aty, ndonëse kanë të bëjnë me një detyrë specifike dhe një periudhë të gjatë të veprimtarisë suaj profesionale. Ato bënë sikur i harruan. E lanë këtë hapësirë të veprimtarisë suaj, si zgavër bosh, si një dhomë muzeu me dyer e grila të mbyllura, e ndaluar për publikun. Jo, çuditërisht, ashtu e patët lënë edhe ju vetë: Të mjegullt, thuajse pa e përmendur në autobiografi.

Them jo, çuditërisht, sepse në vitet para vdekjes suaj, ndryshimi i madh kish ndodhur. Dhe njerëzit nxitonin të korrigjonin dhe të rishkruanin biografitë. Fjala është për atë detyrë mjekësore të posaçme; “suplementare”, që kryet me korrektësi e ndershmëri profesionale, për dekada me radhë: mjekimin e pacientit që quhej Enver Hoxha. Zyrtarisht ajo quhej “top sekrete”.

Realisht ishte e njohur nga të gjithë kolegët. Ishte detyra më e vështirë që mund të kryente ato kohë një mjek dhe një burrë. Sepse, ishte më e lehta për t’ju zhburrëruar. Ajo kërkonte atë që është e pamundur në mjekësi: pagabueshmërinë. Ndërkohë që as ajo nuk ju mbronte nga dyshimet edhe fajësimi imagjinar. U bëtë eksepsionalisht i besuari i personit, që thuhet se nuk besoi, asnjë nga shokët e tij. Ndofta sepse jua lexoi mirësinë. Dhe frikën. Ju thoshit se ai; “të donte meqë i duheshe”. Kurse ai qe i sigurt, se ju do ta donit, sepse ashtu duhej. Ndryshe nuk bëje dot.

Dhe u shihja frymë-prerë, kur komunikonit mes jush: ai “luan” i sëmurë, por i sigurt, i fuqishëm. Ju, “dhelpër” e vjetër hetuese, e kujdesshme në kulm: në çdo fjalë, në çdo hap. Si dy “pokeristë” të regjur, që ia lexonit letrat e fshehura njeri-tjetrit me intuitë, pa i parë! Por ndodhnin jo rrallë momente acarimi. Atëherë juve, ju dridhej zëri dhe të nesërmen ju shpërthente ekzema e lupusit mbi kokë. Kurse mua, më dridheshin duart, “O zot…! E mbani mend sa shumë”?!

Për fat e arritët të pamundurën. Ndjehem i privilegjuar profesionalisht, që u ndodha krahë jush (dhe me disa kolegë të tjerë), në këtë eksperiencë mjekësore unike. Ajo detyrë quhej e lakmuar, nga shumë prej atyre që ishin në auditor. Por u bë më pas (sikur të mos kishte qenë detyrë e dhënë nga shteti!!!), e mallkuar, e pavlefshme, për t’u përmendur në CV! Si në atë tuajën dhe timen. Dhe të atyre që ishin me ne. Gjurmët e asaj valleje, u përpoqët t’i fshihnit (përfshi dhe miqësinë me mua!), fill pasi regjimi “i tij” u shemb dhe para se të vdisnit vetë?

Le të hapen dyert

“Detyra e posaçme”, ishte në ngjyrë gri. Gri ishte edhe qielli ditën e varrimit tuaj. Kompleksi i një ndrojtje e mërie të pashpallur, bëri që përcjellja jote në udhëtimin e fundit, të ishte jo si e një personalit të shquar publik, por e heshtur pa bujë pa shkëlqim…! Kurse sot, qielli është blu. Nuk flitet për ikje. Përkundrazi për rikthimin. Për ri gjetjen tuaj. Prandaj them se është dita të hapen dyert e “dhomës së kyçur”. Dhomës së ndaluar. Të hyjë dritë në të.

Aty do gjenden paragjykimet, zilitë e keqinterpretimet për ju. Si dhe shpërblimet, favoret, motivet për titujt, nderimet, medalja e heroit, lavdet e merituara e ato të fryra, udhëtimet e takimet jashtë shtetit. Të gjitha vërtetësish, më të shumta nga të ish-profesorëve të tjerë, kolegë tuaj. Do gjejnë edhe frikën që ju ndoqi pas gjithë jetën. Dyzimet, dyshimet, ankthet, zhgënjimet dhe tragjedinë e humbjes së djalit të madh, që e përjetuat; sikur “e shkaktuat vetë prej qëndrimit larg familjes, në punë”.

Do të gjejnë intrigat e shpifjet, për ata që i donit dhe nuk i donit. Për të cilat ju detyruan ta ulnit veshin, deri tek niveli i të ulëtëve!! –Eh profesori im…! Papa Vojtýla, pati thënë: “Ndodh që edhe njerëzit e mire, e vrasin shpirtin e tyre”.

Sigurisht, që mund t’jua vrasin edhe të tjerët. Sidomos nëse ia lë atë naivisht në dorë, ndonjë “askujti”, që nuk i dhimbsesh të të shpërdorojë e përfitojë. Oskar Uajldi, e pati pikasur naivitetin që sjellë moshimi: “Adultët, dyshojnë në çdo gjë, të moshuarit, besojnë çdo gjë”, thoshte ai.

“Pse i bëjmë, ato që bëjmë”?!

Këtë pyetje hamletiane, jo për ekzistencën, por për veprimet tona, Michael Frayn, e pat vënë në qendër të dramës së tij, “Copenhagen”. Cila është enigma e “fajësisë pasive”, të paparamenduar, që i frenon ose përkundrazi i shtyn intelektualët, për ato që bëjnë ose nuk bëjnë?, pyet ai. Cila qe shtysa që turbulloi keqas fund-jetën tuaj, profesori im?! Lodhja e dobësimi fizik? Trishtimi nga margjinalizimi, pas ndryshimeve të mëdha? Humbja e beftë e honoreve dhe veprimtarisë sociale? Cilët nga këta? Atëherë vallë ndodhi dhe vendimi juaj dëshpërues i vet-tkurrjes, brenda folesë biologjike familjare, vetë-shndërrimit nga person publik, në individ privat?

Nga profesor e veprimtar i mirënjohur, në vetëm prind! Ndofta atëherë, nën cytje e presion, do të keni keq paragjykuar e flakur nxitimthi, miqësinë si ajo e jona. Ashtu siç tregon Shekspiri, për një personazh të tij: “… E shpuan, e ndezën, e munduan deri sa e humbi fare…”! “Pse i bëjmë ato që bëjmë”? Si ta shpjegoj paradoksin e miqësisë suaj aq të ngushtë, të një akademiku si ju, me një oficer-kryerojën e pacientit? Dhe veturën “dhuratë” prej tij për ju, bashkë me shofer personal (Uaa!). Më pas, zhgënjimi juaj: “Ai qenkësh “informator”!!!

Madje ju krijoi në familje një dramë – plagë të pa mbyllur ende deri sot. Çfarë t’ju them? Ca të thëna, është vonë të ri thuhen profesor. E vërteta është, që honoret dhe favoret, nuk ishin të nivelit, që mund t’jua mbushnin boshllëqet e varfërisë relative të kohës, as që ju plotësonin obligimet, apo presionet që përjetonit si prind. Fati juaj, nuk ishte si ai i kolegëve të sërës suaj gjetkë. Dhe truri e dinjiteti i intelektualëve, bliheshin atëherë fare lirë. A thua nuk e shihnit kameleonin dinak të “mercenarizmit”, që ju joshte e ju ngjitej nga pas, me insistim?! A ja arriti dot? Besoj se ju mbetët në destinin tuaj: punë-shumti, meritmadh, i një vendi të varfër.

Kur gënjenim vetveten!

Eh! profesori im. Nuk është çudi në atë “dhomë”, të gjejnë edhe gënjeshtra të së tjerëve për ju dhe tuajat për vete dhe të tjerët. Ishte kohë e “agjitpropit” e vetëmburrjes, e vlerësimit të njerëzve me opinione, me; “më the, e të thashë”. Hileja nuk quhej vlerë, por fshehurazi praktikohej gjerësisht si art dhe mënyrë mbijetese. Një nga gënjeshtrat tuaja të “bardha”, të lexueshme e zbavitëse për mua, ishte “aktrimi” juaj, me “dhimbjen bllokuese të pa pritur, të mesit”. Kjo ndodhte sa herë ju duhej të evitonit prezencën aty: ku e kur pritej “furtunë pakënaqësie” nga PACIENTI. Por gënjeshtra, ju e dini, i kish rrënjët thellë në vetë sistemin.

Oruelli nga jashtë dhe Haveli nga brenda tij, e kanë përshkruar “Jetën në gënjeshtër”, adiksionin e njerëzve me të dhe kulturën e manipulimit të së vërtetës. Ajo kulturë, nuk la pa prekur edhe tempullin e kësaj të fundit, shkencën, e cila prodhoi jo pak “të vërteta, të pavërteta”, e bashkë me to, edhe tipin e ri të shkencëtarit konformist. Besnik ithtar, apo “konformist jo konformist”, që “gënjenin vetë gënjeshtrën”, me, ose pa teserë partie, me ose, pa vepra origjinale, të mirëfillta shkencore, ata shërbyen si varak i kurorës glorifikuese të tij. Modeli shkencor i sistemit, u huazua nga ai ish-sovjetik, që kish si hero; “Akademikun Lisenko”, “arritjet e mrekullueshme shkencore të së cilit, qenë trumbetuar në gjithë botën”.

Por kur koniunkturat politike ndryshuan, “vepra shkencore” e Lisenkos, rezultoi e manipuluar e falsifikuar. Ndërkohë “Lisenkoizmi”, kishte lëshuar “metastaza”, në gjithë ish-kampin socialist. A pati dhe sa pati edhe tek shkenca jonë mjekësore, profesor? Mos e dhëntë zoti, që të kemi ende sot gjurmë të saj!! Sepse gënjeshtra në shkencë, është si virusi në kompjuter. E bën të papërdorshme, gjithçka brenda tij. Jo kot akademiku ynë i sapo zgjedhur, Prof. Besim Elezi, u kujtoi kolegëve se; “Gënjeshtra më e rëndë, është kur gënjejmë vetveten”.

Një oaz i papritur

Por le të harrojmë një çast të hidhurat, për diçka të gëzueshme profesor. Është fjala për një mrekulli, që përbën për mua kujtimin më të shtrenjtë nga ju. Mrekullia filloi kur barrierat e moshës, brezave, meritave e hierarkisë, pa u ndjerë u shuan mes nesh dhe i lanë vend një humori jashtëzakonisht të bukur, dashamirës, pikant. Madje edhe “të zi”. Me tema të tilla makabër, si gjoja përjetimi “gazmor”, nga njëri prej nesh, i “vdekjes” së tjetrit. Atë e gjallëroi i pari me efekte spektakolare “në treshe”, Prof. Ylli Popa; atë kohë në një ekip me ne.

Çuditërisht në të, përfshihej ndonjëherë dhe “pacienti”. Protagonisti më i ngacmuar ishit ju. Por ju vet, nuk mbeteshit pas. Në letrat që kam përpara, rilexova disa batuta humori për mua, të cilat më bënë përsëri, të qesh me lot. “Mundësisht sill ca reagjentë, për analizën e HLA”– më shkruaje në njërën prej tyre, teksa unë ndodhesha disa ditë jashtë shtetit. I duheshin djalit tënd (mjek laborant) – “Duhet për të identifikuar individualitetin, edhe etninë e njerëzve”– sqaronit.

Pastaj vazhdonit: “Po ty, nuk do ta bëjmë analizën, se mos na dalësh arixhi…”! Ç’të ishte kjo?! Nga buroi ai humor?! Përse i dhamë aq shumë vend vdekjes?! Ndoshta qe një oaz i domosdoshëm relaksi, që e krijuam spontanisht, në atmosferën e ngarkuar plot tension?! Ju falënderoj profesori im, për to. Ato çaste ishin privilegj dhe kënaqësi e papërsëritshme. Të paharruara për mua.
“Është lehtë të shkruash receta. Vështirë është të njohësh njerëzit”

Brenda asaj dhome të pahapur, është një pjesë sinjifikative e asaj që ju realisht përfaqësonit profesori im. I jashtëzakonshëm në diagnozën e saktë të sëmundjeve. Jo domosdoshmërish i tillë, në atë që Kafka u paralajmëron në librin; “Country Doctor”: njohjen e kuptimin e njerëzve. Çka nuk është vërtet e lehtë. Madje, as për ata të një gjaku, e me gene të ngjashme me ju. Them të ngjashme, sepse edhe genet sado zilare, inatçore dhe të “pistonuara” të jenë, e kanë të pamundur të përsërisin një Fejzi tjetër, apo dhe afërsisht si ju!!.

Pikërisht, këtë më keni qortuar edhe mua përzemërsisht, si ati të birit, në një letër të gjatë: “Shiko se po ta hedhin. Ti nuk i njeh njerëzit”. Vonë kuptova me habi, se ndonëse besoja se dija gjithçka për ju, nuk e paskësha pikasur “daltonizmin” tuaj psikologjik. Syzat me të cilat shihje njerëzit, madje edhe miqtë, qenkëshin vetëm bardhë e zi.

Pushtet pa pushtet

Nuk është surprizë, që në atë “dhomë të mbyllur”, nuk do gjendet asnjë shenjë posti në shtet, asnjë shkresë-vendim i firmosur nga ju…! E megjithatë, ishit kryemjeku i kohës, krye-profesori, kryezoti i atëhershëm, i mjekësisë tonë. Dominonit me atë që quhet; “fuqia e të pa pushtetshmëve”, me “pushtetin influencial”…! Hapeshin magjishëm dyert dhe determinonit fate, me një fjalën tuaj. “Ishte koha e informalitetit verbal, që funksiononte edhe me një fjalë, një telefon, ose me një pusullë. Ju e përdornit atë pozitivisht. Me zemërbardhësi. Një nga këto raste fatlume për mua, ishte edhe specializimi im në diabetologji.

Por pse ta fshehim? Forca juaj nuk qe vetëm tek autoriteti profesional. Pas jush ishte edhe “hija, aureola e tij”, profesori im. Si edhe e “nomenklaturës më të lartë të bllokut”, sepse krye-konsulenti mjekësor, në rast sëmundje të tyre, ishit domosdoshmërish ju. Pushteti influencial, ishte pushtet paralel i padukshëm, si një; “polit-byro hije”, i ushtruar nga intelektualë, figura të përzgjedhura nga vetë pushteti, në fushat e shkencës, kulturës e artit. Mjaft prej tyre, bëheshin deputetë.

Ju ishit gjithmonë, në “Top listë”. Kishit mbiemër të njëjtë me Enver Hoxhën. Vendlindje të njëjtë. Moshë të njëjtë. Shkollë të njëjtë, gjuhë të huaj të njëjtë dhe njohje të hershme. Ndërsa miqësinë e afërt, shumë më të vonshme. Gjithçka nisi atë ditë të vitit 1948, kur ju diagnostikuat me një analizë të thjeshtë urine, sëmundjen e diabetit tek “ai”. Deri atëherë, ju ishit të ndryshëm në fat dhe në drejtimet në jetë. Juaji ishte veç të ndihmonit njerëzit, nga vuajtjet e sëmundjet. Të shpëtoje, zgjasje jetë njerëzore.

Dhe prandaj pse jo dhe të tij? Diabeti u bë ura lidhëse, mes jush. U bë fati juaj i paracaktuar. Më pas edhe imi. Pra, them mos kini frikë, ta hapni atë “dhomë të kyçur”, profesori im. Frika nuk e ndryshon fatin e njerëzve. Ajo veç mund t’i zhveshi nga dinjiteti, për ta përballuar atë. Ju nuk jeni i vetëm. Me ju në masën që caktoi koha, jam edhe unë. Janë dekada të jetës tonë profesionale, me përkushtim, ndershmëri, pa asnjë paragjykim. Është edhe një pjesë e mjekësisë sonë të asaj kohe. Me arritjet, dhimbjet, ëndrrat, limitet dhe hapësirat e para-diktuara të saj.

Sfida e rikthimit

Rikthimi juaj sot, ndryshon në çdo gjë nga ikja. Sepse emri juaj, do bëjë lidhjen e të shkuarës së diabetologjisë sonë, me të tashmen dhe të ardhmen. Ai do vendoset në basoreliev, në ballin e këtij specialiteti, që ju e themeluat dhe e patët për zemër. Është më e larta dekoratë, paswuordi yt i hyrjes, në të tashmen. Me diçka të ngjashme, gazmore të tillë, pata iluzionin se do të gëzoja, kur në vitin 1991, Federata Botërore Diabetit, e pranoi diabetologjinë tonë, që ndërkohë e drejtoja unë (atë që e patët themeluar ju), anëtare të saj. Po atë vit ajo na dha çmim të pare, të performancës së lartë me gjithë varfërinë.

Ndërkaq edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, do të zgjidhte fatmirësisht mua (nxënësin tuaj), të çoja zërin edhe modelin e diabetologjisë sonë, në krye të një programi të madh Evropian, në 52 vende të saj. Mezi prisja që kur të kthehesha, t’ju tregoja, të ndaja me ju lumturinë. Por…! Sidoqoftë mirëserdhe tani. Por jo si pjesë e të sotmes, as të ardhmes. Sepse nuk kuptohesh dot në to. Mjekësia intuitive, me shqisat e vëzhgimit, dëgjimit, nuhatjes e shijimit, ku ju shkëlqenit; nuk praktikohet më.

Teknologjinë e re të digjitalizuar imazherike dhe endoskopike, mjekësinë invazive; ju nuk keni si ta njihni. Po transplantin renal, që sapo u krye tek ne para dy ditësh, e imagjinoni dot? Edhe vendimmarrjet klinike, nuk bëhen me “unë them”! ”Unë”, është bërë; “Ne”. Eposi i mjekësisë ikonistike, i heronjve eksepsional, kokave të mëdha, e mjekrave të thinjura, është zëvendësuar me Evidence Bassed Medicinë, i mjekësisë rigorozisht të matur, i asaj faktike dhe në ekip.

Një urë e re, me dru të vjetër

Por ju jeni i mirëseardhur dhe i vlefshëm. Nuk ka gjë nëse nuk do t’ju kuptojë njeri. “N’est ce pas? N’est ce pas?” (Apo jo?) siç e përsërisnit kot si zakon, pas çdo 2-3 fjalëve në frëngjisht. Studentët dhe mjekët e rinj, do t’ju përgjigjen në anglisht: “Comme on”! Anglishten ju nuk e dini. Mos u nervozoni. Pavarësisht nga librat e studimet tuaja të hershme, ata mund të mos ju njohin. Por ndofta, do të bëhen kurjozë për ju, e do klikojnë në internet, në “Google”, emrin Fejzi Hoxha.

Mund që t’ju rezultojë…bosh! Do kërkojnë indeksin H, të impaktit, me të cilin rivalizojnë sot shkencëtarët e botës, mes tyre. Mund të mos gjejnë asgjë tuajën, as aty. Mos u mërzisni. E tashmja nuk është bërë për ju, as nga ju profesori im. Por ju do qëndroni si urë lidhëse e saj, me të shkuarën e mjekësisë sonë. Si një relikt e arritjeve, përpjekjeve dhe gjithçka kishim atëherë më të mirë.

Dhe e disa vlerave të vyera, që janë rralluar sot, si; përkushtimi, humanizmi, sakrifikimi dhe ndershmërinë në profesion, të cilat karakterizonin brezin tuaj. Por më parë ka Hygoi, diçka për të thënë: “Dekorojeni. Dhe pushkatojeni”!

Tingëllon rrëqethëse. Por mos u shqetësoni profesori im. Viktor Hygoi, e ka për principet e drejtësisë, e cila siç duhet të njohë e të shpërblejë meritat, duhet pa hezitim, të ndëshkojë edhe të keqen, kur ajo është e pleksur me to. Për ju nuk bëhet fjalë për “pushkatim”. Ju po dekoroheni. Por pastaj do duhet të ndaheni.

“Do mbajmë nga ju, vetëm pjesën e ndritur si person publik, si e mirë, apo vlerë kombëtare, e cila u takon të gjithëve. Sa ju vetë personalisht, aq dhe bashkëpunëtorëve tuaj. Edhe vendit. Kurse pjesën private, familjare, biologjike, jo. Ajo u takon atyre. Arsyeja është se; vetëm pjesa publike juaja; mund të konservohet afatgjatë. Sado të famshëm e të shquar të jenë personat publikë, pjesën mishtore, gjakore, biologjike, e kanë të krimbshme nga koha. Ajo ndodh të vijë erë, madje që kur ata janë ende gjallë.

Kurse ju na duheni si “Faraon”, si endokrinologu ynë simbol, profesor. Jo “cikërrimollog”, “mllefollog” e “sajesollog”. Faraonët janë ruajtur deri sot. falë heqjes pas vdekjes të së përbrendshmeve të tyre. Pra, e gëzofshi ditëlindjen dhe rilindjen, profesori im, i gjithë mjekësisë sonë, i Shqipërisë! Me shumë mall. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Krenar: 19/09/2023 14:29

    Ti sherbesh shtetit shpreh qyteterim.Prandaj nuk ka pse shqiptaret te "rishkruajne" te kaluaren. Eshte me fyese hipokrizia e tashme e rishkruajes nga historia objektive e se shkuares.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka