Mijëra komente mbushën faqet e internetit dhe blogjet pas intervistës së ambasadorit amerikan në emisionin Zonë e Lirë. Niste e thjeshtë të kuptohej si ishte pritur intervista nga qëndrimet e komentuesve, kryesisht anonimë dhe partiakë. “Presidenti i zgjedhur me 71 vota do të pranohej, por do të quhej një shans i humbur”, tha Arvizu. Pjesa e parë e fjalisë nuk u kishte pëlqyer opozitarëve, pjesa e dytë pushtetarëve. Vlerësimi për kandidaturën e Nanos gjeti komente negative , edhe nga mbështetësit e Ramës, edhe nga ata të Berishës. Këta të fundit ishin shumë të zemëruar që ambasadori kishte “ndërruar qëndrim”, pasi u shpreh kundër një presidenti të imponuar nga maxhoranca dhe skeptik për kandidaturën e Jozefina Topallit. Lufta kibernetike, që dominoi natën e së premtes dhe gjithë ditën e djeshme, konfi rmoi ndarjen e madhe të shkaktuar nga konflikti politik. Ndarja nuk mund të mos reflektohet në proçesin e zgjedhjes së presidentit që do të fillojë javës që vjen. Brenda parlamentit kanë filluar lëvizje të mëdha. Edhe deputetët e vetmuar tashmë ndiejnë të kenë rëndësinë e një partie politike, për shkak të ofertave që u vijnë nga të gjitha krahët. Presionet sa vijnë dhe shtohen mes partive të koalicionit jonatyral qeverisës, që mesa duket po shkon drejt fundit, Të gjithë faktorët, parlamentarë ose jo, janë kapur nga mania e protagonizmit. Pavarësisht thirrjeve për president konsensual që vijnë nga PS, LSI dhe parti të tjera opozitare, të gjitha palët po bëhen gati për një zgjidhje force, për sa më shumë numra, për të arritur kufirin “e pranueshëm” 71.
Prandaj ndodhi e pambrëmshmja. Ambasadori amerikan, duke ndjekur këtë lojë marramendëse pushteti, që i largohej çdo përfytyrimi apo precedenti, vendosi të flasë hapur. Më parë kishte sugjeruar një president sa më konsensual, në frymën e Kushtetutës. Deklaroi se do të ishte mirë që të gjendej një kandidat aq i pranueshëm sa të fitonte që në votimin e parë me tre të pestat e votave. Deri të premten, kur pa që askush nuk kishte ndërmend të dëgjonte sugjerimet, veçanërisht Berisha. Mesazhi ishte për kryeministrin sepse është iniciatori i prishjes së proçesit konsensual. Nëse nuk ishte kuptuar më parë duke folur teorikisht, Arvizu këtë herë zgjodhi të tregohej konkret dhe i thjeshtë: “Nuk duhet të zgjidhet një president me 71 vota, nuk duhet të jetë një president që sillet si ministër i Berishës, Topalli nuk mund të jetë se nuk është e distancuar mjaftueshëm nga kryeministri dhe asnjë kandidat pa integritet nuk duhet të ngjitet në krye të Shtetit”. Këto ishin piketat kryesore që shpëtojnë dështimin e procesit, sipas Ambasadorit. Këto piketa, nuk garantojnë vetëm pavarësinë e institucionit të presidentit, por të të gjithë institucioneve të pavarura që burojnë prej tij, që nga gjykatat, prokuroria dhe deri tek SHISH. Politikanët dhe militantët i mbështesin këto parime vetëm nëse u shërbejnë projektit të tyre afatshkurtër politik. Kështu janë trajtuar qëndrimet amerikane që nuk kanë munguar kurrë të jenë të qartë dhe të drejpërdrejtë në momentet më të rëndësishme politike. Këto qëndrime shmangën reagimin e ashpër të opozitës menjëherë pas shpërthimit në Gërdec për hir të anëtarësimit në NATO, këto qëndrime bënë që armët e ngritura në 21 janar të uleshin dhe vetëdija të ngrihej për të mos e thelluar konfliktin politik, këto qëndrime po tentojnë tani që Shqipëria të mos e humbasë edhe një vit shansin e integrimit në BE dhe të gjejë ekuilibrin politik në vend të acarimit të mëtejshëm. Këto qëndrime kanë qenë gjithmonë objekt diskutimi dhe sherri mes partive. Përkthimi i tyre me fjalorë të kuq ose blu është burimi i përçarjes së këtyre ditëve, por edhe të ditëve dhe viteve të mëparshme. Liderët politikë i quajnë qëndrime të qeverisë amerikane ato që u pëlqejnë dhe qëndrime personale të ambasadorëve të tjerat, ndërsa Arvizu nuk e ka për herë të parë që rrezikon të akuzohet duke folur hapur kundër interesit të politikanëve dhe pro interesit të shqiptarëve. Foli si presidenti që mungon. Ishte zëri i elitës intelektuale që nuk e kemi patur.