Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 muaj burg Ramazan Himën pasi ka kërcënuar me jetë avokatin e palës kundërshtare.
 
Hima, ka takuar në ambjentet e gjykatës së Tiranës avokatin Haqif Klosi,të cilit i ka kërkuar heqjen dorë nga çështja dhe mbrojtja e interesave të kundërshtarit të Himës në këtë proces.
 
Mirëpo avokati i ka pohuar se ai ishte avokat dhe se ishte paguar për ta mbrojtur.
 
Pas kësaj Ramazan Hima e ka kërcënuar avokatin që të hiqte dorë, pasi në të kundërt do tia priste kokat që të dyve.
 
Ngjarja ka ndodhur në maj të 2015 rreth orës 10:00 i pandehuri Ramazan Hima ka ndaluar të dëmtuarin Haqif Klosi në ambientet e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë para fillimit të seancës gjyqësore të parashikuar për atë ditë.
 
I pandehuri i është drejtuar me ton kërcënues duke i kërkuar avokatit që të hiqte dorë nga përfaqësimi në këtë cështje gjyqësore.
 
Edhe pse shtetasi Haqif Klosi e ka sqaruar të pandehurin se ai ishte avokat dhe detyra e tij është të mbrojë palën që e ka zgjedhur si të tillë,i pandehuri ka vazhduar të bëjë presion, madje duke u drejtuar edhe me fjalët “…do t’ju pres kokën të dyve…”.
 
I pandehuri ka qenë i shoqëruar edhe me disa persona të tjerë, familjarë të afërt të tij, të cilët janë afruar tek i dëmtuari por nuk kanë kryer veprime konkrete.
 
Pas kësaj situate, përfaqësuesit e Alban Bardhi nuk janë paraqitur në seancën gjyqësore duke njoftuar Gjykatën për ngjarjen e ndodhur,ndërsa i dëmtuari Haqif Klosi ka paraqitur edhe kallëzim penal pranë oficerëve të policisë gjyqësore.
 
Pas hetimeve të kryera gjykata e Tiranës pak ditë më parë ka dënuar me 3 muaj burg Ramazan Himën.
 
 


Redaksia online
(F.T/shqiptarja.com)