“Cinike” dhe “të papërshtatshme” e quajti avokati Plarent Ndreca deklaratën e Ols Dados se kafazi i xhamit është “si hotel me 5 yje.” Gjatë një deklarate për mediat kur u pyet lidhur me këtë shprehje të prokurorit në seancë, pas kërkesës së kreut të Tiranës për të mos qëndruar në kafaz gjatë zhvillimit të seancave, tha se kanë kërkuar që gjykata të reagojë për sjelljen e prokurorit.

“Në proces administrativ jemi mbi legjitimimin e prokurorit, aftësinë e tij për të ushtruar pushtetin që i ka dhënë kushtetuta, në mënyrë të paautorizuar në gjykimin tonë. Sa i përket sjelljes së prokurorit ne e kemi artikuluar edhe në seancë, kemi kërkuar që gjykata të reagojë. Mendoj që ishte shprehje cinike dhe krejtësisht e papërshtatshme për rolin e prokurorit”, tha Ndreca.

Një ditë më parë, avokati tha se Veliajt i është refuzuar e drejta “për të qenë në kushte dinjitoze dhe të barabarta me palën tjetër”. Ai shtoi se kërkesa “u trajtua në mënyrë arrogante nga akuza.”

Prokurori Dado tha se kryebashkiaku i Tiranës ankohet më kot për kafazin, deklaratë për të cilën gjykata i tërhoqi vëmendjen.

“Lidhur me kërkesën e avokatëve që Erion Veliaj të mos mbahet në kafaz, nuk besojmë se përbën problem. Nuk është kafaz, por një strukturë xhami dhe ka edhe një të çarë aty që mundëson komunikimin. Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje”, tha Dado.

Ndreca është shprehur se kafazi i qelqtë është e vetmja pengesë që e bën të pamundur që Veliajt të mos jetë i pranishëm në GJKKO, duke theksuar se ai ka vullnet të përballet, por vetëm në kushte të barabarta.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


Lajmi kryesor:

Ankimoi pezullimin e afateve të paraburgimit, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt! Ndreca: Absurde ta pësojë nga një i pandehur tjetër