Ka diçka që nuk shkon në jetën tonë

Ka diçka që nuk shkon në jetën tonë
Po, vërtet ka diçka që nuk shkon në jetën tonë. Kjo po shquhet akoma më mirë javët e fundit, kur pasojat e shpimeve për naftë në interes vetëm e vetëm të një kompanie private të huaj, siç është ‘Bankers Petrolium’, në kupë të qiellit ngritën dhimbjen e një komuniteti të tërë njerëzish të thjeshtë në Marinzë. Për vite me rradhë që nga 2004 - a e më pas, ata kanë jetuar më frikën e shpërthimeve në këmbët e tyre, me makthin se ndonjë natë shtëpitë do t’u binin mbi kokë në gjumin e trazuar.

Dhe për t’u mbyllur gojën, nga kompania private, madje edhe prej institucionit shtetëror i Sizmiologjisë dëgjohej gjithnjë e më dendur justifikimi, se kishin të bënin jo me vepra kriminale, por me tërmete natyrore. Deri sa erdhi një ditë që puset të villnin mbi tokë fontana nafte, gazi dhe uji të injektuar brenda tyre, aq sa jeta në atë zonë është bërë pothuajse e pamundur në një territor të infektuar.

Dhe përsëri, për të “qetësuar” revoltën e natyrshme të atij komuniteti njerëzish të thjeshtë, kompania private lëshoi garancitë, sipas të cilave, çlirimi i gazrave nuk ishte i rrezikshëm dhe uji - ëmbëlsisht i pijshëm. Pra, dëmit të madh nga ngitja në kult e interesit privat të ca të huajve, që i është shkaktuar jetës së një komuniteti të tërë, si edhe shtetit tonë për t’u përballur tani me ikjen nga sytë këmbët të këtij komuniteti, iu ngjishen edhe talljet. Talljet, që shtohen gjithashtu kur shtetit nuk i paguhen vijimësisht taksat apo tatimet dhe banorëve asnjë qindarkë dëmshpërblim.

Po të ishte kjo tablo e zymtë e vetmja që është ekspozuar në vendin tonë gjatë periudhës paskomuniste, fare mirë do të flitej për një aksident të një rasti të veçuar, pas të cilit mund të nxirreshin mësime dhe të korigjoheshin shumë gjëra për të ardhmen.

Por pa u munduar t’i thirret kujtesës, le të shohim ndërkohë “retë e kuqe” me të cilat gdhihet qyteti i Elbasanit. Megjithëse nga Ministria e Mjedisit urdhërohet që të pezullohet puna e Kompanisë metalurgjike turke, deri sa të plotësohen parametrat përkatës, ‘Kurum’ përsëri i vë gjatë natës në punë furrat e shkrirjes, pa aktivizuar filtrat e nevojshëm. Ose, ja edhe Bulqiza apo minierat e tjera të kromit në Martanesh dhe në Mat. Ndër vite e në vazhdim, çuditërisht pasuria e përbashkët e këtij populli u merr jetën njerëzve të thjeshtë të tij, duke lënë në varfëri të skajshme dhe në memorie të ndryshkur edhe fatin e familjeve të tyre.

Gjithçka nga sa u përmendën pak më lart, por edhe plot raste të tjera të aty - këtushme vazhdon të ndodhë, kur nën kujdesin e organiznave ndërkombëtare është botuar edhe në Shqipëri prej vitit 2004 “Libri i Bardhë për Përgatitjen e Vendeve të Asociuara të Evropës Qendrore dhe Lindore për Integrimin në Tregun e Brendshëm Evropian”, me qindra faqe.

Për plotësimin e rekomandimeve të këtij Libri, në vitin 2007 u hartua nga Qeveria shqiptare dhe u publikua prej saj “Plani Kombëtar për Zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2007-2012”, sikurse u hartua edhe një Plan Veprimi me mbi një mijë akte juridike, nga zbatimi i të cilave, zhvillimi këtu mund të kishte njohur kuota mjaft premtuese. Kuota të tilla, po të merret parasysh përmbajtja e këtyre dokumenteve: Politika Komunitare e Mjedisit me nivel të lartë mbrojtjeje; Legjislacioni i BE, midis të tjerash, edhe për luftën ndaj ndotjes së ajrit; Diraktivat për mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht të tokës; kuadri tekniko-ligjor për hidrokarburet; ai mbi kushtet dhe dhënien e autorizimeve për zbulimin, eksplorimin, prodhimin dhe eksportimin e mineraleve etj etj.

Të përqendrohesh në këto pak rradhë te përgjegjësitë e ish qeverisjeve dhe e personave të veçantë, për prapambetjen e rrezikshme që i shkaktuan dhe i lejuan ata këtij vendi, ndoshta do të ishte veçse sipërfaqësore. Përpos kësaj, mbase nuk ia vlen që në një artikull të shkurtër të mjaftohesh vetëm duke drejtuar gishtin te fajtorët, të cilët përpiqen të lajnë duart si Pont Pilati dhe, nëse lejoheshin, të vazhdonin me të njëjtin avaz.

Por, nuk do të ishte i tepërt këtu theksimi i atyre prirjeve që shoqëruan pa ndërprerje këtë prapambetje: admirimi i verbër ndaj tregut të lirë dhe i të gjitha paqartësive të tij; lehtësia për t’u shtrirë dorën pa pushim institucioneve bankare për kredi deri edhe me terma tregtarë, që nuk është e lehtë të shlyen; përçmimi i rëndësisë së sektorit publik; vegimi i një zhvillimi pa kufij. Këtyre në këtë çerekshekulli u është njohur çmimi, por u janë anashkaluar vlerat, duke vënë në piedestal interesin material dhe atë vetjak, aq sa disave u bëhej zemra mal, kur shihnin dështimin e shtetit në të gjitha rrafshet.

Ndonëse në vitet e para të këtij shekullit të ri, shteti i mirëqenies sociale nuk ka gëzuar kurrë më shumë se sa në të kaluarën një përqasje të veçantë nga përfituesit e tij, pra, kur në asnjë vend të botës zgjedhësit nuk kanë qenë ‘pro’ masave shtënguese ndaj sektorit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, të transportit publik apo të subvencionuar, të furnizimit me energji elektrike, si edhe të shërbimeve të tjera bazë, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, domethënë, një prirje që shkelte me këmbë çdo rregull, madje edhe atë të jetës.

Qeveritë e mëparshme më së shumti kanë rrahur gjoksin për zhbërrje të fuqisë shtetërore dhe për politika fiskale të zbehta, për kalimin e shumëçkaje që ishte arritur nga sektorët publikë në veprimtarinë e personave privatë.

Linjat hekurudhore që s’e patën këtë fat, në vend të modernizoheshin u shkatërruan edhe më tepër. Në drejtime të tjera, kur shteti ka shitur lirë vepra, vendburime, troje dhe shërbime sa për një krodhe bukë vetëm e vetëm për të mbajtur në pushtet klika të korruptuara, vetë shteti është ai që e ka pësuar shtrenjt: qeveritë që nuk duan të mbajnë mbi shpinë përgjegjësitë e misionit të shërbimeve publike, faktikisht braktisin tiparet themelore të shtetit modern. Në vijim, shumë më pak vlera përftohen nga mënyra e mbrapshtë e administrimit të një sistemi të rregullt të financave publike, çka nxit natyrshëm zemërimin e taksapaguesve.

A mund të vazhdohet kështu më gjatë? Edhe vendeve me ekonomi të zhvilluara dhe me institucione demokratike të konsoliduara, kriza e vitit 2008 ua bëri të ditur që armiku më i keq i kapitalizmit të pacak është vetë ai: herët a vonë do të bjerë viktimë e vetes dhe do të kërkojë shpëtim nga shteti.

Por, nga një shtet si ky yni, me financa të zbrazura apo defiçitare, vështirë të priten zgjidhje shpëtimtare. Sepse, në një vend si ky yni, edhe pasuria e përbashkët e lënë të shfrytëzohet - për më tepër pa kriter dhe as fare perspektivë - vetëm nga një grusht i vogël sipërmarrësish grykës, doemos që kthehet në një bumerang për njerëzit në masë, ashtu si edhe për shtetin. Në këtë kuptim, edhe ulja e nivelit të pabarazisë është përparësi e përparësive. Nëse ajo zë gjithnjë e më fort rrënjë, atëherë çdo gjë e mirë që do të synohej më vonë të arrihej, me gjasë do të bëhej pothuajse e pamundur.

Prandaj, një qëndrim kritik progresist ndaj zhvillimeve këtu është e domosdoshme që të përqendrohet te prania apo shfaqja e tërëllojshme e pabarazisë, që nga të drejtat më jetike të individit. Ndërkohë, pabarazia nuk është vetëm një problem që kërkon zgjidhje teknike.

Ajo nxjerr në pah dhe më tej thellon dobësitë e marrëdhënieve të mirëfillta shoqërore. Pra, ndjesinë e të jetuarit, në një bashkësi anëtarësh mëndjecekët dhe vizionngushtë, që ruajnë të drejta të posaçme vetëm për veten dhe të afërmit e tyre, ndërsa të tjerët nuk i kanë në refene dhe i konsiderojnë thjesht të pafat në jetë. Kjo patologji është cilësuar nga plot dijetarë të kësaj epoke në gjithë botën si kërcënim serioz që, veç të tjerash, lëndon organet jetike të cilësdo lloj demokracie.   

Aktualisht, mbase do të ishte e dobishme që të vritej më shumë mendja, se çfarë do të bëhet me rikonceptimin apo forcimin e rolit të shtetit në jetën e popullit. Qeverisja e Aleancës Progresiste në Shqipëri, në të vërtet po ndërmerr disa masa në këtë drejtim, kryesisht një reformë pensionesh, një farë zbehjeje të kontrasteve në sistemin e pagave etj. Por këto dhe të tjera reforma nuk mund të kenë jetë të gjatë pa e bërë shtetin një subjekt katalizor gjithnjë më efikas në shfrytëzimin dhe administrimin e pasurive të përbashkëta të popullit dhe në shërbimet publike për ‘të.

Domethënë, për shembull, që ta bëjë atë aksioner autoritar në privatizimet e reja dhe Palë dinjitoze në kontratat konçesionare, pavarësisht kërkesave të ngutshme dhe ofertave të mundshme për investimet e huaja direkte apo indirekte këtu. Më së paku, të jetë ai në gjendje për të kontrolluar nga afër shfrytëzimin dhe administrimin e kësaj pasurie, duke përfituar për interesin e përgjithshëm të ardhura edhe si dividente, por edhe si vjelje taksash e tatimesh. Nëse Pala tjetër ka, siç thamë më lart, afro një çerekshekulli duke përkeqësuar e rrënuar në mënyrë sistematike, shpresat për t’u bërë më mirë nuk mund të realizohen nga përmirësime të pjesshme dhe të përkohëshme të situatave të rrjedhura prej së kaluarës së afërt.

Prandaj, nuk duket fort e arsyeshme, as e dobishme, fjala vjen, ajo që deklaroi para disa ditësh Ministri i Energjitikës, sipas të cilit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk do të privatizohet këtë Legjistraturë. Por çfarë do të ndodhë pas dy vjetësh, do të ketë përsëri privatizim të këtij sektori jetik për tërë popullsinë?! Përse në një akt ligjor të fundit të hartuar nga kjo Ministri bëhej fjalë për shpronësime të përkohëshme, kur dihet që koncepti juridik i termit ‘shpronësim’ (sigurisht, për interes publik) kudo ka lidhje me vazhdimësinë, me të përhershmen?! E pra, nëse shmanget zelli për të ndjekur nga pas prirjet teorizuese, mundësia është më e madhe për të dështuar më pak në përsëritjen e gabimeve të së kaluarës.

Dhe, sikurse kanë treguar përvoja të vendeve të tjera, shoqëritë ku lejohet të sundojë pabarazia e theksuar, sidomos ndërmjet individëve të huaj apo vendas dhe shtetit nën juridiksionin e të cilit këta zhvillojnë veprimtari ekonomike, pa dyshim që janë të paqëndrueshme. Ato vuajnë pasojat e ndarjes së thekëshme dhe herët apo vonë bien në pellgjet e konflikteve me pasoja që zor se mund të kenë lidhje me demokracinë në zhvillim. Tek e fundit, nëse qëndron ajo që thoshte filozofi britanik Bernard Williams (1929 – 2003), se toleranca është e mbrojtur sot më shumë se kurrë nga “shpërfaqja e mbrapshtë e papranisë së saj”, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për çdo shtet që synon dhe propagandon rritjen e mirëqenies sociale.     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim