Kabinet kardiologjie dhe në Kukës
Beqaj:Plotëson zinxhirin shëndetësor‏

Kabinet kardiologjie dhe në Kukës<br />Beqaj:Plotëson zinxhirin shëndetësor‏
Të sëmurët me probleme kardiake në zonën e Kukësit nuk kanë nevojë të shkojnë drejt Kosovës apo Tiranës për të kryer vizitat e specializuara, sepse duke filluar nga dita e sotme, në spitalin e këtij qyteti është vënë në funksionim Kabineti i ri i Kardiologjisë. Rreth 250 të sëmurë kardiakë në javë, që ishin të detyruar ta kryenin diagnostikimin në Tiranë, Kosovë, apo në shërbimin jopublik me pagesë, i jep fund vajte-ardhjeve, mundimit dhe rritjes së kostos së shërbimit për ta dhe familjes së tyre.

Gjatë një vizite që ka kryer në spitalin e qytetit verior, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka pohuar se ky shërbim do t’iu vijë në ndihmë rreth 25 mijë banorëve të qytetit por edhe zonave përreth. “Një kabinet i tillë është vendosur tashmë në çdo spital rajonal të vendit, dhe është në vazhdën e përpjekjeve tona për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor. Është një investim rreth 6 milionë lekë, me pajisje bashkëkohore, që i shërben banorëve të Kukësit, ku janë rreth 250 të sëmurë kardiakë që nuk do të duhen të shkojnë në Tiranë për të kryer provën ushtrimore, janë rreth 1,000 vetë që duhet të bëjnë ECHO-n e zemrës që nuk do të shkojnë më në Tiranë,” – tha ai.
 
Vetëm në dy vjet, 11 spitale rajonale në vend dhe tre poliklinika në Tiranë janë pajisur me kabinete të reja të kardiologjisë, një shërbim i munguar prej shumë kohësh për një nga sëmundjet me barrën më të lartë të sëmundshmërisë. Për drejtoren e spitalit rajonal të Kukësit, Hasije Zenelaj, kabineti i Kardiologjisë, i cili është pajisur me provën ushtrimore të ngarkesës së zemrës, me pasisje Holter tensioni arterial dhe Holter të ritmit kardiak, si dhe pajisja e re e ECHO-s kardiake, plotësojnë një nevojë për shërbimet kardiake që Kukësi e vuante prej kohësh. “Pacientët e këtij qyteti dhe kësaj zone nuk kanë më nevojë të shkojnë në Tiranë, pasi falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë, këto shërbime ofrohen tashmë në Kukës,” – u shpreh ajo.
 
Ndryshimi është i qartësisht i dukshëm, u shpreh mjeku kardiolog, Dr. Edvin Kovaçi, i cili sqaroi se një prej pacientëve të tij, e kishte rradhën e pritjes për të kryer stress-test-in, apo siç njihet ndryshe, provën ushtrimore të ngarkesës së zemrës, më datën 21 qershor në Tiranë, ndërkohë, që me kabinetin e ri dhe pajisjet e reja të kardiologjisë, ky pacient, do ta kryente provën ditën e nesërme.
 
Më herët kreu i shëndetësisë ka kryer një vizitë edhe në Qendrën Shëndetësore të qytetit ku ka parë nga afër se si kryhet kontrolli bazë tek qytetarët. Mjekët kanë informuar se gjatë një dite realizohen mesatarisht 7-8 kontrolle bazë, ndërkohë që numri i përfituesve në këtë qytet është rreth 6300 persona, të cilët i përkasin kategorisë nga 40- 65 vjeç.
 
Ndërkohë që, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë kryer gjithsej 898 kontrolle check-up për QSH-në Kukësit, “rreth 1,3% e rezultateve të kontrolleve në nivel kombëtar, kanë dalë pozitiv për ekzaminimin e feces gjak-okult,” – tha z. Beqaj, duke theksuar rëndësinë që po merr përditë kryerja e këtij kontrolli për moshat nga 40 në 65 vjeç.
 
Gjatë takimit me mjekët e poliklinikës dhe pacientët, ministri Beqaj ka sjellë sërish në vëmendje edhe përfitimet e tjera që kanë sjellë për qytetarët tarifat e reja të vizitave shëndetësore, por edhe ekzaminimeve mjekësore, të cilat janë ulur disa herë.
 
Qytetarja Aishe Llukovi, falënderoi Ministrin Beqaj për nismën e kontrollit bazë, duke u shprehur se zbuloi se vuante nga diabeti, vetëm pas kryerjes së check-up falas. Po ashtu, edhe znj. Fatmira Xhebexhia, u shpreh se u diagnostikua me hipertension pas kryerjes së këtij kontrolli shëndetësor, ndërkohë që të dyja banoret e qytetit veriori po ndjek mjekimin në qendrën e tyre shëndetësore. 
 
Në këtë Qendër Shëndetësore realizohen çdo vit rreth 33 mijë vizita, ku mesatarisht çdo mjek kryen 3300 deri në 3600 vizita. Ndërkohë që një numër të lartë kap edhe konsultori i gruas dhe i fëmijes duke ndjekur përkatësisht deri në 250 raste të reja në një vit kalendarik. Shërbimet në këtë qendër shëndetësore oforhen nga 9 mjekë të familjes, 1 mjek gjinekolog dhe 35 infermierë.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë