Juventusi është i papërmbajtshëm pasi ka arritur që të fitojë ndeshjen përballë ekipit të Lazios në transfertë me rezultatin 0-2 duke prekur titullin kampion për herë të dytë radhazi. Bardhezinjtë kanë realizuar një super ndeshje duke e kthyer në formalitet 90' minutëshin.“Zonja e Vjetër” pasi u eliminuan nga Liga e Kampioneve, arriti të triumfojë ndaj ekipit të Lazios në stadiumin olimpik të Romës, ku luan dhe mesfushorit shqiptar, Lorik Cana. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë ajo që ka dhuruar shumë emocione, spektakël dhe gola, pasi pjesa e dytë ka qenë thjeshtë në mbrojtje të rezultatit të arritur në 45' e para.

Pas një loje të bukur dhe pasime të sakta, Juventusi kalon në epërsi me një penallti, të cilën e shndërroi në gol mesfushori kilian, Arturo Vidal në minutën e tetë të ndeshjes. Lorik Cana ndërhyri në mënyrë gabuar brenda zonës së rreptësisë ndaj sulmuesit malazez, Mirko Vuçiniç, ndërsa mesfushori shqiptar është ndëshkuar me kartonë të verdhë. Kur pritej të reagonte ekipi vendas, Juventus arriti të siguronte epërsinë në dy gola. Përsëri Arturo Vidal shënoi gol në minutën e 28' të ndeshjes duke vulosur përfundimisht rezultatin e ndeshjes. Pas këtyre tre pikëve të reja, Juventusi thellon distancën me vendin e dytë të renditje, përkatësisht ka 11 pikë më tepër se Napoli, i cili gjashtë xhiro para përfundimit të kampionatit italian ka 63 pikë. Pas ndeshjes trajneri i ekipit të Juventusit Antonio Conte është shprehur mjaft i kënaqur me rezultatin dhe lojën e ekipit të tij duke e vlerësuar atë maksimalisht.

"Prisnim që të ishte një ndeshje më e vështirë, pasi Lazio ka treguar se është një kockë e fortë këtë edicion. Megjithatë rezultoi se ishte më e lehtë nga se pritej. Pas fitores jemi pranë titullit kampion, të cilin e kemi merituar plotësisht" përfundon Conte. Ndërsa trajneri i Lazios Petkovic është shfaqur i zhgënjyer duke mos e pranuar rezultatin. "Prisja më shumë, ndoshta një barazim, por ekipi nuk ishte në gjendje të mirë psiko-fizike, kjo edhe për meritë të ekipit të Juventusit' përfundon Petkovic. Lazio rrezikon seriozisht pjesëmarrjen edicionin tjetër në Ligën e kampioneve pas këtij rezultati negativ që morën përballë Juventusit.



Dylber Balla