Juventus dhe PSG i janë bashkuar ekipit të Realit dhe Borusias në fazën e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Juventusi, pasi ka siguruar një fitore të thellë dhe surprizë në ndeshjen e parë në Skoci përballë Celtic ka lujtur i qetë në Itali duke mos u tensionuar për rezultat dhe luajtur lirshëm në fushë. Të besuarit e trajnerit Antonio Conte, pavarësisht se kishin hipotekuar fitoren kanë zbritur në fushë për të marrë pikët e plota me qëllim argëtimin e tifozëve në stadium dhe për të ruajtur formën. Ndeshja ka nisur e fortë për ekipin e Contes që sulmon nga minuta e parë me Matrin, i cili është kthyer në lojtarin gol për bardhezinjtë.

Matri në minutën e 24’ të ndeshjes ka arritur që të zhbllokojë shifrat duke shuar përfundimisht shpresat e skocezëve se mund të befasonin në Torino. Goli mbyll ndeshjen, ndërsa Juve nuk kënaqet dhe kërkon golin e dytë, megjithatë pjesa e parë përfundon në avantazh minimal. Në fraksionin e dytë të ndeshjes është Kualiarela që dyfishon rezultatin në 2-0 për ‘Zonjën e vjetër’. Ndërsa ndeshja tjetër e natës së mbrëmshme mes ekipit të PSG dhe Valencias ka qenë më emocionuese, pasi kualifikimi ishte i hapur për të dy ekipet deri në minutën e fundit, madje ekipet mund të shkonin edhe në kohën shtesë. Megjithatë barazimi 1-1, pas fitores 1-2 të PSG në Spanjë iu ka dhënë të drejtën franceze për të vazhduar më tej në çerekfinale.

Pjesa e parë mes dy ekipeve ka përfunduar në barazim pa gola, ndërsa në fraksionin e dytë të ndeshjes është ekipi spanjoll që shënon i pari duke vendosur heshtjen në stadium dhe rikthyer fantazmat e skualifikimit, por të besuarit e Ancelotit edhe pse nuk kishin në fushë Ibrahimovic-in, gjejnë golin me Lazecin. Tani priten edhe katër çerekfinalistet e tjera që do të vendosen javën e ardhshme, pretendet janë Milani, Malaga, Bayerni dhe Gallatasaray. Megjithatë Barcelona nuk e ka thënë fjalën e fundit në ‘Camp Nou’.




Dylber Balla