Vedat Muriqi është duke kaluar sezonin më të mirë në karrierë, pasi sulmuesi i Mallorcas ia ka dalë që deri në këtë pikë të sezonit të shënojë 21 gola dhe të asistojë një tjetër në La Liga të Spanjës.
Forma e mirë e 31-vjeçarit nga Prizreni nuk ka mbetur pa u vënë re nga gjigantët e Barcelonës të cilët kanë shprehur interes të shtuar për të marrë shërbimet e tij në fundin e sezonit. Me kontratë deri verën e vitit 2029, vlera e tij në treg është 4.5 milionë euro dhe Barcelona do ishte e gatshme për të ofruar dyfishin e kësaj shume.
Në një intervistë të fundit për 'Klan Kosova', Vedat Muriqi ka treguar edhe një prapaskenë të gjashtë viteve më parë. Në vitin 2020 ai kaloi nga Fenerbahce në Turqi te Lazio në Serie A për shumën e 21 milionë eurove, por para se të hipte në avionin që kishte destinacion Romën, gjigantët e PSG-së e kontaktuan dhe i kërkuan të bashkohej me ta pasi do plotësonin çdo kusht. Vetëm fjala e dhënë për drejtorin sportiv të Lazios atë kohë, shqiptarin Igli Tare, bëri që Muriqi të mos zgjidhte milionat e sheikëve dhe të luante për dy sezone jo shumë pozitive në Itali.
"Një sulmues kur nis dhe shënon shumë gola, ka shumë interes nga ekipet. Kur isha pjesë e Fenerbahces dhe më kërkonte Lazio, i kisha dhënë fjalën Igli Tares. Para se të hipja në avion, Paris Saint Germain i ka dërguar letër klubit turk dhe thoshin që janë të interesuar për mua. Morën edhe menaxherin tim dhe i thanë mos hipni në avion se kemi interes për Muriqin, do paguajmë çfarë do Fenerbahce dhe atë që doni ju.
Po flasim për PSG-në. Atë sezon kisha shënuar 17 gola dhe dhënë tetë asistime. Kjo histori ndodhi pak para se të hipja në avion për në Romë. Unë i kisha dhënë fjalën Iglit (Tares) dhe një shqiptar normal që e mban fjalën e vet, pa marrë parasysh që PSG është shumë klub i madh. Dhe thashë 'këtej është fjala'. E informuam Iglin për këtë gjë dhe i thamë të qëndronte i qetë pasi ne po nisemi për në Itali', tha Muriqi.
Për interesin nga Barcelona, Muriqi duket me 'këmbë në tokë' dhe vlerëson situatën, duke thënë se do bëhej shqiptari i parë nga Kosova që do bënte një kalim të tillë.
"Po flasim për Barcelonën, mund të konsiderohet si opsion. E kam biseduar dhe me bashkëshorten. Do Zoti shkon puna deri sa të zgjedhësh mes historisë te Barcelona për të qenë shqiptari i parë nga Kosova që po luan në këtë klub, apo për të ndenjur te Mallorca", u shpreh Vedat Muriqi për këtë temë.
Sulmuesi i Kosovës këtë sezon në La Liga ka shënuar vetëm dy gola më pak se ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe.
Komente








