Meqë rradhët në vijim janë emërtuar me një konstatim të tillë, mbase ndokush mund të përdredhë paksa buzët, duke e quajtur atë paksa banal. Por, njëherësh, shumëkush mund ta kuptojë se, kur është fjala për të përmendur akte të dëmshme ndaj një njeriu të vetëm, ndaj një familjeje të njohur dhe ndaj tërë shoqërisë, që autorët, frymëzuesit dhe mbështetësit e tyre përpiqen t’ua adresojnë të tjerëve, atëhere emërtimet banale për ‘ta as nuk mjaftojnë, as nuk teprojnë. Prandaj, përvojat e hidhura dhe të përçmuara u kanë vënë në gjuhë shumë popujve disa thënie me vlerën e aforizmave, si ajo nga e cila u përshtat edhe titulli i mësipërm.

     E pra, siç u mësua këto ditët e fundit, pak përpara se sa të gdhihej plotësisht e marta e kësaj jave, në një farmaci dhe në një apartament pranë Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë ishin vënë kallëpe tritoli, që shkaktuan shpërthime të fuqishme, të cilat arritën të bëjnë dëme materiale.

Shqetësimi i përgjithshëm vazhdoi të rritej kur u mësua se lëndë eksplozive ishte vënë edhe shumë pranë një stacioni të një linje urbani po në Kryeqytet Por, çka tërhoqi edhe më tepër vëmendjen e të gjithëve brenda dhe jashtë vendit ishte lajmi tashmë i konfirmuar plotësisht, sipas të cilit, farmacia  dhe makina që parkohej pranë stacionit të autobuzit ishin në pronësi të babait të Ministrit të Brendshëm, dhe tritoli qe vënë nga e njëjta dorë. Shkurt, këto ishin njoftimet e para të kronikës më të zezë se sa ajo natë dimri, që pushtoi të gjitha mediat tona.

     Tek kanë kaluar veçse dy ditë që prej këtyre ndodhive, natyrisht nuk duhet shumë mund për të kujtuar qëndrimin e mbajtur prej opozitës politike flakë për flakë efekteve psikologjike të krijuara në popullatën e të gjithë vendit. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike akuzoi për këto raste vetë Ministrin e Brendshëm për lidhjet e veta me emra të njohur të botës së krimit.

Prijësi de facto i kësaj Partie të shpartalluar dhe të rrëzuar nga pushteti u tregua edhe më i prerë, duke u shprehur, veç të tjerash, se: “Mëngjesi i tritoleve dëshmon edhe një herë, se në Shqipëri tritolin e kontrollon krimi i organizuar dhe me lehtësi godet kudo, këdo dhe në çdo skaj të vendit”, Po kështu, ai që ulet në poltronin e Kryetarit de jure të PD u hodh e tha, se i vetmi turp në këtë mes është lidhja e Tahirit me banditët.

     Se kush na i krijoi dhe i la trashëgim bazat e fshehta të tritolit, kush i inspiroi dhe po i përdor elementët e botës së krimit në rrugët regresive për vendin dhe për nevoja të destabilizimit të tij, kjo dihet nga pothuajse i gjithë populli. Por, shumica e tij e ka kuptuar, gjithashtu, edhe stilin e mënyrës së drejtimit në qeverisje dhe në opozitë të Sali Berishës, që “kopilin” e tij përpiqet t’ia lëshojë në prehër kundërshtarit politik edhe kur ky ishtë në opozitë, edhe tash që është në pushtet.

Pa u kthyer shumë në kohë, mjafton të sillet nëpër mend fakti që ishte po ky Sali Berishë që rreth tri javë të shkuara, ditën e 4 vjetorit të Masakrës së 21 Janarit, hasha i bëri urdhërat e veta për ekzekutimin e katër protestuesve të pafajshëm dhe plagosjen e disa të tjerëve, duke dalë nëpër ekrane dhe me paturpësi të pashoqe ia adresoi krimet e veta Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pikërisht këtij, që ndonëse i paralajmëruar nga Trupi Diplomatik i akredituar në Tiranë për mundësinë e përgatitjes së një atentati ndaj tij, nuk u tërhoq nga rradhët e bashkëprotestuesve të vet.

     Ja që të vërtetat e dëmshme vlejnë gjithmonë më shumë se sa gënjeshtrat, qofshin këto madje edhe të dobishme. U bë kaq kohë prej rrëzimit të Berishës nga pushteti, që ky të vazhdojë të lëshojë akuza me zë të lartë ndaj qeverisjes aktuale. Akuza që formulohen nga smira, më e pashërueshmja se sa çdo urrejtje, prandaj njerëzit kurdoherë janë këshilluar që t’i qëndrojnë larg, për të kursyer pasojat e rrezikshme të saj. Megjithatë, në rastin konkret është vështirë që të zërë vend kjo këshillë në shpirtin dhe mendjen e një të gremisuri, të cilin në buzë të honit e shpunë këmbët e veta.

Prandaj, edhe se në brendësi të vetëdijes e ndjen që nuk mund të nëpërkëmbet më, aq forcë e ka sa të aktivizojë gjithçka që i ka mbetur drejt realizimit të ëndrës për t’u rikthyer majë piramidës shtetërore. Ose, së paku, për të mos pritur ndëshkimet e merituara nga aktet e fëlliqura që ka ndërmarrë. Kështu, i vetmi vegim që i shfaqet është ai i dështimit të zgjedhjeve për qeverisjen vendore dhe, menjëherë më pas, hamendja për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Mirëpo, kudo dhe kurdo është provuar që më i tmerrshmi i të gjitha vegimeve është ai që krijohet nga shpresat e vdekura.

     Me këtë gjendje mund të shpjegohen paraprakisht edhe aktet e fundit terroriste, që Berisha i kishte paralajmëruar prej disa muajsh, sidomos pas Marrëveshjes së arritur nga të dy krahët politikë në prani të dy të dërguarve të Parlamentit Evropian, për dhënien fund nga opozita të bojkotit të Kuvendit, kur Berisha hodhi përpara kamerave doza të forta dyshimi.

Menjëherë pas kësaj, nuk rreshtëte pa u shprehur pothuajse çdo ditë dhe pa asnjë argument, se Qeveria dhe Kryeministri Rama janë të lidhur ngushtë me krimin, se Ministri Tahiri është bërë streha e krimit të organizuar etj, etj. Me sa duket, “të jesh gjithmonë i ndershëm me veten është një ushtrim i këndshëm”. Dhe kjo këshillë e Doktor Frojdit (Sigmund Freud), duhet t’i ketë ngjizur më tepër se sa ndonjë tjetri këtu mjekut të dikurshëm Sali Berisha, i mbrujtur të jetë konsekuent në nxitjen e dhunës dhe trazirave, duke shprehur pa kursim antonimatin e atij profesioni.             


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)