'Jusuf Arapët' e sotëm të Krorëzës

'Jusuf Arapët' e sotëm të Krorëzës

Plazhi i Krorëzës

U ndodha rishtazi në Krorëz, si shumë herë të tjera. E kush nuk e njeh këtë breg e plazh të dëgjuar, ku qindra turistë nisen me anije e skafe nga Saranda dhe kalojnë njëditë të bukur aty. Krorëza ka qenë shekujve pronë e fshatitShën Vasil, e mbrojtur me gjak nga sulmet e turqve tëdikurshëm dhe sejmenët e tyre, sikundër dhe nga lakmitarëtë tjerë të mëvonshëm. Si dikur Jusuf Arapi, gjysmë vëllai i Ali Pashë Tepelenës u ra tinëz në shpinë bregasve ditën e Pashkës së Gushtit dhe vrau, preu e dogji krejt fshatin më 1798, sipas Pukëvilit mbi 3000 vetë, ashtu dhe sot të tjerëJusufër e Arapër duket se po i afrohen këtyre brigjeve sihijenat. Janë hijenat e parave të mëdha, sepse ku bie erëparash aty janë dhe ato; derdhin jargë nën ombrellat e shtetit dhe hajnive të institucionalizuara me vendime qeverie dhe parlamenti. E kush nuk i qaset gjësë së bukur?! Krorëza është një bukuri e rrallë, si ajo vasha e dëlirë e plot hire. Të gjithë lëpihen për ta shijuar e kafshuar. Ekstazatprej hajdutësh, me fytyra piratësh a shtetarësh, e shohinbukurinë e mbetur të Krorëzës si të ishte një femër, qëçmend mishrat e tyre të kalbur nga epshet e pangopësisë. Ka ikur koha e kaçakëve me thikat nëpër dhëmbë, qërrëmbenin diku ndonjë dele dhe me të mbi kurriz merrnin vrap skërkave. Sot janë të tjerë “kaçakë”, kanë kolaterale bankare që të luan tepeleku i kokës, kanë fonde e fondacione, kanë fshatra turistikë, hoteleri e plazhe. “Maliqët” e tyre në tempujt e letrave të shtetit kanë kollare, kostume e makina të shtrenjta, mbajnë fjalime; s’kanëbërruca, as mbajnë iso me tojo-mojo duke pjekur mish qingji si te tabloja e Spiro Xegës për Shahin Matrakun. Këta janë kaçakët e rinj të kësaj kohe, që nuk pushon sëpjelluri hajdutë.

​Krorëza ka det, mal dhe plazh. Është si një “Trini e Shenjtë” e bukurisë. Mali sipër saj është i kredhur nëgjelbërim. Mbi masivin shkëmbor ngrihet stoik, por i plagosur, manastiri i njohur i Krorëzës. Në të djathtë ështëgjiri i mrekullueshëm i Kakomesë. Para disa vjetësh aty u përlesh lakmia e shtetit me vendosmërinë e niviciotëve për mos ta lënë atë bukuri që ta shqyente fund e majëkorrupsioni dhe paraja tinëzare. U gjakosën dhe u burgosën fshatarë dhe tani ajo rri e ngujuar në porta hapsanash tëkushedi se çfarë allishverishesh ende të pambyllura. Çakejt dhe hijenat janë aty, fshehur, pas portave të hekurta që nuk lënë këmbë njeriu të qaset. “Pronë e shitur”, thonë ca roje të paguar. Po kujt i është shitur? Si e ka emrin hajduti? Firmë e huaj është, oligark shqiptar, shtet, impakt politik, ujdi kusarësh? Cili është kontraktori e cili investitori? Kush na qenka ky Jusuf Arapi i ri? Shpesh them se ky palo Jusuf, evgjit e arap siç ka qenë dikur, nënkupton sot më së pari ligjin e mbrapshtë e bolshevik 7501. Të dy partitë e mëdha i hodhën firmat mbi defter që ky ligj i zi të bëhej, të dy “liderët historikë”, Fatos Nano dhe Sali Berisha, dalë nga po ai djep i komunistëve (hajde t’i quajmë të moderuar, pornë bulb qenë neokomunistë), shtrënguan stilografët dhe nënshkruan një akt përçarjeje, mërie e sherri të pashuar. Nëse në Shqipërinë e Veriut veproi parimi “sy më sy e gjak për gjak”, pra o të vras o më vret po më shkele tokën e gjysh-stërgjyshërve të mi, përkundrazi në Shqipërinë e Jugut, ca më keq në Bregdet, veproi parimi “shoh me sy e plas me zemër”. E kam fjalën për pronarët legjitimë që nuk morën asnjë centimetër tokë nga prona e baballarëve tëtyre, e gjyshërve, e gjakut, e historisë. Asnjë rrënjë ulli për mall nuk kanë, asnjë metër katror, asnjë shkëmb a sfakë. Asnjë. Dhe ky është një tmerr, që nuk mbyllet kollaj me ca vula e firma qeverish, të cilat shkojnë e vijnë. Është një nga dosjet e mëdha të krimit kushtetues që i është bërë vendit.Dhe për dreq, lidhet gjithëpo me atë parim, shpirt e atribut të mirënjohur të shqiptarëve: kusarinë. Po kush ështëkusari: fshatari, që iu dha toka e një tjetër fshatari, i cilikish shkuar në qytet apo e atyre që projektuan hajdutërinë e pritshme nesër. Nëna ime ka kohë që ka vdekur. Por kur shkoi një ditë për mall në ullinjtë e familjes së saj dhe donte të mblidhte ca kokrra për qejf e nostalgji, i folën që nga sipër: “Largohu andej, është toka ime ajo, janë ullinjtë e miata!”

​Çështja e pronave në Bregdet është një plagë qëdhemb. Kullon gjak. Gjithfarë hajdutësh, që s’kanëkurrëfarë lidhje me to, u janë avitur sot si tigrat, hijenat dhe gjarprinjtë. Figurat e “kafshëve” të egra që përdora nuk janë për folklor e mit, por një e vërtetë që shqyen. Ata duan t’i rrëmbejnë. Edhe bisedat e mia aty në Krorëz, venin nga venin dhe tek ato vëndthe të trashëguara sa dhe të bekuara nga të parët tanë, shkonin. Krorëza dhe rrethinat e saj janëpronë kolektive e fshatit Shën Vasil. Po pse nuk ua njohin fshatarëve ato toka, ato male e ato pyje, kur i kanë patur si mjete jetese tërë jetën e tyre; pse hedhin në sulmin e hajnisëgjithfarë nenesh të mbrapshta, pse nxjerrin bishta, pse duan t’i tjetërsojnë tapitë dhe kufinjtë e saj të pacenueshëm?Gjithfarë defterexhinj dhe u kërkojnë niviciotëve për Kakomenë ca letra bakalli, kur prona vetë është e paradhënë, e parashkruar, një realitet historik. Pse duhet tëvijnë të tjerët aty? Përse? Po me pronat e Shën Vasilit pse dridhen e spërdridhen, pse qisin kunja, pse sajojnë xhepa? Problemi është fare i thjeshtë. Dëshiron zhvillim turistik tëzonës, zotëri? Ok, bëj një plan rregullues dhe lëri pronarët historikë të ndërtojnë përputhur gjithë kritereve urbanistike, ndërsa shteti të investojë në infrastrukturën urbane. Ose-ose, nëse një firmë e fuqishme turistike kërkon të bëjë njëfshat turistik, si ta zëmë Zamir Mane në Palasë, bujrum, ejani, bisedoni me ne si pronarë, biem dakort për çmimet, ti kaq e unë aq, dhe ecim përpara. Por jo! Sepse ky lloj xhinsi do që t’i vjedh ato. Por ditë pas dite njerëzit binden gjithnjë e më shumë për pasurinë e tyre si mjete mirëqenieje dhe ekzistence tashmë. Dhe kjo vetëdije e re po sjell edhe reagime, që kur shkojnë mbarë e qetë shprehen në votë, porkur çizmja e hajnisë shkel keq e për dreq interesat e tyre jetike, nisin demostrimet, kundërshtimet, rebelimet... Njënga arsyet përse Fredi Bejleri fitoi në Himarë ështëpikërisht çështja e trajtimit të pronave, kthimi tek i zoti, ndalimi i rrëmbimit të tyre nga të ardhurit. A nuk ka hapësirë për rikonceptim këtu, për ndreqje gabimi! Parlamenti s’është një tabu, as mumu, por një organ ligjvënës që kur sheh se një gjë nuk ec por ngec, heq pengesat ligjore dhe i jep hapësirë lirisë.

​...Me mendime të tilla të zymta që silleshin në tru, doja të shkoja në manastirin e Shën Mërisë në Kakome.Qysh fëmijë e mbaj mend kishën e atij manastiri të vjetër. Imazhi i saj drithëron ende në mendjen time. Ishte e tipitme 3 absida, mure të latuar, e tipit kryq, e brendashkruarme kryq. Ajo u pikturua nga ikonografi i njohur MihalJerma më 1672. Bri saj ishte kisha e manastirit të shënMërisë së Krorëzës. Më ka bërë përshtypje naosi i saj indarë nga altari përmes një ikonostasi; ishte e llojit tëkishave sallë me kupolë. Qe pikturuar në vitin 1672 ngaikonografi Mihal Jerma. Sa shumë histori kam dëgjuar përmrekullitë e saj nga ata që ende i besojnë. Kishte një Bibëltë vjetër me kapakë floriri dikur ajo kishë; që mos ta vidhnin në rrëmetin që ndodhi pas vitit 1991, thuhet se e çuan në Greqi. Në atë kishë fshatarët e Shën Vasilit ishinmbledhur gjatë operacionit të qershorit 1944 dhe luteshinqë bombat e avionëve, gjylet e topave dhe plumbat mos t’ivrisnin fëmijët e tyre. Dhe kisha i kishte shpëtuar, i kishtefutur në gjoksin e vet, kështu besonin ata. Po unë çfarëbesoja vallë? Pse shkoja atje? Eh!... Sikur doja t’u thoshjaatyre mureve: “Shteti, që mendohet të jetë e drejta absolute e një populli, nuk na mbrojti. A na mbron dot ti, o Zot?!Këto troje duhet t’i marrim me forcë vallë, me atë pariminverior siç thamë ca më sipër: “O më vret o të vras, nëpronën e babës mos m’u qas?!” Apo ligji, e drejta, duhet t’ijapë ato prona që të shmang çdo konflikt, gjer dhegjakderdhjet e mundshme?

​Ky është një problem, që ngado e sido që ta kthesh, kullon qelb. Sepse vjen prej një ideje hajdute. Ne kemi mall për ato vende ende të virgjëra. Dhe tek u nisa me një grup miqsh nga gjiri i Marinës në Sarandë drejt Krorëzës, meraku ma bënte copë zemrën. Saranda po hapej. Ndiheshin trokëllimat e kuajve të rinj. Ja Heremecet e Nivicës, me siguri në një të ardhme të afërt do të shijonin dorën moderuese të urbanizimeve të pritshme qytetëse. Por ah! Ato troje s’dihej se në ç’duar hajdutësh të rinj do të binin, shfryja inatin unë. Qyteti po zgjerohej me shpejtësi. Një lagje e tërë, e quajtur “Baba Rexhepi”, mbi varreza, ishte mbushur me shtëpi të reja e pallate nga fshatrat e Labërisë. Njerëzit nuk mund t’i mbash dot nëpër skërka, lëvizja e tyre për një jetë më të mirë është tejet e përligjur. Mirëpo dikur ato troje e toka qenë të bregasve. Dhe këta nëse duan të ndërtojnë një shtëpi, s’e ndërtojnë dot. Vallëduhet ta grabitin tokën si ata katundarët e ardhur nga fshatrat e Labërisë, apo të respektojnë një ligj që i ka bërëlëmsh marrëdhëniet pronësore? Ligji i Maliqit. Mesa duket duhet ta grabitësh me forcë diçka, kundër ligjit të shkruar a të “parashkruar”. Ligjin e më të fortit...

​Ja, këto mendime më vejevinin në kokë teksa barka lëvizte bregut shkëmbor mbushur me gjire të vegjël, pllaka dhe një bimësi mesdhetare: lisa, valanidh, sfakë, gjineshtër, mëlqinja, shqope, prralle, halore. Po kthehesha. Sërish mëdoli gjiri i mrekullueshëm i Kakomesë, ku zbarkuan anglezët nën komandën e djalit të Çurçillit. Krorëzën e lamë pas... Krorëza, ky plazh i virgjër, uji i kthjellët, i pastër, aq sa ta pije. Një gjith’ deti i rrethuar nga shkëmbinjtë. Një tjetër anije vinte nga Saranda e mbushurplot me plazhistë. Zhurmonin gjithandej zëra të rinjsh. Dhe të qeshura pa pushim. Muzikë. Doja sërish të hyja në ujë. E njihja detin. Ia njihja shijet. Edhe huqet. Kësaj here ai kishte dallgë. Sikur mbante mëri me mua. Me të gjithë ne.Më merrte me vete dhe më përplaste zhavorrishtes si për tëmë thënë: “Ej, miku im i vjetër, unë jam det i egër, s’jam i butë si ti, nuk e ul kurrizin aq kollaj sado fshikuj të bien mbi mua. Ju jeni bërë si pulat. Fryma e të parëve tuaj ka vdekur. Më kanë hipur nervat me të gjithë ju. Po të marr me dallgët e mia dhe po të vërvit bregut. Zgjohu! Pse jeni kaq të tulatur? Boll masakër mbi tokat e të parëve tuaj kanëbërë! Çohuni! Siç po bëj unë, edhe ju mos e ulni kurrizin. Ky plazh është i juaji, jo i të tjerëve, që ia kanë vënë syrin. Edhe unë jam i juaji, jo i të tjerëve. Mos më dëshpëroni mëtepër! Tunduni! Kërkoni të drejtën tuaj. Me ligj, jo me “Maliq”...”

​Nuk e duroja dot fshikullin e dallgës. Doja të zhyteshamenjëherë nëpër të, të mbulohesha nga shkuma e detit dhe mendimet të më merrnin tjetër udhë. Ta merrja gjithë kënaqësinë e tij, shijen e kripës dhe ta fusja nën lëkurë. Sashije të mirë ka deti! Por hajnitë kanë shije tjetër, e dija. Po shteti im dhe e drejta çfarë shijesh kanë vallë?!...

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Himarioti: 03/09/2023 09:47

    Shume i nderuar profesore, bravo! Shkrim brilant

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja