Pas largimit të kapitenit të Fiorentinës, Riccardo Montolivo, në drejtim të Milanit, shiriti i kapitenit pritet t'i takojë mesfushorit kosovar Valon Behrami. Mesfushori është i adhuruari i tifozëve të Fiorentinës dhe është kandidati më serioz për këtë "gradë".

Vetë Behrami 27-vjeçar për "calcionews24.com" ka thënë se do ta gëzonte shumë nëse i besohet shiriti i kapitenit.

"Tifozët duan që unë të jem kapiten. Kjo më gëzon shumë me të vërtetë, por mendoj që Gamberinit do t'i takonte më shumë se mua. Do të shohim se çfarë vendimi do të marrë trajneri dhe shoqëria në klub", ka thënë Behrami. Ai te Fiorentina u transferua gjatë janarit të vitit të shkuar nga West Ham United.(rb/shqiptarja.com)