Kadrije Kadare dhe dy dashuritë e saj

Kadrije Kadare dhe dy dashuritë e saj

Kadrije Kadare

Ishte prill i vitit 1996. Kisha shkuar në aeroport me tim vëlla Feridin për të pritur Kadarenë dhe zonjën e tij, Helenën. Nga takimi i parë nuk kishin kaluar as gjashtë muaj, ndaj prania e Feridit më jepte njëfarë sigurie. Si hipëm në makinë, në pasqyrëzën e brendshme shihja portretin e qeshur të Kadaresë, çka më jepte disi prehje. Po kujtonin ngjarje dhe njerëz kur ishin në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aq e shkurtër m’u duk rruga deri në shtëpinë e tij, sa më erdhi keq se do të ndaheshim, kur ai, në vend që të përshëndetej, tha prerazi:

– Ngjituni lart të dy. Por nuk po ju ftoj për drekë, ta keni të qartë, – na siguroi duke qeshur.

Pasi parkuam makinën te Hotel Tirana, nuk vonuam dhe drejt e tek apartamenti i tij. Derën na e hapi gjithë bezdi një grua që s’e kisha parë ndonjëherë. Është Kakuja, e motra, më tha Feridi, ndërsa u ulëm në kolltukët e dhomës së pritjes. Hera e dytë që ndodhesha në atë vend. Nxora nga çanta nja pesë kopje të librit të “Dialog me Alain Bosquet”,  që sapo e kisha shtypur në Itali. Po prisnim të vinte Kadareja, kur dëgjoj nga dera gjysmë e hapur zërin e Kakusë:

– Po këta, me vrap erdhën, nuk u pritej deri nesër!

Ka kaluar mbi çerek shekulli dhe nuk e harroj kurrë se si u ndjeva në ato çaste. Më duket sikur më djegin faqet edhe sot e kësaj dite nga turpi. Por do të kalonin shumë vite ta kuptoja domethënien e sjelljes së Kakusë.

Takimet me Kakunë ishin të rralla (ajo punonte në redaksinë e gazetës “Shekulli”), vetëm në  promovime  apo panairi libri. Por e solli rasti që të bënim një udhëtim të gjatë deri në Gjirokastër. Ishte janar i vitit 2001. Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, zoti Ylli Asllani, na kishte ftuar në një ceremoni me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Kadaresë. E lamë me Kakunë të niseshim herët në mëngjes, sepse na priste një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Kur iu afruam Lushnjës, ndalova makinën pranë një restoranti dhe i thashë Kakusë që të zbriste. Ndërkohë ajo hapi një qese me byreçka, djathë, ëmbëlsira dhe e vuri në prehër.

– Uh, çfarë restoranti! – foli gati me zemërim. -Vetëm për të harxhuar paratë janë e prapë të merr uria, – vazhdoi. -Shko ti, po të pres këtu.

U ula i vetëm në restorant, por po më dukej sikur po i fshihesha Kakusë. (Që nga ky rast, me shaka u them të tjerëve se si mund ta përfytyronim një restorant sipas Kakusë. Ti hyn brenda, ndërsa ti ulesh, të rrethojnë kamerierët gjithë gëzim, të ofrojnë çfarë të duash dhe në fund, bakshishin nuk e jep ti, por ata, madje, të luten se ndryshe do ta ndienin veten keq. Ia thosha herë pas here këtë kur uleshim në bar apo restorante dhe fytyrës së saj nuk i lëvizte sikur një muskul.)

Kur po i afroheshim Gjirokastrës, m’u lut të ndalonim. Zbriti, hipi në ndenjësen prapa dhe më tha me të qeshur:

– Tani shiko drejt, mos kthe kokën mbrapa, se do të bëj striptizë!

Kur ndaluam pranë sheshit të Çerçizit, shikoj një Kaku tjetër. Një zonjë e vërtetë! Dhe në ndenjësen pranë një pirg me triko, bluza, xhaketa, shall. Ngaqë mëngjesi kishte qenë i ftohtë, ishte veshur e ngjeshur mirë.

Ishte një ditë e bukur, ndaj iu luta të më tregonte shtëpinë ku kishte lindur. Morëm rrugën të heshtur, por nën vështrimin e shumë kalimtarëve apo shitësve që rrinin në dyert e shitoreve. Po u afroheshim shtëpisë së Kadarenjve. Megjithëse e dëmtuar nga zjarri që kishte rënë kohë më parë, dukej madhështore nga larg. S’mbahet mend që kur s’kam ardhur këtu, më tha kur e pyeta se kur ka qenë  hera e fundit. Befas fytyrës i kishte rënë një tis mallëngjimi. Gati përballë shtëpisë ishte një portë e madhe ku në dy gurë të mëdhenj anash ishin ulur dy gra. Njëra po thoshte: moj, si Kadrija më duket. Kurse Kakuja kokën drejt, as majtas as djathtas, nuk u hodhi sytë. Njëra prej tyre mori guximin, nxitoi të na priste rrugën dhe i doli përpara me një fytyrë ku mund të shihej qartë gëzimi:

– Moj, mos je Kakuja ti?

– Jo, – i tha Kakuja ftohtë. – Kush je ti?

– Po ti moj, Kakuja, je. Nuk më mban mend? Mamaja jote na jepte gjithnjë bukë kur dilnim e luanim në oborr.

– A, ashtu? Mirë jeni?

Nuk po u besoja veshëve. Asnjë shenjë mallëngjimi. Tronditjeje. Çfarë vetëpërmbajtje! Tmerr! U ndamë pa folur, tani ishim te porta e shtëpisë.

– E shikon atë shtyllë elektriku? Me llambën e rrugës lexoja libra natën. Na e fiknin dritën prindërit, mos harxhonim!

(Kur vite më vonë, në prani të Kakusë, ia tregova një herë Kadaresë, ai me një ton tallës i tha: “Po kur të duket edhe ty vetja e rëndësishme. Pika!” Ndërsa Kakuja, gjithë duke u vetëmbrojtur, me sy gati do t’ia shkrepte të qarit, ia ktheu: “Po ç’bëra, mo?”)

Pasdite u zhvillua një ceremoni për dhënien e titullit “Nderi i Gjirokastrës” Kadaresë, Musine Kokalarit dhe Eqrem Çabejt. Sa herë na afroheshin kamerat, Kakuja ia niste gjithë: bobo, ja do të më shohë Ismaili! Do të më bërtasë! (Tani që po i shkruaj këto radhë, e ndiej se sa dashuri kishte për vëllain e saj të shquar, por që për të tjerë kjo është së prapthi po t’i lexosh fjalët normalisht.)

Se sa dashuri kishte ajo për Kadarenë arrita ta kuptoja mirë, sidomos kur Kakuja filloi punën në redaksinë e “Onufrit”. Pas një bashkëpunimi të çmuar në botimin e veprës së plotë të Kadaresë, m’u duk fare e natyrshme ta kishim në staf. Aq më tepër kur kishte një përvojë të gjatë si redaktore, por, kryesorja, ishte një grua e kulturuar dhe kishte një dashuri dhe adhurim të çmendur për librat. Recitonte vargje të tëra nga “Onjegini”, vargje të Eseninit, Kadaresë, Agollit. Dinte të fliste bukur për çdo libër, për çdo personazh romani. Sepse jeta e saj kishte qenë vetëm libra. Ndaj ishte fat për një redaksi të kishte një punonjëse të tillë. Përveç kësaj, duke gjykuar moshën dhe shëndetin e saj, më dukej se për të ishte një prehja pas kaq vitesh punë sfilitëse nëpër redaksitë e gazetave qendrore. Por Kakuja nuk mund të ndahej dot nga gazetat. Kurioziteti i saj dhe dëshira për të qenë në këto mjedise ku ajo të sfidonte me aftësitë e saj kolegët ishte shumë e qartë për mua. Sidomos kur mora vesh se ndërkohë që punonte te ne ishte korrektore edhe në dy gazeta të tjera. Nuk e besova në fillim dhe gjithë dyshim i thashë: po si ia del të punosh pa pushim? Nuk pranoi asgjë. Kurrë nuk mund ta kuptoje se po thoshte ose jo të vërtetën. Aq vetëpërmbajtje kishte. Të nesërmen kishte lënë një letër, ku më kërkonte ndjesë dhe jepte dorëheqjen. O Zot, sa m’u dhimbs! I thashë të vinte në zyrë dhe me një ton dashamirës iu drejtova:

– Ç’më çan kokën, o Kaku? Pse kërkon të më mbushësh mendjen? Ti je e lirë pas pune të shkosh e të punosh ku ti dëshiron. Madje, si të mbarosh punën, mund të shkosh edhe të bësh striptizë! – shtova për ta zhdramatizuar situatën.

Por, sikundër e kuptova më vonë, ajo e bënte këtë për të marrë vesh se ç’thuhej, ç’do të shkruhej për Kadarenë. Kanë qenë kohë kur shtypi merrej shumë me jetën e Kadaresë dhe Kakuja e vuante shumë. Vetëm për këtë jetonte dhe kishte aq energji dhe shpirt luftarak sa nuk ia dilje dot ta frenoje. Kam pasur rastin ta shoh këtë që shkruaj kur në zyrë erdhi një zonjë, vajza e një përkthyesi të madh, dhe nënshkruam kontratë botimi. Për ta festuar, e ftova edhe Kakunë  në restorantin përballë zyrave. Sapo Kakuja dëgjoi mbiemrin e zonjës, u sigurua se ç’lidhje kishte me një person që shkruante kundër Kadaresë vazhdimisht veç kur filloi e s’dinte të mbaronte.  U krijua një situatë e rëndë. I lutesha të ndalonte, por kjo sikur e përndizte më keq. Zonja përballë vetëm buzëqeshte me atë fytyrën e saj të bukur dhe e shihte në sy Kakunë. Nuk e ndaloja dot. Si një lodër që bën zhurmë të tmerrshme, por nuk e ndalon dot po nuk i hoqe bateritë.

Ishte dashuria e saj për vëllain e famshëm! Jetonte vetëm për ta dëshmuar në çdo rast. Kaq e thjeshtë është.

E kam kuptuar me kohë këtë ndjenjë të bukur  dashuri motre për vëllain, gjithë këto vite. Po sa e mezidukshme për të tjerët mund të ishte kjo. Dhe vërtet, si mund ta kuptosh në këto dy raste:

Ai sapo ka mbërritur pas gjashtë muajsh nga Franca dhe ajo si e trembur para tij.

– Hë, ç’kemi? (E pyet ai, as dorë, as përqafim.)

– Hiç, – përgjigjja e saj si një zog i trembur.

Apo kur nisej Kadareja për në Paris. Makina ka ndaluar përballë Sky Tower ku ka apartamentin. Sigurohem që dyert janë mbyllur dhe ndërsa hap derën për të ngarë makinën,  pak më tutje shoh portretin e trishtuar, të dhembshur, të motrës. Nuk mundem t’i harroj këto çaste që përsëriteshin dy apo tri herë, çdo vit.

Ndërsa vendoseshin kurorat mbi varrin e Kakusë, s’di pse befas në kokë erdhi një mendim që e kisha pasur mbase brenda vetes përherë. Jetoi në këtë botë vetëm për dy dashuri të mëdha, të padyshimta, të përjetshme:  për vëllain e saj të famshëm dhe për librat!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kadri: 11/02/2022 23:13

    Eshte nder per ne qe po i beni tere kete qoke xhaxhi ismailit dhe familjes se tij me tradita te vjetra gjirokastrite,,,edhe pse kadrien e shkrete se njeh njeri por pune arnautelleku

    Përgjigju
    • Bureto: 13/02/2022 12:46

      Kakuja kishte vëlla edhe Shahinin, të mirin, fisnikun, mjekun e shquar, profesorin, i cili ashtu si Ismaili dhe ai ishte i shquar në fushën e tij. Thënë këtë, ajo nuk mund të kishte vetëm dy dashuri, por tre, sepse motra nuk i ndan vëllezërit, veçse për ndonjë arsye shumë madhore apo specifike (!!) Tjetër, ajo që më ra në sy nga shkrimi i Hudhrit, ishte një lloj përbuzje që çfaqte Ismaili ndaj saj dhe po ashtu që prej saj, më shumë se idhujtari ndaj Ismailit, kishte një lloj droje apo frike (!). Autoriteti i Ismailit apo kompleksimi i saj përkundër “implikimit” që, sipas Ismailit mund t’i kishte rrezikuar të dy, për shkak të thënieve të saj për jetën intime të diktatorit Hoxha, apo të tjera arsye, që askush nuk mund t’i dijë. Ajo që dihet është intervista (e bërë publike) që Kadare ka dhënë për atë rast, ku shpjegon pse i bëri letër (sot publike dhe kjo) diktatorit, ku sipas tij, për ta shpëtuar motrën, por me siguri më shumë nga frika e ndonjë pasoje, e justifikoi veprimin e saj, duke e cilësuar atë si “e çmendur” (?!). Në fakt për letrën apo kushedi se për çfarë arsye të tjera, më tej të dy nuk patën asnjë pasojë, pavarësisht se Ismsili i ka mëshuar gjithmonë faktit se para ’90-ës, survejohej nga Sigurimi i Enver Hoxhës (!). Gjithsesi letra u arkivua, për t’u bërë publike disa vite më parë. Komplekset apo paranoja e Kadaresë ndoshta kishin ndërtuar ato marrëdhënie dashuri-frikë midis vëllait dhe motrës, siç mund të kuptohen nga shkrimi i Hudhrit. Ndaj me të drejtë komentuesi më sipër thotë, që Hudhri, në vend që të vinte vetulla nxorri sytë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja