GREQI - Mesfushori i talentuar i ekipit kombëtar të futbollit, Ergys Kace ka mohuar cdo mundësi për një largim të mundshëm nga ekipi i PAOK në Greqi drejt Turqisë. Mesfushori ka deklaruar se nuk ka asnjë ofertë nga ekipi turk i Beshiktashit për t’u larguar nga PAOK. “Unë jam futbollist i ekipit të PAOK dhe do të vazhdoj që të mbetem këtu.

Nuk do të lëviz nga PAOK-u. Nuk kam asnjë ofertë dhe informacion nga Turqia në përgjithësi dhe Beshiktashi në veçanti. Jam lumtur në Greqi dhe do të vazhdoj të qëndroj këtu” deklaron ai. Pak ditë më parë u aludua se Beshiktashi kishte bërë një ofertë në ekipin grek që ka në pronësi mesfushorin shqiptar për ta pasur në gjirin e tij.

ERJON BOGDANI

Sulmuesi i ekipit kombëtar të futbollit Erjon Bogdani është kthyer plotësisht në qendër të vëmendjes së medieve pas problemeve me ligjet italiane për firmosjen e kontratave ku mendohet se ka abuzuar, por edhe për faktin se disa ekipe janë në garë për shërbimet e tij.

Pas përfundimit të kontratës me ekipin e Sienës në Seria A, Bogdani është vendosur në kërkim të një tjetër ekipi për të vazhduar karrierën në moshën 36 vjeçare. Në garë për sulmuesin janë disa ekipe në Seria B, ndërsa në Seria A për momentin sipas medieve italiane nuk ka asnjë të tillë.

Rikthimi i 36-vjeçarit në klubin nga Rexhio Kalabrias është shumë pranë. Sulmuesi pëlqehet sepse e njeh ambientin, meqenëse ka luajtur edhe në të kaluarën me këtë skuadër. 36-vjeçari e ka veshur fanellën e skuadrës nga Rexhio Kalabria tri sezone, kur ajo militonte në Seria A nga viti 2000 deri në vitin 2003, periudhë gjatë së cilës luajti 67 ndeshje në total, duke shënuar 11 gola.

SAMIR UJKANI

Portieri shqiptar me origjinë kosovare është një nga futbollistët e ekipit kombëtar të futbollit që është më në ‘hall’ se të gjithë të tjerët, pasi nuk është në planet ekipit të Palermos për edicionin tjetër.

Palermo po shikon mundësinë për ta shitur edhe gjysmën e kartonit që ka diku tjetër në një ekip të Serisë B, por më parë duhet edhe aprovimi i vetë futbollistit, cili nuk po kalon një formë të mirë prej dy vitesh, duke pësuar një rënie të lirë, pasi humbi vendin në kombëtare dhe problemet në Seria A.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)