Para disa kohësh  Qeveria Shqiptare në mbledhjen e organizuar me përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve në vend komunikoi vendimin e saj për krijimin e Këshillit Kombëtar Ekonomik bashkë me projektligjin e hartuar në lidhje me funksionimin e tij. Sipas platformës së publikuar ky Këshill do të shërbejë si një forum, ku do të trajtohen ankesat e sipërmarrësve në raport me administratën, qeverinë dhe në raport me të gjithë kuadrin legjislativ. Krahas Këshillit do të ngrihet dhe Sekretariati i Këshillit Ekonomik, në mënyrë që çdo sipërmarrës të ketë një komunikim të drejtëpërdrejtë, të hapur dhe konkret me qeverinë për të trajtuar problemet e çdo sipërmarrjeje. 

Kjo iniciativë ka një rëndësi të madhe, sepse përkon me përpjekjet e vendeve anëtare, por edhe jo-anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) gjatë dekadës së fundit për të institucionalizuar dialogun mes shteteve dhe bizneseve. Konkretisht, mbi 39 shtete anëtare e jo anëtare të OECD janë angazhuar për të venë në zbatim disa udhëzime të organizatës, të cilat synojnë të nxisin dhënien e kontributeve pozitive nga ana e shoqerive tregtare në progresin ekonomik, mjedisor e social si në rang kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Sipas udhëzimeve, një mjet efektiv për të përmbushur këtë qëllim është themelimi i Pikave Kombëtare të Kontaktit, të afta për të vendosur qeveritë në partneritet me sipërmarrjet, sindikatat dhe OJQ-të si edhe për të bërë të mundur, që veprimtaritë e sipërmarrjeve të biznesit të jenë në harmoni me politikat e shteteve ku ato operojnë, të ekzistojë besimi i ndërsjelltë shtet-sipërmarrje dhe anasjelltas, të përmirësohet klima e investimeve të huaja.

Duke krijuar Këshillin Kombëtar Ekonomik, Qeveria Shqiptare me shumë gjasa do të korigjojë përfundimisht edhe kontekstin e përgjegjësisë së shoqërive tregtare vendase e të huaja, e cila deri më sot konvergon vetëm në një formë përgjegjësie dhe konkretisht në përgjegjësi penale të këtyre të fundit. A mund të jenë partnerë të vërtetë shteti me bizneset, kur shteti nuk njeh qasje tjeter, vec “përndjekjes” së bizneseve, apo kur shteti nuk merr përsipër juridikisht asnjë detyrim dhe rrjedhimisht asnjë përgjegjësi për dështimet e veta në raport me biznesin? Përgjigja në këtë rast është evidente, JO! Në këtë kuptim ka ardhur koha, që nëpërmjet ligjit që do themelojë Këshillin Kombëtar Ekonomik, dhe më konkretisht, nëpërmjet funksioneve që do i besohen këtij Këshilli, shteti të mund të korigjojë edhe kontekstin e përgjegjësisë së shoqërive tregtare vendase e të huaja, duke e transformuar përgjegjësinë penale të bizneseve, në përgjegjësi sociale të tyre.

Koncepti i përgjegjësisë sociale të shoqërive tregtare (vendase e të huaja), tashmë është përpunuar plotësisht, jo vetëm nga OKB dhe OECD, por edhe nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropjan. Sipas këtij koncepti shtetet nxiten që me anë të ligjeve të krijojnë standarte sjellje të sipërmarrjeve për cështje të tilla të ndjeshme si: konkurenca, punësimi, marrëdhëniet industriale, korrupsioni, mjedisi, interesat e konsumatorit, shkenca dhe teknologjia, tatimet etj. Përgjegjësia për mosrespektimin e këtyre normave nga ana e palëve (aktorëve të biznesit, por edhe shtetit) për shkaqe të ndryshme, para se të bëhet objekt i shqyrtimit gjyqësor - sipas konceptit të përgjegjësisë sociale – do të mund të bëhet objekt i mjeteve alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve - në kuadër të Këshillave Kombëtarë Ekonomikë - si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi.

Të tilla mjete të rëndësishme, thelbi i të cilave është sheshimi i mosmarrëveshjeve dhe pajtimi i interesave të palëve (shtetit dhe biznesit) bën të mundur që shteti mos rrezikojë të humbasë partnerë strategjikë mes bizneseve, vendase e të huaja si dhe bën të mundur që bizneset, nga ana tjetër, mos dekurajohen, apo mos keqkuptohen dhe mos rrezikojnë interest e tyre për cështje, të cilat mund të gjejnë zgjidhje në një klimë profesionale dhe paqësore.

Ndonëse nuk kuptohet qartë nga platforma, besojmë se Këshilli Ekonomik Kombëtar do të forcojë besueshmërinë mes aktorëve të biznesit (vendas e të huaj) dhe autoriteteve shtetërore duke mbështetur veprimtarinë e Këshillit mbi parimin e transparencës, i cili parim kërkon që funksionimi i këtij institucioni të mund të kontrollhet prej Parlamentit dhe raportet periodike të tij (në vecanti standartet e zbatuara nga Këshilli për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve konkrete, rezultatet dhe problematikat) të mund të jenë lehtësisht të aksesueshme për bizneset, qeverinë, OJQ-të, sindikatat, dhe grupe të tjera të interesit.


Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com