Kadare dhe disidenca te 
“Dimri i vetmisë së madhe”

Kadare dhe disidenca te <br />“Dimri i vetmisë së madhe”
Ndërsa na ndan vetëm një javë nga çmimi Nobel në letërsi, Shtëpia Botuese “Saras” ka hedhur në treg librin studimor “Intertekstualja dhe disidentja tek Dimri i Vetmisë së madhe” me autor , pedagogun e letërsisë Met Dervishi. I botuar në vitin 1973, së pari nën titullin “Dimri i madh”, libri do të ishte në fokusin e kritikave të kohës për devijim nga vija e partisë. Pas kritikave shkrimtarit Kadare i kërkohet që ta rishikonte. Pas heqjes dhe vënies së disa pasazheve të reja, Kadare e ribotoi librin nën titullin “Dimri i vetmisë së madhe”.

Studimi i Dervishit, i cili është i pari i këtij lloji në lëmin e studimeve, duke marrë në konsideratë vetëm një libër, kërkon të hedhë dritë jo vetëm mbi arsyet që çuan në ndalimin e librit më 1973-shin, por dhe në elementët disidentë që ndjeheshin brenda tij. Për redaktoren Alda Bardhyli, ky studim hedh poshtë të gjitha zërat e deritanishme, të cilat shpesh kanë kritikuar artet dhe letërsinë në vend gjatë komunizmit, si jo të afta për të prodhuar disidencë. “I kam lexuar të dyja variantet e “Dimrit...”. Pavarësisht temës që ky roman mbart, me këtë roman Kadare ka bërë një përballje të gati gati të pabesueshme me sistemin, duke patur parasysh rregullat e kohës. Nervi i disidentit shfaqet që në pasazhet e para, ku simboli i gjarprinjve që po pushtonin Parkun Arkeologjik të Butrintit, apo Plaka Nurihan që priste me padurim një zë përtej radios së saj të vjetër, ishin elementë në kushtërshtim me kodin socialist të kohës”, thotë Bardhyli.

Për të gjithë diskutimet mbi mungesën e disidencës në letërsinë shqipe bien. “Sigurisht që kjo disidencë nuk ka qënë e hapur, në një përballje të drejtëpërdrejtë me sistemin, por përmes librave që Kadare ka shkruar, të cilat dhe sot të befasojnë me kurajën që ka pasur”, thotë Bardhyli, duke shtuar se ishte e kotë të mendoje se një artist apo shkrimtar do ti kundërvihej direkt sistemit, pasi kjo mund ti kushtonte dhe jetën. “Diktatura shqiptare ka qënë nga më të egrat përsa i përket diktatit mbi artet. Megjithatë me Dimrin e Vetmisë së Mahde Kadare ka bërë një nga sfidat më të vështira që një shkrimtar i ish vendeve komuniste mund të ketë bërë, është përballur hapur ne një libër me tiranin e tij. Në këtë libër Enver Hoxha është një personazh, ndoshta ky është dhe fakti që shkrimtari i shpëtoi pasojave, duke pasur parasysh pasionin e diktatorit për shkrimin.

Ky ishte një rast që ai të bëhej i njohur në të gjithë botën, pasi në ato vite Kadare kishte nisur të përkthehej në Francë”, thotë Bardhyli. Në krahasim me veprat e tjera të Kadaresë, por dhe në krejt prodhimin letrar nën diktaturë, ky roman ka pasur një fat të veçantë. I botuar për herë të parë në vitin 1973, ai u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin, dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar.  Trukimi stilistik që i ka bërë Kadareja botimit të tij të dytë, do të meritonte një punim tjetër. Për Met Dervishin, ky roman është njëri ndër kulmet e Kadaresë.

“Në këtë roman kemi kristalizmin e plotë të dispozitivit të tij stilistik, që vepron në tekst me gjithë plotfuqishmërinë e tij sugjestionuese”, thotë ai. Fakt është që 20.000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës. Ky ka qenë një rekord i papërsëritshëm. Ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orekstruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studjues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propogandës komuniste. Dhe, gjithashtu për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë dhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani. 

Kjo fushatë do të mjaftonte për t’i vënë këtij romani kurorën e disidencës së letërsisë shqiptare, receptimi i këtij teksti pas rënies së diktaturës prodhon një paradoks. Në fillimin e viteve 90’ ky roman do të provojë periudhën e dytë të heshtjes ndaj tij. Më vonë, në debatet e gjera për disidencën shqiptare/pafuqinë shqiptare për të prodhuar disidencë, ky roman zë kryet e vendit. Në një ekstrem, për të ripohuar karakterin pllakatesk e propogandistik të saj, nga ekstremi tjetër për të provuar nëpërmjet tij kulturën e simulim-manipulimit, pra, për të vërtetuar dhe nëpërmjet tij që në kulturën shqiptare kemi simulim të disidencës , kur kemi pasur thjesht vepra pllakateske komuniste, por dhe manipulimin publik nëpërmjet këtij simulimi. Ky punim mëton t’i japë përgjigje dhe këtij paradoksi.  Nga vjen ky? Mos vallë është teksti që e shkakton këtë paradoks receptues?

Mirëpo, ndërkaq, si do të shpjegohej  receptimi refuzues dhe fushata kundër botimit të tij të parë? Apo, përkundrazi, kemi një debat që shmang  pavetëdijshëm raportet e drejtpërdrejta me tekstin duke dialoguar kësisoj me dekodimin komunist që iu bë këtij teksti  pas botimit të dytë, në përputhje me qëllimet e propogandës komuniste? Pra, në receptimin pas viteve 90’ të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, mos vallë kemi të bëjmë, në të vërtetë me një dialog me mënyrën se si e përvetësoi propaganda komuniste këtë tekst për qëllimet e saj? Libri ka katër kapituj. Në kapitullin e parë: Receptimi i tekstit  autori mbështetet në teorinë e receptimit të  Jauss Hans. Në këtë kapitull shqyrton receptimin e romanit në kohën e botimit, receptimin e tij pas ribotimit si dhe receptimin e tij në vitet pas rënies së diktaturës.              
                          
Në kapitullin e dytë: Tekst monologjik apo dialogjik/polifonik ai shqyrton dispozitivin stilistik të Kadaresë te “Dimri…”, gjegjësisht përkatësinë e tij stilistike.  Meqë Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, e studiues të tjerë, tek Joice etj., ai provon që, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Joice, Kadare është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij.  Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese.                                                                                      
    
Në kapitullin e tretë: Ideologjemat versus klisheve për herë të parë shqyrtohen ideologjemat e “Dimrit…” në raport me klishetë politike të diktaturës. Ky kapitull, në veçanti, është dhe guri i provës për karakterin disident/socrealist të tekstit. Gjatë analizës së ideologjemave autori provon disidencën politike të tekstit, madje mëtojmë se në tekst ka një Enver Hoxhë tjetër si personazh kundrejt Enver Hoxhës si diktator (Maska e Kadaresë). 

Në kapitullin e katërt :Hipoteksti/përbindëshi/ djali me yll në ballë, shqyrtohet hipo e hipertekstin, në përputhje me konceptin e Gerard Genette, etj. Nga analiza autori vërteton në tekst hipotekstin e kalorësit/djalit me yll në ballë që fluturon në strofullën e përbindëshit, etj.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato