Pas dështimit të “revolucionit” të radhës në Torino, drejtuesit bardhezi përgatiten për një tjetër epokë në stolin e Juventusit. Emri më i përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës është Luciano Spalletti, ndërsa në listë mbeten edhe Raffaele Palladino dhe Roberto Mancini.
“Revolucioni” i nisur me Igor Tudor ka marrë fund më herët se pritej. Rezultatet e dobëta dhe mungesa e një identiteti të qartë në lojën e Juventusit kanë detyruar drejtuesit e klubit torinez të ndërpresin bashkëpunimin me trajnerin kroat, duke hapur kështu garën për drejtimin e pankinës bardhezi.
Në krye të listës për pasardhësin ndodhet Luciano Spalletti, ish-trajneri i Italisë dhe fitues i “Scudetos” me Napolin. Sipas mediave italiane, Spalletti është në “pole-position” dhe pret vetëm një sinjal nga Juventusi për të nisur menjëherë punën në “Continassa”. Pas zhgënjimit me kombëtaren në Euro 2024, trajneri 66-vjeçar kërkon një sfidë të madhe për t’u rikthyer në majat e futbollit italian dhe Juventus shihet si mundësia ideale për këtë rikthim. Për ta bërë këtë ka edhe një 'kleçkë', duhet fshirë tatuazhi me stemën e Napolit në parakrah pas fitores së titullit kampion.
Në të njëjtën kohë, Raffaele Palladino përfaqëson një alternativë reale. Ish-trajneri i Monzës dhe Fiores shihet si zgjedhje më e leverdishme ekonomikisht, në një periudhë kur klubi torinez po përpiqet të balancojë financat pas kontratave të rënda të Thiago Mottas, stafit të tij dhe vetë Tudorit.
Në prapaskenë, Roberto Mancini mbetet një emër prestigjioz në listë, megjithëse konsiderohet një opsion i vështirë për t’u realizuar në këtë fazë.
Ndërkohë, kalendari i Juventusit nuk pret. Udinese në mesjavë, Cremonese të shtunën dhe Sporting Lisbon pas një jave, tri sfida që mund të përcaktojnë fatin e sezonit. Drejtuesit bardhezi kërkojnë ta mbyllin çështjen e trajnerit sa më shpejt të jetë e mundur për të rikthyer stabilitetin në klub, të paktën në letër.
Sa i takon sfidës kundër Udines e cila luhet të mërkurën në orën 18:30, Juve i ka besuar trajnerit të NextGen, Massimo Brambilla.
Komente








