Organizatorët e kësaj forme proteste janë Ndue Ukaj, Ardian Ndreca, studiuesi arbëresh Matteo Mandala, Lazer Stani dhe Majlinda Bregasi. Pak kohë më parë, Republika e Turqisë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë që librave shkollorë të historisë t’u bëhet një rishikim i kujdesshëm dhe që në pjesë të caktuara të tyre të bëhen edhe korrigjimet.
Kjo kërkesë është bërë duke pretenduar se është shtrembëruar imazhi i Turqisë në periudhën e pushtimit të Shqipërisë prej saj. Ky peticion iu është dërguar Presidentit Nishani dhe Presidentes Jahjaga, po ashtu Parlamentit, qeverisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Faktet historike dhe argumentet shkencore janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi. Ato s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme. Sidomos ku bëhet fjalë në marrëdhëniet mes një perandorie pushtuese dhe një kombi të pushtuar”, shkruhet mes të tjerash në këtë peticion.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)