Pas arratisjes nga Spitali Rajonal i Durrësit të të burgosurit Altin Ndoci, në burgun e sigurisë së lartë në Burrel është regjistruar një tjetër incident. Protagonisti kryesor kësaj here është Fatmir Pjetri i dënuar si pjesë e “bandës së babagjyshëve”, i cili ka publikuar në Instagram një regjistrim audio ku akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e kanë lejuar të promovojnë librin e tij më të ri.
Sipas tij, Drejtoria e Burgjeve nuk e ka lejuar të promovojë librin me titull “Jetë e guximshme”, me arsyetimin se përmban dhunë, skena erotike dhe përmbajtje kritike ndaj institucioneve shtetërore.
"Sot ishte dita më e lumtur e jetës sime sepse solla në jetë romanin tim të parë. Kisha programuar të bëj prezantimin e librit tek bashkëvuajtësit e mi, por drejtoria e përgjithshme e burgjeve e anuloi eventin me arsyetimin se libri promovon dhunën, ka skena erotike dhe flet kundër institucioneve qeveritare. Drejtoria e përgjithshme e burgjeve e paragjykoi librin tim vetëm nga kopertina. As që e morën mundimin ta lexojnë. Shkrimi është gjëja më e bukur që ka shpikur njerëzimi. Me anë të tij shprehim dashurinë, dhimbjen e mërzinë. Sado pengesa të vendosin në rrugën time unë do të ec përpara. Burgu ma mori lirinë por për asnjë moment nuk heshta. Fjalët e mia kanë forcën të arratisen nga ky burg e të shkojnë në veshët e secilit prej jush. Romani im është thjesht një libër, nuk është armë që rrezikon sigurinë publike. Mos e gjykoni këtë roman nga kopertina sepse nuk e bën petku priftin por është njeriu brenda atij petku" thotë ai në audio regjistrim
Vetëm pak minuta pas publikimit të audioregjistrimit, raportohet se Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë në Burrel ka urdhëruar një kontroll të imtësishëm në qelinë ku qëndron Pjetri. Autoritetet po verifikojnë autenticitetin e audio regjistrimit dhe mënyrën se si është bërë ajo.
Ngjarja vjen në një moment tensioni për të gjithë sistemin e burgjeve në vend, pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit.
Kush është Fatmir Pjetri
40-vjeçari është me origjinë nga Puka. Ai erdh në Shqipëri në vitin 2013 nga Greqia dhe më pas u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Sipas raportimeve, Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë në një kohë prej 3 minutash. Ky grup kriminal ka kryer disa grabitje që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër. Por grabitja që bëri më shumë bujë, ishte ajo që ndodhi në një qendër tregëtare në kryeqytet.
Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017.
Komente












