GJEORGJI - Nga Batumi ku po mbahet Kampionati Evropian i Peshëngritjes, sportisti shqiptar Erkand Qerimaj ka 'shpërthyer' me akuza në drejtim të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke thënë se në këtë garë 'i është ngrënë haku nga juria'.
Sipas tij, në provën e shtytjes u penalizua nga juria, pasi gjithçka në ngritjen e 184 kilogramëve ishte e pastër dhe u konfirmua me tre flamuj të bardhë nga gjyqtarët, por që më pas u anuluan nga juria për 'një lëkundje minimale'.
"Në shtytje realizova 184 kg, provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anulojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim, është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Evropës", shkruan Erkand Qerimaj.
Më pas shkodrani flet edhe për mosreagimin e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke hedhur akuza për ta në lidhje me menaxhimin e fondeve. Qerimaj shton se mungon uniforma, mjekët dhe fizioterapistët.
"Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum", vijon ai.
Më pas peshëngritësi ngre pikëpyetje për menaxhimin e fondeve.
"Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve", shton shkodrani që tregon se sportistët përdoren si 'dekor për foto' kur marrin medalje.
Në kategorinë deri në 79 kilogramë, Qerimaj ngriti 152 kilogramë në shkëputje, ndërsa në shtytje nuk realizoi asnjë nga tre provat edhe për shkak të vendimit të jurisë, duke mos u renditur në dygarësh.
Nga ana tjetër, Briken Calja u shpall kampion Evrope në stilin e shtytjes. Calja, i cili garoi në kategorinë 79 kilogramë, ngriti 187 kilogramë në shtytje, duke zënë vendin e parë.
Përveç medaljes së artë në shtytje, Calja mori edhe medaljen e argjendtë në dygarësh. Në total, peshëngritësi shqiptar ngriti 340 kilogramë, vetëm 1 kilogram më pak se rusi Serobian.
Reagimi i plotë i peshëngritësit Erkand Qerimaj:
Sapo përfundova garën në Kampionatin Europian dhe këtë herë ama do flas pa filtra!
Në shkëputje realizova 152 kg dhe tentova rekordin e Europës me 157 kg. Isha shumë pranë. Në shtytje realizova 184 kg – provë e pastër, e dhënë me 3 të bardha nga gjyqtarët. Më pas, juria vendos ta anullojë për një lëkundje minimale. Ky nuk është thjesht një vendim – është një padrejtësi e pastër dhe e turpshme që i bëhet një sportisti në mes të Europës.
Por edhe më e rëndë se kjo është heshtja. Drejtuesit e federatës ishin aty, me lekët e taksapaguesve, dhe nuk patën as guximin minimal për të mbrojtur sportistin e tyre. Asnjë reagim. Asnjë protestë. Asnjë qëndrim. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por kjo është dështim.
Kur marrim medalje, jeni të parët për foto dhe deklarata. Kur ndodh padrejtësia, zhdukeni. Kjo është hipokrizi e pastër.
Jemi i vetmi ekip në Europë që dalim pa uniforma dinjitoze. Pa fizioterapist. Pa mjek. Pa asnjë standard bazë që çdo shtet serioz e konsideron minimum. Dhe pastaj flasim për “rrugën drejt Europës”? Kjo është skandaloze.
Fondet? Vijnë çdo vit. Askush nuk jep llogari. Askush nuk tregon ku shkojnë. Kam kërkuar auditim , zero përgjigje. Kjo federatë sillet si pronë private, jo si institucion që duhet t’i shërbejë sportistëve dhe trajnerëve.
STOP më me heshtje. BOLL më me abuzim. Sportistët nuk janë dekor për foto dhe propagandë, janë ata që mbajnë peshën reale të perfaqesimit Sportiv mbi supe.
Dhe kjo që po ndodh nuk është thjesht problem është turp.
Komente








