Kabinet i ri kardiologjie në Qendrën
shëndetësore të Specialiteteve Nr. 2 

Kabinet i ri kardiologjie në Qendrën<br />shëndetësore të Specialiteteve Nr. 2 
Qendra Shëndetësore e Specialiteteve numër 2 në Tiranë është pajisur me kabinet kardiologjie, në kuadër të plotësimit të 11 spitaleve dhe 3 poliklinikave në vend me të tilla kabinete.

Në inspektimin e bërë nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ai ka thënë se, tashmë banorët do të kenë mundësi që të marrin shërbim më të specializuar në fushën e kardiologjisë, ku vetëm në këtë qendër shëndetësore do të marrin shërbim 300 mijë banorë të kryeqytetit falë investimeve të bëra në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë.

Përveç ECHO-s kardiake, tashmë të paktën 7000 të pacientë të diagnostikuar me sëmundje kardio-vaskulare mund të kryejnë edhe provat ushtrimore dhe të ekzaminohen me Holter tensioni arterial apo Holter ritmi kardiak, duke ulur kështu radhët e pritjes për këto shërbime të specializuara pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” apo duke i dhënë fund mundimit dhe dhe rritjes së kostos së shërbimit për ata qytetarë dhe familjet e tyre që ishin të detyruar ta kryenin diagnostikimin në shërbimin jopublik me pagesë.

Beqaj u shpreh se ky është një shërbim shumë i domosdoshëm për pacientët me sëmundje kardiake, ndërsa theksoi se ai tashmë ofrohet pranë qendrave të tyre të banimit.

Jemi në vijim të plotësimit të shërbimit që ne ofrojmë në funksion të kujdesit Parësor shëndetësor, dhe sigurisht, përtej Mbulimit Universal, që fillimisht garantohet me ligj, është e domosdoshme që shërbimet bazë qytetarët t’i marrin sa më pranë vendbanimit të tyre, dhe sigurisht falas për ata që janë të siguruar padyshim, por edhe për ata që janë të pasiguruar, me tarifat e reja shumë më të ulta se më parë,”  u shpreh Ministri Beqaj.
 
Dhe kjo është e domosdoshme për t’i dhënë vijimësi edhe ‘check-up’-it apo programit parandalues, i cili tashmë prej një viti kryhet edhe në tre kabinetet përkatëse të vendosura në këtë institucion, - ku sot, një zonjë vinte për herë të dytë për ta kryer kontrollin bazë,” – tha më tej ai, duke theksuar se “pas ‘check-up’-it mjekët kanë sigurisht dyshime dhe është nevoja që ta plotësojnë kontrollin, dhe ne duhet që t’ju ofrojmë mundësinë qytetarëve që kontrollin ta kryejnë këtu duke vendosur pajisjet e nevojshme, dhe sigurisht, tarifat zero, apo ulja e tyre praktikisht në nivele minimale, t’i ofrojmë sa më pranë qytetarëve.
 
Nga ana tjetër kreu i shëndetësisë ka theksuar se falë Shërbimit të Provës Ushtrimore do të përmirësohet edhe diagnostikimi i sëmundjeve koronare, ndërsa nuk harroi të përmendë se futja e shërbimit të Holterave për patologjitë e tjera kardiake do të sjellë një ulje të ngarkesës së mjekëve të QSUT-së. “Si ky kabinet funksionojnë tashmë në të 11 spitalet rajonale të vendit, po vihen në punë në 4 qendra të specialiteteve që kemi në Tiranë, dhe është mishërim i angazhimit tonë për vendosjen e Mbulimit Universal, për kontrollin parandalues, por padyshim, edhe për fokusin më të veçantë që ka kujdesi për sëmundjet kardio-vaskulare, si grupsëmundjet me barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri,” – u shpreh më tej Beqaj.
 
Sa i përket rasteve të cilët marrin shërbim në këtë qendër shëndetësore, Drejtoresha e Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 2, Dr. Mirela Hasanaj, ka theksuar se gjatë muajve të fundit ka pasur rritje të numrit të pacientëve të cilët kanë kryer eko kardiake dhe kjo si shkak i rezultateve të kontrollit bazë. “Vetëm për këtë muaj, të dhënat flasin për 30 pacientë të referuar për ekzaminime kardiologjike pas kryerjes së ‘check-up’-it,” – u shpreh ajo, duke shtuar se “për provën ushtrimore të ngarkesë së zemrës kemi 2-3 raste në ditë të rekomanduara nga mjeku specialist kardiolog direkt nga ‘check-up’-i.
 
Nga ana tjetër Hasanaj ka theksuar se kjo poliklinikë  duke qenë pjesë e projektit pilot të “e-Health” nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë është përmirësuar gjithashtu komunikimi Mjek Familje-Mjek Specialist për të dhënat e pacientëve, të cilat ndikojnë në diagnostim më të saktë si dhe në kohë më të shkurtër  të patologjive si kardiake ashtu edhe të tjera të cilat ofron ky institucion. 
 
Qendra Shëndetësore e Specialiteteve Nr. 2  në ofron shërbime me mjekë specialistë të 16 specialiteteve për 8 Qendra  Shëndetësore të Tiranës dhe mbulon një popullsi prej afro 300 mijë banorësh.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë