Dy gra akuzojnë këngëtarin spanjoll Julio Iglesias se i ka sulmuar seksualisht kur ato punonin për të, duke pretenduar se ai kishte “normalizuar abuzimin” në një mjedis shtrëngues, kërcënues dhe të dhunshëm.  Akuzat, të publikuara  nga portali spanjoll i lajmeve elDiario.es dhe media amerikane Univision, po hetohen nga gjykata spanjolle.

Këngëtari i kishte punësuar dy gratë në pronat e tij në Punta Cana, në Republikën Domenikane, dhe në Lyford Cay, në Bahamas. Sipas dëshmive të tyre, sulmet seksuale kanë ndodhur në vitin 2021. Iglesias, i cili është 82 vjeç, ka qenë një emër shumë i njohur në Spanjë që nga vitet 1960 dhe ka shitur miliona disqe në mbarë botën.

Sipas elDiario.es dhe Univision, Iglesias dhe avokati i tij nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura për koment mbi akuzat përpara publikimit të tyre. Megjithatë, një grua e cila punonte si menaxhere e një prej pronave në Karaibe të këngëtarit tha se pretendimet ishin “marrëzi”.

Njëra nga gratë e intervistuara, emri i së cilës u ndryshua në Rebeca në raportime, tha se ai e thërriste rregullisht në dhomën e tij në fund të ditës dhe e prekte në mënyrë të papërshtatshme me duar, pa pëlqimin e saj. “Ai më përdorte pothuajse çdo natë,” tha ajo. “Ndihesha si objekt, si skllave.”

Rebeca, e cila është domenikane dhe ishte 22 vjeçe kur ndodhën ngjarjet, gjithashtu pretendoi se Iglesias e kishte detyruar të merrte pjesë në marrëdhënie seksuale treshe me një tjetër punonjëse. Ajo deklaroi gjithashtu se këngëtari e kishte goditur me shuplakë në fytyrë dhe i kishte prekur organet gjenitale.

Gruaja tjetër, një terapiste fizike venezueliane e cila në artikull është quajtur Laura, tha se Iglesias i kishte prekur gjoksin dhe e kishte puthur kundër dëshirës së saj. Ajo shtoi se ai e kërcënonte vazhdimisht se do ta pushonte nga puna, kontrollonte sa ushqim hante dhe e pyeste se kur i vinte cikli menstrual. “Ai gjithmonë thoshte se isha e shëndoshë dhe duhej të dobësohesha,” tha Laura, duke përshkruar një mjedis pune me “abuzim të normalizuar”. Edhe pse ajo tha se shpesh i kishte refuzuar veprimet e tij seksuale, “kishte vajza që nuk mund të thoshin jo. Dhe ai bënte çfarë donte me to”.

elDiario.es dhe Univision, që e hetuan çështjen së bashku për një periudhë trevjeçare, deklarojnë se akuzat mbështeten nga prova, përfshirë fotografi, regjistra telefonikë, mesazhe dhe raporte mjekësore. Investigimi citon edhe ish-punonjës të tjerë të Iglesias që përshkruajnë një atmosferë kërcënuese dhe tepër stresuese për ata që punonin për të.

Është bërë e ditur se Rebeca dhe Laura kanë paraqitur një kallëzim penal më 5 janar kundër Iglesias për sulm seksual dhe trafikim qeniesh njerëzore pranë Gjykatës Kombëtare, e cila heton krime të dyshuara të kryera jashtë kufijve të Spanjës.

Një mik i vjetër i Iglesias, Jaime Peñafiel, i quajti akuzat “gënjeshtra absolute”. Një tjetër mbështetës, gazetari Miguel Ángel Pastor, tha se nuk kishte dëgjuar kurrë “asnjë sugjerim se ai mund të kishte kryer një akt të tillë”.

Megjithatë, ministrja e barazisë, Ana Redondo, tha se shpresonte që çështja të hetohej “deri në fund”. “Kur nuk ka pëlqim, ka sulm,” shkroi ajo në rrjetet sociale.

Biografi i Iglesias, Ignacio Peyró dhe shtëpia botuese e autorit, Libros del Asteroide, kanë reaguar gjithashtu, duke thënë se do ta përditësojnë biografinë e vitit të kaluar për të përfshirë akuzat. Ata kanë shprehur gjithashtu “mbështetje dhe solidaritet për viktimat”.