Presidenti Donald Trump njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Trump tha se agjencia globale e shëndetit kishte shfrytëzuar pandeminë e COVID-19-ës si dhe kriza të tjera globale shëndetësore.
Po ashtu sipas Trump OBSH-ja kishte dështuar të vepronte në mënyrë të pavarur për shkak të "ndikimit politik të papërshtatshëm të vendeve anëtare".
Më tej ai shtoi se organizata ka kërkuar "fonde të padrejta e të mëdha" nga SHBA-të, që ishin në disproporcion me shumat e ofruara nga vende të tjera të mëdha, si Kina.
"Shëndetësia botërore na ka rrjepur, të gjithë i kanë rrjepur Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk do të ndodhë më", tha Trump gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv për tërheqjen menjëherë nga organizata, pas betimit të tij për një mandat të dytë.
OBSH shprehu të martën keqardhje që SHBA mori vendim të heqë dorë nga roli i donatorit kryesor të organizatës.
“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara do ta rishqyrtojnë (vendimin) dhe shpresojmë realisht se do të ketë dialog konstruktiv për të mirën e të gjithëve, për amerikanët, por edhe për të gjithë njerëzit në mbarë botën”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasareviç.
Vendimi i marrë nga administrata Trump nënkupton se Uashingtoni do të largohet nga agjencia brenda 12 muajsh si dhe do të ndalë të gjitha kontributet financiare për të.
Shtetet e Bashkuara kontribuojnë 18 për qind të buxhetit që OBSH-ja merr nga të gjitha vendet, duke e bërë Uashingtonin kontribuesin më të madh financiar të organizatës. Buxheti më i fundit dyvjeçar i OBSH-së, për vitin 2024-2025, ishte 6.8 miliardë dollarë.
Largimi i SHBA-së ka të ngjarë të rrezikojë programet në të gjithë organizatën, sipas disa ekspertëve brenda dhe jashtë OBSH-së, veçanërisht ato që trajtojnë tuberkulozin, sëmundja infektive që shkakton numrin më të madh të vdekjeve në botë, apo programet që lidhen me sëmundjen e SIDË-s dhe emergjenca të tjera shëndetësore.
Urdhri ekzekutiv parashikon që administrata do të ndalë negociatat për traktatin e OBSH-së mbi pandeminë ndërsa tërheqja është në proces e sipër. Personeli i qeverisë amerikane që punon me OBSH-në do të tërhiqet dhe do të ngarkohet me detyra të tjera, ndërsa qeveria amerikane do të gjejë të tjerë partnerë për të marrë përsipër projektet e nevojshme që trajtohen nga OBSH-ja.
Po kështu në urdhër thuhet se qeveria do të shqyrtojë, shfuqizojë dhe zëvendësojë Strategjinë amerikane mbi Sigurisë e Shëndetit në rang Global për vitin 2024, sa më shpejt të jetë e mundur.
Pyetur mbi komentet e Trump ministria e Jashtme e Kinës tha në një konferencë të rregullt për shtypin të martën, se roli i OBSH-së në trajtimin e çështjeve globale që lidhen me shëndetit duhet vetëm të forcohet dhe jo të dobësohet.
“Kina do të vazhdojë të mbështesë OBSH-në në përmbushjen e përgjegjësive të saj dhe të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar mbi shëndetit publik”, tha Guo Jiakun, një zëdhënës i ministrisë.
Tërheqja e Trump nga OBSH nuk ishte e papritur. Ai ndërmori hapa të ngjashëm edhe në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë, duke akuzuar OBSH-në se kishte ndihmuar përpjekjet e Kinës për të "mashtruar botën" në lidhje me origjinën e COVID-19-ës, shkruan Reuters.
Megjithëse OBSH-ja e ka hedhur poshtë me forcë akuzën dhe thotë se po vazhdon t’i bëjë presion Pekinit për të ndarë të dhëna që do të ndihmonin për të zbardhur nëse pandemia u shkaktua nga kontakti i njerësve me kafshë të infektuara, apo rrjedhjes së virusit nga një laborator në Kinë.