“Në rast se Korfuzi do të bjerë në duart e mia, nuk mund ta lë në ndonjë dorë tjetër të sigurt, se sa në atë të Ali Pashës”. (Napoléon à Tlleyrand, 19 qershor 1806. Correspondance, nr. 10378). Pasi u bë kjo deklaratë, Pouqueville-i gëzoi në oborrin e Janinës favoret më të mëdha: Pashai nuk e largonte më; nuk pushonte së foluri në prezencën e tij për llogari të Perandorit me entuziazmin më të madh: “Pse nuk rrjedh nga familja tënde, duhej të isha i krishterë!”, - thoshte ai duke admiruar një fotografi të Napoleonit që e mbante në duart e tij. Ai kishte plotësisht arsye që të tregohej mirënjohës kundrejt Perandorit, se në saje të përçapjeve të ambasadorit të Francës në Kostandinopojë, iu dhanë pashallëqet e Moresë dhe të Lepantes për djemtë e tij Muhtarin dhe Velinë.
Ali Pasha kërkon ndihma nga francezët me pretekst për t’iu bërë ballë rusëve (f. 63-67)
Në fund të muajve të vitit 1806, tensioni kishte arritur kulmin ndërmjet Francës dhe Rusisë, si rrjedhin i mosratifikimit nga Cari të Traktatit të Oubril-it, kështu që Aliu në këtë kohë e ndjeu rëndësinë e rolit që mund të luante. Një luftë e re po përgatitej të fillonte, në të cilën Napoleoni do të tërhiqte dhe Perandorinë Osmane. Nga çdo anë Turqia përshkohej nga oficerët e armatës së Dalmacisë, të cilët propagandonin dhe i shtynin kundër rusëve të gjithë pashallarët duke i inkurajuar për rezistencë, dhe i lajmëronin se së shpejti do të vinte gjatë Danubit një ushtri franceze e përbërë prej 25.000 ushtarëve. (Correspondance nr. 11729, 11734, 12276, 12277). Në Roustchouk, te Mustafa Bajraktari kishte vajtur adjutanti komandant Charoy-Bailleut; në Sistovo në armatën e Vezirit të Madh majori Poutin; kapiteni Bigex vajti në Widdin, ku adjutanti-komandat Mériage kishte ngritur në kryeqytetin e Passwan Oglou një qendër informative: së këndejmi iu dërgonte ambasadorëve në Vjenë dhe në Kostandinopojë dhe shtatmadhorisë në Zara lajme të sakta mbi përparimin e kryengritësve serbë njëkohësisht i informonte dhe mbi lëvizjet e armatave ruse në Moldavi.
Pashai i Janinës nuk mund të rrinte jashtë këtij aktiviteti. Ndihma në armë dhe municione i ishin dërguar sipas urdhrit të Perandorit ashtu edhe gjithë kryetarët boshnjakë ose shqiptarë, me të cilët gjeneralët e Dalmacisë ose edhe të Italisë ishin në marrëveshje. Në të njëjtën kohë Aliu u bëri kërkesa dhe mbretit të Napolit, nënmbretit të Italisë, kryekomandantit të armatës së Dalmacisë duke dërguar dhe agjentët e tij gjer në ambasadën e Francës që ishte në Kostandinopojë. Sebastiani, që ishte në atë kohë në kulm të veprimit të tij kundër anglezëve dhe rusëve, nuk mund ta priste pa qejf kërkesën e Pashait; ai menjëherë urdhëroi Marmont-in: “Ali Pasha, forcat e të cilit janë shumë të mëdha për t’iu rezistuar në brigjet e Epirit rusëve dhe miqve të tyre; i mungojnë gjylet e kalibrit dymbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, gjithashtu edhe baruti. Ju lutem që të bëni çdo gjë që është e mundur për t’i dërguar atij sa më tepër që të keni mundësinë, qoftë me rrugën e tokës ose të detit, dhe mundësisht i dërgoni atij ca oficerë të artilerisë”. (Sébastiani à Marmont, 28 janar 1807. Luc de Raguse, Mémoires, I, p. 93).
Por kërkesat e vazhdueshme të Pashait e mërzitën Perandorin: “Ali Pashai nuk ka nevojë për asnjë ndihmë, - i shkruante ai Marmont-it. - 2.000 ose 3.000 që janë në Korfuz nuk mundin ta sulmojnë në malet e tij. A do ai ca varele me barut, dhe ca gjyle? Juve mund që t’ia jepni”. Megjithatë Perandori pranonte që t’i dërgoheshin disa topa, municione dhe disa artiljerë. “Por nuk duhet të shkoni edhe shumë larg, duke i dhënë material. Ky njeri është fals”. (Correspondance, nr. 12664). Dy anije u nisën nga Napoli me katër topa, tremijë gjyle dhe njëzet topçinj nën urdhrin e Bourbaki-t, agjentit tonë në Qefaloni; kurse Marmont-i i dërgonte nga Raguza me anën e tokës, tetëmbëdhjetë topçinj me dy kaporalë, dy rreshterë dhe togerin Ponceton.
Komanda e kësaj dërgese së vogël i ishte dhënë një oficeri, karriera e të cilit është padyshim një nga më kuriozet ndërmjet atyre shumë ushtarëve të Perandorisë. Prej origjinës greke, Haxhi Nikolla Papa Oglou, pas një jete të gjithë aventurash, ishte admiral i flotës së Mamelukëve në çastin e ekspeditës së Egjiptit. Këtu e gjeti Bonaparti për ta bërë oficer francez dhe për t’i dhënë komandën e një legjioni grek, që u transformua në një batalion dhe u quajt “Chasseurs d’Orient”. “Ky lloj batalioni grek, që u dërgua në vitin 1806 në armatën e Dalmacisë, u prit jo me shumë kënaqësi nga gjeneralët tanë: ata habiteshin që gjenin në këtë batalion të përbërë prej nja njëqind vetave pothuaj aq oficerë sa edhe ushtarë. Por hovi dhe trimëria e këtyre “chasseurs” të Orientit, që bënë sulmin e Raguzës, i bënë që të çmonin dhe t’i nderonin.
Përgatitja për të sulmuar ishujt. Rekrutimi i ushtrisë dhe ushtria vullnetare e Ali Pashës (f. 67-73)
Gjenerali Marmont vendosi të rekrutojë në Dalmaci dhe në krahinat shqiptare të Turqisë një sasi njerëzish, të cilët të bashkuar me ushtarët e vjetër të Egjiptit, kështu mund t’i bënin “chasseurs-it e Orientit” një ushtri të rregullt duke i dhënë aspektin e një batalioni të rregullt.
Në Dalmaci rekrutimi i ishte besuar arkimandritit serb Gérasime Zellitch. Ky personalitet ka përshkruar në kujtimet e tij dhimbjen me të cilën ishte i detyruar të pranonte këtë mision për të shtyrë bashkatdhetarët e tij, të gjithë të kombësisë sllave, për të shërbyer nën urdhrat e një oficeri grek, duke refuzuar që të mbante shenjat ushtarake, të cilit deshën t’ia jepnin që të kishte më shumë autoritet. Arkimandriti i armatosur vetëm me kryqin e tij, “që ishte e vetmja shpatë që ai mbajti përherë”, përshkoi të gjitha krahinat, duke kaluar nga një fshat në tjetrin, duke predikuar nëpër kisha, duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij për të marrë pjesë në ushtrinë franceze, dhe u premtonte nga një flori të gjithë atyre që do të merrnin pjesë vullnetarisht në batalionin e gjuetarëve të Orientit.
Mbasi predikimet e arkimandritit Zellitch nuk patën ndonjë sukses të madh, duhej të gjenin një mënyrë tjetër për rekrutimin, dhe në kohën kur të dy oficerët e batalionit, kapiteni Nikolla Qiriako dhe togeri Gjorgj Lugra kërkonin vullnetarë midis popullatës shqiptare në afërsitë e Shkodrës, Marmont-i përfitoi nga nisja e ekspeditës së vogël për tek Ali Pasha, dhe i dha rastin shumë të favorshëm kolonelit Nikolla për të bërë rekrutimin në mes të bashkatdhetarëve të tij të Epirit.
Nikolla dhe fuqia e tij e vogël arritën në Janinë më 24 mars 1807, të cilët patën shumë vështirësi gjatë udhëtimit. (Pouqueville, në Voyage de la Grèce, t. III – përshkruan në faqen 178 udhëtimin e artiljerëve prej Raguze gjer në Tchaïnitza, dhe sipas raporteve të vëllait të tij Hugues Pouqueville, që i kishte takuar në Kuprulu, afër Kumanovës, ngjarjen e një zënieje ndërmjet ushtarëve të Nikollës dhe të popullatës shqiptare). Dy ditë më përpara anija “Le Requin” kishte sjellë në Prevezë ndihmat që ishin dërguar nga Italia. Më 25, Z. Turpin de Montigny, shkoi në Janinë i ngarkuar me një mision nga mbreti i Napolit, pak ditë më vonë arriti dhe koloneli i artilerisë Guillaume, (Frédéric-François Guillaume de Vaudoncourt, lindur më 1772, pas shumë fushatave të Rhinit dhe në Itali, ishte emëruar nga Bonaparti në komandën e artilerisë së armatës së Republikës cizalpine. Vërejtjet dhe shkrimet që janë bërë nga Vaudoncourt-i dhe që kanë shumë shënime interesante mbi Ali Pashën dhe për sa i përket ishujve jonianë, janë publikuar në anglisht në Londër, më 1816, me titullin “Memoirs od the Ionian Islands) dhe pastaj kapiteni i xhenios Palma (Sur Gaëtan Palma dhe harta e tij e Epirit e botuar në Trieste, më 1821).
“Duhet t’ju bëj të ditur, - shkruante konsulli ynë, - dhe që të njoftohen të gjithë oficerët e Madhërisë së Tij ose të mbretit të Napolit, se po vijnë në një vend ku nuk ka as hotele, as banesa. Duhet që të mbajnë nderin e emrit francez”.
Janina në këtë kohë paraqiste një gjallëri të veçantë. Në të njëjtën kohë që arrinin ushtarët tanë, vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë banda të uritura për grabitje, të cilat ishin tërhequr nga përgatitjet ushtarake të Pashait. Ky lloj mobilizimi, ishte për oficerët francezë një pamje kurioze: “Dy mijë shqiptarë që po vinin nga Dibra e Sipërme, - shkruante Pouqueville, - arritën në Janinë dhe do të bëjnë pjesë me divizionin e Nikopolisit. Çdo gjë është e egër ndërmjet këtyre njerëzve dhe besoj se do të jenë aq frikacakë sa edhe të padisiplinuar. Kavaleria e tyre, të cilën e çmojnë shumë për vleftën e saj, është gjëja më qesharake që mund të jetë në botë. Kuajt e disa kavalierëve janë fare pa fre dhe janë të armatosur krejtësisht ndryshe nga tjetri; disa kanë nga një shpatë ose një kobure, të tjerë nga ndonjë pushkë dhe ka disa prej tyre që presin të vdesë ndonjë shok i tyre që t’i marrin armët. Duke i vërejtur këto fise të shqiptarëve, unë vë re çdo ditë zakone dhe mënyra që duken të jenë të një jete tjetër. Këto krahina janë shumë më të huaja për Evropën se sa Afrika dhe nomadët e saj. Një gegë, një dibran është shumë nga neve sa edhe Beduini i shkretëtirave të Bakras”.
Nuk ishin vetëm këto banda të padisiplinuara që përbënin forcën e Pashait: kishte edhe ushtarë të mirë, të organizuar që ishin të përqendruar rreth Prevezës, ku prisnin gjithmonë çastin për të sulmuar ishujt.
Ndihma që po i jepej nga oficerët tanë i lejohej atij që të realizonte ëndrrën e tij grabitqare. I priti me kënaqësinë më të madhe. “Veziri, - i thoshte njëri-tjetrit, - më ka pritur kaq mirë sa nuk mund të shpresohej nga një turk. Ishte në sarajin, në një sallë me pasqyra, dhe përqark rrethuar me sofa mbuluar me lëkura tigri, mbi të cilat kishte edhe nja tetë lëkura të luanit, me një bukuri të jashtëzakonshme, dhe që madhështia ishte krejt një gjë e re për mua”. Me prezencën e Nikollas do të bëheshin edhe më të mira këto pritje. Në oborrin e Pashait të gjithë i njihnin aventurat e tij dhe prestigji që i jepte ky popullaritet shtohej edhe ca më tepër nga grada që kishte si kolonel në shërbim të Perandorit. Relacione më se miqësore u vendosën në mes të Aliut dhe këtij.
“Ushtarët e vjetër tregojnë ngjarjet e tyre, - thotë Pouqueville, - dhe ishte një kënaqësi e veçantë për Pashain që të dëgjonte kolonelin Nikolla, që fliste më të shumtat e gjuhëve orientale, kur i tregonte ngjarjet e aventurave të tij kur ishte pranë Sheh Daher, princ rebel i Palestinës, dhe ato të të famshmit Ali bej el Kébir të Egjiptit, tek i cili kishte shërbyer për shumë kohë me trimëri dhe besnikëri. Kalonte orë të tëra për ta dëgjuar dhe me vërejtje të madhe dëgjonte kur ky i tregonte me ç’mënyrë kishte shpëtuar bejlerët egjiptianë që Porta i mbante si peng, dhe marrëdhëniet e tij me admiralin Hasan Pasha, i cili nuk flinte veçse afër një luani të tmerrshëm, që i shkonte kurdoherë nga prapa si ndonjë qen. Koloneli i përshkruante të gjitha krahinat që kishte vizituar, që nga kampi i Beduinëve gjer te pallati i princave të Mamelukëve që sundonin atëherë si despotë në anët pjellore të Nilit”.
Në krye të pak ditëve, Nikolla u bë pothuaj Zot i Epirit; jo vetëm që Aliu e autorizonte të rekrutonte në vendet e tij “les chasseurs d’Orient” por i jepte edhe komandën e ushtrisë së tij.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com