Kadri Hazbiu në 1970: Ja arsyet
e vetvrasjeve në vendin tonë!

Kadri Hazbiu në 1970: Ja arsyet<br />e vetvrasjeve në vendin tonë!
TIRANE - Fenomeni nuk është produkt i rendit tonë ekonomiko-shoqëror. Kështu konstatonte diku në relacionin e nisur për shefin e tij në vijë hierarkike partiake, ish-Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu në vitin e largët 1970. Ky është një vit që mbart shumë simbolikë, pasi mund të merret si etalon i gjithë periudhës së sundimit komunist në Shqipëri, duke përllogaritur kohën që i mbeti për të “qeverisur”.

Bëhet fjalë për një informacion në formën e një analize mbushur me statistika e të dhëna konkrete, ku rreshtohen me pika të veçanta edhe arsyet që i shtynin njerëzit në atë kohë të vrisnin veten, dhe sigurisht në fund jepen edhe “recetat” që do të çonin në minimizimin apo shuarjen e këtij fenomeni.

Në pamje të parë të duket një dokument fare rutinor, por diskutimi mbi vetvrasjen ishte një temë shumë e rezervuar, apo më mirë le të themi një tabu, për të cilën duhet të kishin dijeni në shifra të plota e të sakta, vetëm krerët më të lartë të shtetit. Ai na jep një panoramë të qartë mbi shtrirjen e këtij fenomeni në fshat e qytet, prevalencën moshore, shkaqet dhe pasojat etj.

Të bie në sy, se në rrethet malore për shembull, në raport thuhet se nuk ishin regjistruar fare ose shumë pak vetvrasje. Por pohohej se veten e vrisnin më shumë në fshat se sa në qytet, çka ndoshta rezulton të vijojë me të njejtën tendencë edhe në ditët e sotme, megjithëse ky është vetëm një perceptim publik e nuk përbën rezultatet e një studimi të mirëfilltë empirik.

Rezultonte se: “në vendin tonë çdo vit ka pasur mesatarisht 2.8 vetvrasje për çdo 100.000 banorë”, dhe krahasimi bëhej me vendet “kapitalisto-revizioniste”, ku thuhej se ky numër ishte rreth 18 herë më pak se mesatarja e tyre, porse në mungesë të të dhënave të plota nuk mund ta pohojmë apo mohojmë këtë konstatim.

Kjo i korrespondonte një numri total prej 282 rastesh vetvrasje gjatë periudhës 5-vjeçare 1966-1970. Ndërsa ndër shkaqet që e shkaktonin vetvrasjen në ish-Republikën Popullore të Shqipërisë, renditeshin: sëmundjet psikike, patriarkalizmi në familje dhe zakonet prapanike të fejesës dhe martesës, sëmundjet trupore, “amorpropi mikroborgjez” dhe sedra e sëmurë, ndjenja e pronës private dhe bestytnitë fetare, thashethemet, shpifjet dhe intrigat.

Po ashtu rezultonte se më shumë, në atë kohë veten ndër shqiptarët veten e vrisnin meshkujt, që zinin pothuajse dyfishin e përqindjes në krahasim me seksin e kundërt, kurse në aspektin moshor, përqindja më e madhe, ishte ajo e moshës 50 vjeç e lart.

Interesant është pohimi se: për shkak të kritikave “para kolektivit”  (e ku të vijnë më së pari ndërmend edhe fletërrufetë famëkeqe), haseshin të rinj me “sedër të sëmurë”, e tipa të ndjeshëm, që arrinin deri në vetvrasje.

Nëse hyn më thellë dhe tenton të bësh një krahasim me kohën e sotme, konstaton lehtësisht se shumë nga arsyet që i çonin njerëzit atëherë në vetvrasje, sot ndoshta nuk ekzistojnë më fare dhe na duken tërësisht qesharake, por nga ana tjetër, sot mund të pohojmë me siguri se janë shtuar arsye të reja ( përveç shumë prej të vjetrave që akoma ekzistojnë) e fenomeni ka marrë përmasa edhe më shqetësuese.

Materiali që po botojmë sot, ka qenë i klasifikuar SEKRET (AQSH, F14 /AP STR V.1970, D. 68, fl.3-9 ) dhe botohet për herë të parë. Ai përbën kësisoj një bazë të mirë krahasuese për publikun e gjerë, por sidomos për ekspertët e fushave përkatëse, për të parë “evoluimin” që ka bërë shoqëria shqiptare, për mirë apo për keq në këtë aspekt, dje dhe sot.

Në vijim, ju ftojmë të lexoni raportin e plotë ( ku janë hequr vetëm shumë pak pjesë të konsideruara si të “parëndësishme” nga pikëpamja aktuale):

                                                        * * *

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E POLICISË POPULLORE


                                                         Sekret

Tiranë më 5. 12. 1970

Lënda: Informacion mbi vetvrasjet

SEKRETARIT TË KOMITETIT QËNDROR TË PPSH
(SHOKUT HYSNI KAPO)


TIRANË

Nga analiza që i bëmë kohët e fundit shkaqeve të vetvrasjeve të ndodhura në vendin tonë, kemi arritur në disa konkluzione që po i radhisim më poshtë:

I. Gjatë periudhës 1966-1970, në vendin tonë kanë ndodhur 282 raste vetvrasje. Duke marrë si bazë për krahasim vitin 1966, më 1967 ato patën një rritje prej 37%, më 1968 21%: ndërsa më 1969 u ulën 2%, dhe më 1970, 9%.

Të marra në krahasim me numrin e popullsisë, në këto 5 vjet në vendin tonë çdo vit ka pasur mesatarisht 2.8 vetvrasje për çdo 100.000 banorë, ose rreth 18 herë më pak se mesatarja e publikuar në vendet kapitalisto-revizioniste.

Sipas seksit, 67.7% kanë qenë meshkuj, kurse 32% femra: sipas moshës, 4.4% kanë qenë 14-18 vjeç ( nga këta 35% femra ), 26% të moshës 18-25 vjeç ( nga këta 60.9% femra), 16.5% të moshës 25-36 vjeç ( nga këta 49.4% femra), 18.5% të moshës 35-50 vjeç ( nga këta 37.4% femra) dhe 34.5% të moshës 50 vjeç e lart ( nga këta 22.5% femra).

Nga tërësia e rasteve të vetvrasjeve, rezulton se 65% e tyre kanë ndodhur në fshat, ndërsa 35% në qytet. Më të theksuara këto kanë qenë në rrethet Tiranë, Durrës, Shkodër e Elbasan ( të cilat në përqindjen më të madhe e kanë patur në qytet) dhe Korçë, Vlorë, Kukës e Dibër (të cilat përqindjen më të madhe e kanë pasur në fshat). Bie në sy që në disa rrethe malore si Tropoja, Skrapari, Përmeti, Pogradeci e Kolonja, raste të tilla nuk ka patur fare, ose ato kanë qenë të pakta.

II. Vetvrasjet në vendin tonë nuk janë produkt i rendit tonë
ekonomiko-shoqëror, por shfaqje të disa fenomeneve kontradiktore që hasen gjatë zhvillimit e ecjes përpara të revolucionit socialist. Sipas studimit tonë, shkaqet kryesore të vetvrasjeve janë:

1. Sëmundjet psikike, që zenë afro 39% të rasteve. Këto janë shfaqur në formën e depresioneve të ndryshme, maninë e persekutimit, etj. më shumë në meshkuj e në persona të moshave mesatare dhe të kaluara.

Kjo shpjegohet  edhe me atë që thekson shkenca e psikiatrisë e që vërteton praktika kriminalistike se, kur këto sëmundje shfaqen në këto mosha, ato çojnë në të shumtën e rasteve në vetvrasje, për vetë ndryshimet regresive organiko-fiziologjike, psikiatrike e të tjera që ndodhin në këta persona.

2. Patriarkalizmi në familje dhe zakonet prapanike të fejesës dhe martesës, që zënë afro 25% të rasteve. Këto kanë ndodhur më tepër te femrat në moshë të re dhe mesatare, kryesisht në fshat, të cilat, të dëshpëruara nga keqtrajtimi në familje dhe nga mospërkrahja e opinionit shoqëror, nuk kanë patur kurajon të ngrihen hapur për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe kanë vrarë vehten.

3. Sëmundjet trupore që zenë afro 19% të rasteve. Këto janë shfaqur më tepër në meshkuj dhe femra të moshave të kaluara, të cilët kanë vuajtur nga sëmundje të tilla si kancer, ulçera, koleksione sëmundjesh,etj., e që kanë patur dijeni për llojin e sëmundjes, kanë humbur shpresën e shpëtimit e kanë rënë në dëshpërim dhe e kanë konsideruar vetvrasjen si të vetmen rrugë për të shpëtuar nga dhimbjet.

4. Amorpropi mikroborgjez dhe sedra e sëmurë, që zenë afro 8% të rasteve. Këto janë shfaqur më shumë në femra për shkak xhelozie dhe meshkuj në moshë të re, në disa raste ushtarë, që janë kapur në shkelje të disiplinës, në delikte të vogla ose dëme në bujqësi, grindje, etj., për të cilat do të jepnin llogari e do të kritikoheshin para kolektivit, por që duke qenë me temperament shumë të ndjeshëm, janë prekur në sedër e kanë vrarë vehten.

5. Ndjenja e pronës private dhe bestytnitë fetare, që zenë afro 5% të rasteve. Këto janë shfaqur kryesisht në meshkuj të moshave të kaluara, njerëz që nuk janë pajtuar me masat revolucionare që janë marrë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve socialiste në prodhim ( siç janë shkurtimi i kopshteve personale të kooperativistit, etj.) dhe me luftën kundër ideologjisë fetare, sidomos ish-klerikë, ungjillorë e elementë fanatikë, etj..

6. Thashethemet, shpifjet dhe intrigat, që zenë afro 3% të vetvrasjeve ( pa llogaritur këtu rastet e shumta që janë evituar, si dhe ato që kanë përfunduar në plagosje, tronditje psiqike e pasoja të tjera të rënda). Këto kanë ndodhur në të rinj, meshkuj e femra, të cilëve u është krijuar situatë e rëndë dhe u ka munguar kurajua ose nuk kanë gjetur mbështetje për të demaskuar shpifjet e intrigantët.

III. Tendenca e uljes së vetvrasjeve, që vihet re dy vjetet e fundit, është fenomen objektiv që lidhet me ecjen përpara të shoqërisë sonë, por kjo ulje do të ishte akoma më e ndjeshme në rast se do të mënjanoheshin disa të meta të punës sonë në këtë drejtim.

Sipas mendimit tonë, çështja kryesore e themelore për evitimin e vetvrasjeve është zbulimi i shkaqeve të vërteta, e sidomos e atyre indirekte. Kjo kërkon një kuptim të thellë ideologjik e politik të faktit se në shoqërinë tonë nuk ka arsye objektive për të patur një shtrirje të tillë të vetvrasjeve ( veç sëmundjeve psikike të pashërueshme, që kanë tendencë të tillë).

Rrjedhimisht, çdo shkak që në sipërfaqe mund të duket normal me ngjarjen konkrete, me një kujdes e qëndrim korrekt nga ambienti familjar e shoqëror, është plotësisht i evitueshëm.

Problemi i forcimit të përgjegjësisë dhe edukatës në familje, i futjes më mirë në botën shpirtërore e psikologjinë e njeriut dhe, në varësi me të, të ndërtohet edhe metoda e trajtimit drejt të tij, që ai të lehtësohet në vuajtjet dhe të kalojë vështirësitë e krijuara nga pesimizmi për të jetuar, del në dy drejtime:

a) Në kujdesin më të madh që duhet të tregojnë fëmijët ndaj prindërve, për t’iu siguruar atyre një jetë më normale, sidomos nga ana ekonomike. Këtu, në keqtrajtimin dhe mos sigurimin e jetesës nga ana e fëmijëve, e kanë burimin rastet e vetvrasjeve të disa prindërve ( babë e nënë) me moshë të kaluar.

b) në kujdesin më të mirë që duhet të tregojnë prindërit për fëmijët, sidomos në moshën e parapjekurisë së tyre, për mjaft çështje të jetës. Rrjedhimisht, kujdesi prindëror e shoqëror, kryesisht ai i organizatës së rinisë, duhet të konsistojë në atë që kontradiktat që lindin midis kërkesës së të rinjve për të hedhur hapa përpara dhe pjekurisë relativisht të pamjaftueshme të tyre nbë këto mosha, të zgjidhen pa kaluar në gjykime e veprime ekstreme në mjaft çështje: të dashurisë, qëndrimit ndaj punës e normave të moralit etj.

Baza këtu është si konservatorizmi, prindëror e shoqëror, maskuar kryesisht me “përvojën”, ashtu edhe gjykimet e qëndrimet e shfrenuara të të rinjve, të maskuara me “emancipimin e liritë individuale”.

Moskuptimi i këtij lloj fenomeni, çon në konflikt të herë pashershëm në familje e në shfaqje e veprime të tjera të dëmshme (bojkotime ose largime nga prindërit etj.) dhe, kur çështjet dramatizohen nga thashethemet e të nxitura nga një sedër e sëmurë, ose nga pazotësia e të rinjve për të gjetur rrugëdalje, ato çojnë në kryerjen e aktit të vetvrasjes.

Këtu e kanë burimin kryesor edhe vetvrasjet e personave me moshë të re ( 14-25 vjeç), të cilat zenë 30,4% të të gjitha vetvrasjeve. Në trajtimin  e kësaj çështje, nuk ka patur një kuptim në shkallën që kërkohet. 
        
Një kujdes më i madh duhet t’i kushtohet këtij problemi, mendojmë ne, edhe nga organet e pushtetit në bazë dhe organizatat shoqërore, të cilat disa herë nuk i vlerësojnë sa duhet indicjet që bëhen shkak për vetvrasje, siç janë grindjet në familje, pakujdesia për të sëmurët, kundërshtimi i martesës së imponuar nga prindi, shpifjet dhe thashethemet, etj.

Dhe nuk ngrihen në luftë për t’u prerë rrugën. Në disa raste, kritika publike për njerëzit që kryejnë delikte të vogla është përdorur shabllon, pa shikuar temperamentin e personit, sidomos kur ky është i ri, në mënyrë që të menjanoheshin disa pasoja të hidhura, duke përdorur ndaj tyre forma të tjera edukative.

Mjaft preokupant paraqitet edhe problemi i shtrimit e kurimit në spitalet neuropsikiatrike për të sëmurët psiqikë, të cilët paraqesin agresivitet e rrezikshmëri të madhe dhe, që siç dihet, veç vetvrasjes, kanë arritur të kryejnë edhe vrasje të shëmtuara ( 21 raste brenda viteve 1966-1970). Është vendosur që për sistemimin e tyre brenda tremujorit të parë të vitit 1971, të shtohet një aneks në spitalin e Elbasanit, por deri më tani, në këtë drejtim nuk punohet aspak seriozisht.

Ne jemi të bindur se mobilizimi i organeve të brendshme dhe i organeve të tjera shtetërore e organizatave shoqërore nën udhëheqjen e Partisë, në drejtimet që u përmendën më lart, do të sjellë uljen në minimum të këtyre akteve në vendin tonë në të ardhmen.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
Kadri Hazbiu


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim