Kadilli: Reflektimet që bëri Mark Marku për lënien e mandatit duhet t'i kishte bërë Basha, të mbante përgjegjësi dhe të jepte dorëheqjen! Nuk heq dorë nga përpjekjet për të marrë PD-në

Kadilli: Reflektimet që bëri Mark Marku për lënien e mandatit duhet t'i kishte bërë Basha, të mbante përgjegjësi dhe të jepte dorëheqjen! Nuk heq dorë nga përpjekjet për të marrë PD-në

Fatbardh Kadilli

Anëtari i kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli tha në një intervistë për Report Tv se reflektimet që bëri Mark Marku për të lënë mandatin e deputetit, duhet që t'i kishte bërë Lulzim Basha dhe se ai duhej të dorëhiqej. Kadilli tha se Basha duhet të kishte reflektuar arsyet pse gjërat nuk shkojnë mirë në PD, të kishte reflektuar përse kjo parti ka sot përgjegjësinë për të krijuar opozitën e re dhe si do ta krijojë këtë opozitë. Nga ana tjetër Kadilli tha se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike dhe se duhet që t'i propozojnë demokratëve platformën që ai ka shpalosur, manifestin, për ringritjen e PD-së.

INTERVISTA E PLOTË

Përshëndetje, zoti Kadilli!

Përshëndetje!

Për ta nisur në krye të herës, me një pyetje në fakt që lidhet edhe me zhvillimin më të fundit brenda PD-së ndërsa jemi në prag të këshillit kombëtar të selisë blu, ndërsa deputeti Mark marku kështu ka lënë mandatin e deputetit, ndërsa akuzon Bashën por edhe Berishën në të njëjtën kohë se po e përdorin partinë për interesat e tyre personale. Si ju duket kjo lëvizje e fundit e bërë nga Marku?

I mirëkuptoj arsyet që kanë shtyrë zotin Marku në një vendim të tillë, që është vendim drastik, i fortë, si për atë që e merr dhe sidomos për atë gjurmën, jehonën që ai krijon në mjedisin politik shqiptar dhe brenda PD-së në veçanti. Është një vendim i fortë, që në thelbin e vet ekspozon një krizë të fortë besimi që ekziston në PD, ekspozon demoralizimin e demokratëve për mungesën e lidershipit. Reflektimi i Markut është reflektimi në fakt i munguar i Bashës. Do të duhej që Basha, që në garën për kryetar partie, të kishte reflektuar arsyet pse gjërat nuk shkojnë mirë në PD, të kishte reflektuar përse kjo parti ka sot përgjegjësinë për të krijuar opozitën e re dhe si do ta krijojë këtë opozitë. Përkundrazi, nuk e gjejmë te zoti Basha, e gjejmë në mënyrë jo të merituar te zoti marku reflektimin. Përgjegjësitë i takojnë kryetarit të partisë për të mobilizuar, për të dhënë entuziazëm sepse nuk është normale që dhe një person si zoti Marku, që u afrua me bujë si një prurje, po themi, nga jeta më shumë publike sesa politike, pa kaluar disa muaj nga angazhimi, me gjithë enrgjitë e tij, ai largohet sepse në PD mungon komunikimi politik, mungon bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi, mungon partneriteti politik. Këto janë arsye më se të mjaftueshme. Personalisht, unë nuk e mbështes dorëheqjen si instrument në këtë rast. Dorëheqjen e mbështes vetëm në rastet kur njeriu ka përgjegjësi, prandaj iu referova krahasuar me Bashën. Ai që ka përgjegjësi jep dorëheqje, ai që nuk ka përgjegjësi duhet që të vazhdojë të luftojë, por është zgjedhja e zotit Marku.

Më shumë sesa një reflektim, e shikoni edhe si një guxim, zë kundër brenda PD-së dalë hapur kundër kreut të opozitës Lulzim Basha?

Patjetër.

Që ndoshta duhet bërë edhe nga të tjerë, pjesë e grupimit që dalin kundër dhe e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre.

Ka njëdallim. Dalja kundër nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete, duhet të ketë një qëllim më të madh. Pra, pozicionimi në kundërshtim me lidershipin politik aktual formal zotin Basha apo në kundërshtim me zotin Berisha, i cili po e mban peng PD-në me qëndrimin e tij, duhet të jetë një kundërshtim pa iu larguar PD-së, por duke ndenjur në PD. Megjithatë, unë e mirëkuptoj zotin Marku për largimin e tij. Kjo është një zile alarmi edhe njëherë, për të gjithë demokratët. Sot situata në PD kërkon që secili prej nesh t’i dalë zot PD-së, të mos presë nga lidershipi. Unë e refuzoj me forcë kulturën që të presim nga kryetari, të presim nga lidershipi. Secili mund të bëjë gjënë e tij, secili mund të marrë vendimin e tij, secili mund të shpallë qëndrimin e tij fort dhe me zë të plotë, që kemi për një opozitë të re, larg Berishës, larg Bashës.

Ju keni përgatitur një fjalim për të mbajtur në këshillin kombëtar të PD-së që pritet të mbahet ditën e hënë dhe çfarë propozoni?

Personalisht do të kisha dashur që këshilli kombëtar të kishte realisht një mbledhje, por mbledhja e parë që është ditën e hënë, është thjesht një mbledhje konstituuese, formale. Është formale sepse do të konstituojë nga ana formale verifikimin e mandatit, të zgjedhurin në këshillin kombëtar dhe do të zgjedhë forumet e reja, kryesinë, sekretariatin dhe departamentet. Pra, nuk ka një mbledhje të këshillit kombëtar për të diskutuar dhe debatuar. Në mungesë të saj, unë sot i shpalla edhe njëherë qëndrimet e mia, propozimet e mia, se si duhet të konceptohet dhe të drejtohet lufta për të krijuar një opozitë të re. Sot kam dalë edhe njëherë me ato që unë kam shpallur që me manifestin për ringritjen e PD-së, që kisha përballë demokratëve gjatë garës për kryetar, 5 sfida që rikthejnë opozitën në politikë. Janë 5 sfida shumë të rëndësishme sepse ato rikthejnë opozitën. Si e rikthejnë? Duke rishkruar edhe njëherë raportet e institucioneve, duke ribërë edhe njëherë institucionet mbi të cilat luhet politikë. Është e domosdoshme që ne të shpallim pa ekuivok si PD dhe është sfida jonë e parë, që të mbështesim reformën në drejtësi për të gjithë demokratët që mendojnë se drejtësia është e kapur. Ku do ta luftojnë korrupsionin? Nga foltorja e PD-së? Ku do ta luftojnë krimin? Me statuse në facebook apo duke provuar përditë me prova, jo me deklarata politike, para SPAK-ut, para BKH-së, çdo shkelje që ne arrijmë të kapim. Të mos përdoret lufta kundër korrupsionit si luftë politike, si retorikë dhe akuzë politike, por të përdoret realisht për të pastruar politikën. Sfida e dytë e rëndësishme: një kod i ri zgjedhor që të heqë monopolin kryetarit të partisë dhe t’i garantojë edhe garuesve të drejtat e tyre, por edhe votuesve se ai që voton duhet të zgjedhë se kush është deputeti, jo kryetari i partisë. Dhe kjo është sfida e dytë. Sfida e tretë: ne duhet të kemi, në mënyrë absolute dhe të qartë, një rishikim dhe balancim të kushtetutës sonë. Kemi një kushtetutë ku nuk merr vesh se ç’ndodh. Parlamenti hipën sipër presidentit, Ekzekutivi prodhohet nga Legjislativi, por në fakt prodhohet nga partia edhe Legjislativi edhe Ekzekutivi. Ne duhet ta rikonceptojmë kushtetutën tonë. Ne duhet t’i kthejmë sovranitetin qytetarit. Të bëjmë një ligj të ri për referendumet, që të ketë referendume reale, që shqiptari të mësohet të votojë dhe të marrë përgjegjësi për votën e vet, të dijë të sillet si opozitar konkurrues dhe të dijë të sillet i shumicë e përgjegjshme. Dhe vetëm referendumi është instrumenti që e fuqizon pjesëmarrjen e qytetarit dhe e bën demokracinë realitet. Këto janë sfidat që i përkasin një opozite: mbështetja për reformën në drejtësi, një kod i ri zgjedhor, balancimi i kushtetutës, referendumet dhe ndarje e re territoriale administrative. Në manifest e kisha vënë të parën sepse këtu ka filluar bojkoti absurd që ne i kemi bërë politikës, duke mos marrë pjesë në reformë dhe duke lënë që ndarja territoriale administrative të përputhet me strategjitë elektorale të PS-së dhe në atë kohë edhe të LSI-së dhe të PDIU-së, që sot i kemi ne aleate. Ndarja duhet të jetë që t’i shërbejë qytetarit. Këto janë 5 sfidat që nuk i takojnë vetëm PD-së, por çdo qytetari. Unë ia kam paraqitur PD-së, ua kam paraqitur demokratëve, por sot ato e kapërcejnë kufirin e PD-së. Çdo opozitar mund të bëjë opozitë.

Por ju në fakt, a besoni se kjo PD aktuale pra, do të reflektojë dhe do t’i zbatojë këto propozimet tuaja?

Asnjëherë nuk është vonë. Gjithkush është i ftuar që t’i bashkohet kësaj filozofie. Opozita e re duhet të ndërtohet mbi një filozofi të re dhe kjo filozofi e re e shkëput nga tradita jonë e derisotme që thjesht merremi me kundërshtarin, denigrojmë kundërshtarin, fanatizohemi duke adhuruar liderin dhe kjo çfarë bën? Na radikalizon dhe na zvogëlon krejtësisht. Ndërkohë ne duhet të jemi një lëvizje popullore dhe që të jesh një lëvizje popullore duhet të jesh një parti që je ftuese për këdo që e shikon veten në opozitë, për këdo që kundërshton këtë qeveri. Si mund të jesh ftues kur radikalizohesh dhe fanatizohesh pas Berishës? Si mund të jesh ftues kur bëhesh oportunist ndaj Bashës, duke shpresuar që të të hedhë kockën e radhës në këshillin kombëtar? Ndaj sot çdo demokrat ka përgjegjësi për atë që po i ndodh PD-së. Dhe nuk është vetëm Lulzim basha përgjegjës. Çdo anëtar kryesie, çdo deputet që do të marrë nesër mandantin në parlament është përgjegjës përballë të gjithë demokratëve që votuan, për t’i dhënë zgjidhje, për t’i bërë opozitë konkurruese, jo thjesht kundërshtues, jo thjesht refuzues. E përsëris, nuk luftohet korrupsioni me deklarata, as krimi. Luftohet me akt konkret. Nuk më vjen mirë ta pohoj, por ky është fakti. Pse akuza e zotit Murrizi u realizua dhe shkoi deri në shkarkimin e kryetarit të bashkisë dhe pse akuzat tona të përditshme në foltore nuk shërbejnë? Nuk dua të kujtoj larg, por po ju them që në vitin 2007 unë pashë se si zoti berisha akuzoi zotin Nano. Akuzat ndaj zotit nano ishin fushatë dhe donte ta bënte president atë që e quajti llumin e shoqërisë në vitin 2005. Kjo tregon që lufta politike, duke përdorur edhe korrupsionin, humb besimin në qoftë se nuk është e ndershme, në qoftë se nuk është e vërtetë. Këto janë gjëra që çdo opozitar duhet t’i thërrasë mendjes së vet, kujtesës së vet. Dhe në atë parti ka shumë njerëz që e dinë. E sfidoj edhe njëherë oportunizmin e të gjithë kolegëve të mi, që duhet të flasin dhe të marrin përgjegjësi. Sfidoj çdo fanatik që ta çlirojë PD-në, nuk mund të drejtohemi ne nga fanatikët dhe nuk mund të ecim përpara ne duke u sjellë si oportunistë brenda forumeve të PD-së. PD-ja duhet të çlirohet nga fanatikët dhe nga oportunizmi.

Në fakt edhe zoti Kulluri ditën e djeshme shprehu kritikat e tij në lidhje me Kryetarin e PD-së Lulzim Basha. Ju mendoni se ka zëra të tjerë kundër Bashës brenda këshillit kombëtar të PD-së, sikurse mendoni ju, jo vetëm Marku me vendimin e fundit që mori për të lënë mandatin e deputetit?

Dua të bëj një dallim të qartë.

E kam fjalën, a ka më surpriza brenda PD-së, kësisoj?

Dua të bëj një dallim të qartë. E qarta është kjo: nuk është çështja për të qenë kundër Bashës, nuk mjafton të jesh kundër Bashës. Sot ne duhet t’i propozojmë demokratëve një hap tjetër, t’i propozojmë shoqërisë shqiptare, kujtdo që është në opozitët’i propozojmë platformën, ndaj unë kam dalë me manifestin për ringritjen e PD-së, po deshët edhe të opozitës, ndaj sot dal me 5 sfidat që rikthejnë opozitën. Nuk më intereson Basha, nuk më intereson Berisha. Më intereson t’u përgjigjem atyre 600.000 shqiptarëve që edhe në këto kushte votuan opozitën sepse janë opozitarë. Ata duan përgjigje. Nuk u mjafton atyre që unë them se jam kundër qëndrimit të Bashës apo sjelljes së Bashës apo personalizimit që i bën Basha partisë. As kundër Berishës. Nuk mjafton, të jesh kundër nuk mjafton. Të propozosh, të jesh konkurrues në opozitë, duhet të vish me platformë konkrete. Manifesti është një instrument që i takon jo vetëm PD-së por çdo njeriu që është në opozitë. Si autor i manifestit, kam konsultuar këdo, brenda dhe jashtë PD-së që kjo parti të jetë vibrante, të jetë e gjallë, të jetë e tillë që merr përgjegjësitë, jo për t’u bërë thjesht një alternativë simetrie pushteti meqë ka pushtet, ka edhe opozitë. Jo. Por për të qenë një parti që është mbartëse dhe promovuese e interesit qytetar. Dhe kjo bëhet duke sfiduar themelet. Të rikthejmë referendumin, më saktë, ta sjellim referendumin. Kjo është gjë e rëndësishme. Të rregullojmë, të kufzojmë mandatet e kryetarëve.

Zoti Kadilli, ju e thatë që do të jetë një mbledhje formale Këshilli Kombëtar i PD-së që pritet të mbahet të hënën. Sipas jush, nuk do të sjellë asgjë të re?

Nuk sjell ndonjë gjë të re në kuptimin tim, për arsyen e thjeshtë sepse unë realisht besoj që kryetari i partisë, në momentin që ka mandatin, i takon që ta zgjedhë vetë ekipin drejtues. Pra, anonçimi i emrave që do të drejtojnë bashkë me Bashën PD-në, nuk është një ngjarje kaq e rëndësishme. Është e rëndësishme për kuriozitet mediatik, patjetër është një lajm. Do të lexohen emra të rinj, do të largohen emra të vjetër, por kjo nuk u thotë asgjë opozitarëve. Jo për të paragjykuar kush do të hyjë dhe as për të vajtuar kush do të dalë, por opozitarët kanë nevojë për një propozim, për të parë një opozitë konkurruese. Kjo është e rëndësishme, jo se hyri njëri e doli tjetri.

A mendoni se do të ketë një qëndrim të qartë lidhur me Berishën dhe mundësinë e largimit të tij nga grupi parlamentar?

Deri tani nuk ka pasur.

Në këtë mbledhje, e kam fjalën.

Nuk besoj. Deri tani nuk ka pasur një qëndrim të qartë dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që Basha bashkë me Berishën i ka shkaktuar PD-së në këtë çast. Nuk mund të ndodhë që nuk flet kryetari i partisë dhe flet ish-kryetari për qëndrimin që duhet mbajtur ekzakt në çështjen më të rëndësishme, në raportet tona me partneritetin strategjik, me amerikanët, të cilët kanë pjesën e rëndësishme edhe në themelimin dhe në promovimin e PD-së që në ditën zero të saj. Nuk mund të heshtë Basha, nuk mund ta lërë t’i nxjerrë gështenjat me duart e të tjerëve, të atyre që flasin, si unë apo ndonjë tjetër. Nuk mundet që ne të mbetemi pa zërin e kryetarit në përplasjen më të madhe që ne kemi me amerikanët. Çfarë është ky kryetar që nuk flet, dhe flet ish-kryetari? Atëherë pse përpiqet të sillet si kryetar? Pse habitet kur nuk e besojnë për lider? Pse habitet kur partia nuk i referohet atij, por shkon troket te zyra private e zotit Berisha? Si ka mundësi që në 8 vite nuk prodhoi dot një PD tjetër, me një fytyrë të re, por ne shohim përsëri se si zoti berisha na imponon modelin e tij edhe pas 30 vitesh në parti, një model i përdorur, me sukseset dhe dështimet e veta, por tashmë i kapërcyer, kretësisht i kapërcyer. Si do të vazhdojmë, akoma këtë gjë do të bëjmë? Dhe këtu nuk pres që të ndodhë asgjë. Pres vetëm formalisht të shpallen emrat e bashkëpunëëtorëve në zyrat e PD-së.

Sipas jush, parë nga pozicioni i kritikut, a ka ardhur koha që kritikët e Bashës në PD të krijojnë një parti të re?

Nuk është zgjidhje. Unë nuk dua ta pranoj dhe e refuzoj atë kulturë politike që ne kemi deri më sot. Ndoshta jam rasti i parë që e bëj këtë gjë, por jam krenar në qoftë se është kështu, që ne nuk kemi pse të lëmë vakuum, nuk kemi pse të tërhiqemi, nuk kemi pse të shkojmë diku tjetër. Ne kemi hapësirën brenda PD-së. Lulzim Basha na ka gjetur në atë parti dhe ne nuk mund të ikim se ai është i mefshtë apo nuk do që të bëjë liderin politik. Ne nuk mund t’ia lëmë PD-në jetime rrugëve gjithkujt. Kemi detyrën që të jemi atje dhe të përpiqemi atje. Por edhe një gjë e refuzoj fort: nuk ka ekskluzivitet për të bërë opozitë Lulzim Basha, as kryesia që do të dalë, as këshilli kombëtar që ka dalë. Çdokush di të bëjë opozitë. Unë kam propozuar në manifestim tim, në atë pjesën e strukturimit, parti me strukturë fleksibël dhe kam ftuar çdo demokrat: bëj partinë tënde, bëj seksionin tënd, bëj organizimin, forumin tënd. Dhe kjo duhet bërë. Çdo demokrat që thotë si bëhet, të mësojë se si bëhet, të punojë, të jetë aktiv, vetëveprues, të mos presë që të marrë orientim nga Lulzim Basha që të thotë këtë apo të mos thotë atë, as nga kryesia. As të mos presë me oportunizëm që do zoti dhe më fut në kryesi apo më bën diçka, deputet a ku e di unë se çfarë. Sepse në qoftë se janë në politikë për ta parë politikën si vend pune, më mirë të mos e zënë atë vend se ka vende pune të tjera më me dinjitet, sesa të marin në pengun e tyre funksione politike kur publiku pret nga ata tjetër gjë, jo të marrin rrogën apo dekoratën. Është shumë e rëndësishme që secili nga demokratët të jetë vetëveprues dhe të mos presë urdhër as orientim as komandim.

Nëse PD-ja nuk distancohet nga Berisha, si mendoni, do të ketë kosto për këtë parti lidhur me marrëdhënimet me SHBA-në?

Patjetër që do të jetë kosto.

Cilat do të jenë?

Nuk i di kostot, por kostoja e parë është morale. Edhe sikur të mos ishte raporti i futur sot në ngërç me amerikanët, zoti Berisha nuk duhej të ishte më me ndikimin e tij në politikë, që nga 2013-a. Nuk e largoi dot veten, nuk e largoi dot PD-ja si model dhe vijnë e largojnë amerikanët. Kjo s’është korrekte për ne, është dëm për ne si PD. Që këtu ne kemi humbur besimin dhe moralitetin. Mbi çfarë morali, me standard të dyfishtë do të garojmë? Ne duhet të kemi vetëm një standard, të jemi të ndershëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit vetëm me një standard. Atë që kërkojmë për kundërshtarin duhet ta respektojmë për vete, ndryshe jemi njëlloj, presim radhën të na bjerë si molla në kokë pushteti. Nuk bie nga graviteti pushteti, nuk është si turnet e punës, që mbaron 8 orë njëri pastaj vjen 8 orë tjetri. Ne duhet të përpiqemi që të jemi konkurrues dhe konkurrues nuk bëhemi vetëm me retorikë radikale, përkundrazi zvogëlohemi, fanatizohemi, bëhemi të bezdisshëm për shoqërinë. Neve na duhet të jemi propozues, konkurrues, të kemi ide, të jemi ftues, të bashkojmë edhe ato që duken të pabashkueshme për të bërë një opozitë sa më të gjerë, se nuk është e thënë që të gjithë të mendojnë si unë apo si dikush tjetër, por ne të jemi të zotët të bashkëjetojmë kur kemi një objektiv të përbashkët, kur duam të largojmë një sundim që shohim që është sundimi i Edi Ramës ku bashkohet një politikë e korruptuar dhe e kriminalizuar, me një biznes të korruptuar dhe të kriminalizuar, me të fortët në politikë. Fatkeqësisht jam munduar ta shpjegoj edhe sot në shkrim. Fatkeqësisht sot në politikë liria, demokracia, konkurrenca, ideja, efiçenca, aftësia për t’u mirëkuptuar dhe kundërshtuar nuk janë kritere politike, nuk janë premisa për të bërë politikë. E vetmja premisë është forca, kush arrin t’i imponohet me dhunë dhe me forcë tjetrit. E vetmja gjë që bëjmë sot në atë gjoja politikë është forca dhe imponimi. Nuk mund të jetë e tillë, nuk mund të vazhdojë e tillë edhe pas 30 vitesh kjo gjoja politikë. Që të bëjmë politikë duhet të kemi propozim, duhet të kemi konkurrencë mes njëri-tjetrit sepse duke bërë monopol kryetarësh në parti, duke mos pasur konkurrencë në parti, si mund t’i ofrojmë konkurrencë shoqërisë shqiptare? Pse duhet të jetë konkurruese një shoqëri që drejtohet nga një qeveri e Lulzim Bashës, kur ai nuk ka konkurrencë brenda partisë? Pse? Nuk mund të jetë. Do të jetë monopolitikë edhe në politikë po të jetë në pushtet. Prandaj shqiptarët nuk na besojnë dhe nuk na votojnë, prandaj nuk dalin të protestojnë bashkë me ne kur gjoja vidhet apo shitet vota. Fakti që shqiptarët kanë shitur votën është edhe faji i Bashës, biles më shumë, që i la ata jetimë, pa një projekt, pa konkurrencë, i la pa shpresë.

Pra ju do ta vazhdoni betejën për ngritjen e kësaj partie brenda kësaj strukture.

Në momentin që kam marrë përsipër të kandidoj për ta drejtuar këtë parti, në mënyrë absolute nuk mund të tërhiqem nga përpjekja për ta drejtuar moralisht por edhe konkretisht këtë parti.

Ju falënderoj për mendimin tuaj hapur, të përcjellë në këto minuta.

Faleminderit juve!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • andon: 27/08/2021 22:12

    po mos hiq dore , se partia per perfiti e personale esht , ske i faj ju jo tju marresh tju hedhen ne kosh te plehrave . bastard .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje