Juve e nis frikshëm Seria A, Atalantën e nderon dështimi i Milanit! Ngecin Roma dhe Lazio, Ramadani debuton me fitore (VIDEO)
Juventus e ka nisur me marshin e pestë sezonin e ri në Seria A, pasi ka mposhtur për 45 minuta 3-0 Udinesen. Fitore mori edhe Atalanta falë Charls de Keteleare, ndërsa dy skuadrat e kryeqytetit Roma dhe Lazio u ndalën që në nisje.
Redaksia 21 Gusht 2023, 09:51 | Përditesimi: 21 Gusht 2023, 12:23
Juventus e ka nisur me fitore bindëse sezonin e ri në Seria A. Bardhezinjtë kanë kaluar lehtësisht 0-3 Udinese-n, falë dy lojtarëve të cilët janë përfolur shumë për t’u larguar në këtë merkato vere. Chiesa-s iu deshën vetëm 2 minuta lojë për të zhbllokuan shifrat, ndërsa pa kaluar shumë Vlahovic dyfishoi me penallti. Të dy lojtarët teksa festonin golat kërkuan me gjeste që të heshtnin kritikat. Një sinjal që tregon se gjithsesi duan të qëndrojnë bardhezi. Sa i përket lojës po brenda pjesës së parë Rabiot vulosi shifrat përfundimtare duke realizuar me kokë.
Fitore në ndeshjen debutuese të sezonit ka marrë edhe Atalanta, duke mposhtur 0-2 Sassuolo-n. Protagonist absolut ishte Charls de Kataleare, futbollisti i blerë vetëm pak ditë më parë nga Milani, i cili realizoi në minutën e 83 ndërkohë që ishte futur si zëvendësues në pjesën e dytë. Ky ishte edhe goli i parë për belgun në Seria A, pasi sezonin e kaluar nuk realizoi asnjëherë me fanellën e Milanit.
Sakaq gjërat nuk kanë shkuar mirë për dy skudrat e kryeqytetit. Roma barazoi 2-2 me Salernitanën edhe pse kaloi e para në avantazh. Një super Candreva i miqve realizoi ‘dopietë’, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe Bellotti nga ana tjetër. Më keq akoma e pësoi Lazio, që pavarësisht se realizoi e para Lecce e përmbysi 2-1. Në këtë ndeshje titullar për Lecce-n luajti mesfushori shqiptar Ylber Ramadani, i transferuar në Seria A këtë verë nga Aberdeen.