BRITANI- Një kështjellë historike e cila i përkiste Henrit të VIII, ka dalë në shitje për rreth 3 milionë euro.

Ai e ndërroi kështjellën e quajtur “Westenhanger” në vitin 1523 për toka të tjera me Sir Edward Paunings, i cili kishte shërbyer si diplomat i Henrit të VII.

Në këtë kështjellë, Henri i VIII organizonte festa, mbante takime, si dhe takonte të dashurën e tij gjatë fundjavave, larg syve të grave të tij.

Kështjella e gjendur në Kent të Britanisë së Madhe, qëndroi si një pallat mbretëror deri në vitin 1581 kur Mbretëresha Elizabeta I ia dha Thomas Smythe. Ajo u ndërtua në vitin 1045.

Por tashmë Graham Forge, pronari i saj ka vendosur ta shesë atë. Ai thotë se Henri i VIII i bëri disa rregullime në kështjellë pasi i trembej një sulmi nga vendet e tjera.
Këto janë ato pak detaje që dihen për kështjellën, pasi shumë pak gjëra janë shkruar për të.

Familja Forge e bleu kështjellën nga Ministria e Transporteve në vitin 1996 për rreth 380 mijë euro dhe bëri disa restaurime të cilat kushtuan miliona euro, së bashku me “English Heritage”.

Prona ka tre dhoma gjumi, tre dhoma pritjeje dhe dy tualete.

Mirëmbajta e kështjellës kushton rreth 120 mijë euro në vit. Por kushdo do t’i paguante me qef ,pasi në këtë vend celebrohen të paktën 25 martesa çdo vit.

Redaksia Online
(Erin Dini/e.s/shqiptarja.com)