Frrok Çupi: Kafkën e kujt mori Davide Pecorelli?

Frrok Çupi: Kafkën e kujt mori Davide Pecorelli?

Davide Pecorelli

Askush, deri më tani, nuk i ka dalë për zot asaj kafke; as të gjallë e as të vdekur. Erdhi këtu një italian, Davide Pecorelli quhet. Italiani fshehu veten në vendin tonë, në një fshat katolik me emrin ‘rrasë’ dogji makinën dhe la aty një kafkë njeriu sikur ky vetë kishte vdekur; dhe iku. E kujt është kafka? Kryetari i Bashkisë së zonës deklaron se ‘nuk është nxjerrë nga varret’. Më shumë se të vdekurve, ajo kafkë u përket të gjallëve.

Cila është përkatësia më e thjeshtë ndaj të gjallëve?

Kafka për ne shqiptarët është një ‘zot i përjetshëm’; por edhe për kombet e tjerë, po kaq nderohet: Herë si simbol i vdekshmërisë e herë simbol me një palë krahë engjëllorë që vdekshmërinë e të gjallëve e ngrenë përtej vdekjes. Hamleti i Shekspirit mban në duar kafkën dhe i drejtohet me këto fjalë: ‘O gojë e shenjtë…, këtu bulëzonin ato buzë që kam puthur nuk e di sa shpesh’.

Cila është përkatësia e kafkës ndaj të gjallëve në shtet?

Kjo ndodhet aty ku rri njeriu i shoqërisë moderne. Shtetit, që ka për detyrë të ndjejë dhimbjen e çdo anëtari të vet, në rastin tonë të Rrasit në Pukë, i ra barra e rëndë që të numërojë të gjallë e të vdekur në gjithë vendin dhe të gjejë kujt ia mori mafiozi kafkën! Shtetit dhe Drejtësisë sot i bie barra që të bëjë inventarin e pasurisë së shtetasve të vet dhe të ngrejë nga fundi i dheut atë çfarë i grabitën njeriut të pa mbrojtur. Ja, kjo është, e qartë si drita e diellit.

Atëherë, cila është përkatësia, jo aq e thjeshtë, por më e tejshme e asaj kafke me të gjallët?

Kjo vjen e na prek ne të gjithëve, në kohën tonë, jo në kohët e shkuara në histori. Gjëma e përdhosjes së kafkës prej një të huaji, na erdhi bash në ‘stinën’ kur po duam të mbyllim dëmet e mëdha që pësuam në ‘njerëz e në gjë’ prej tre dekadash. Po kërkohet Drejtësi, po ngrihen institucione që premtojnë të drejtë e ligj, nga Perëndimi po stërviten gjykatës e prokurorë.., dhe po dëgjohen tringëllima prangash. Sot për sot nuk kemi as inventar njerëzish, as inventar malli, edhe pse kemi thënë kot se jemi të zotët e vetes në demokraci. Kryetari i Pukës ka të drejtë kur thotë se ‘nuk është yni’, edhe kryetari i Tropojës e Shkodrës këtë gjë mund të thonë…, edhe kryetari i Vlorës, i Delvinës, i Elbasanit…

Gjatë tre dekadash, në sytë tanë, na ka humbur shumë gjë, na kanë humbur shumë njerëz- së pari; njerëz që nuk janë as të gjallë e as në varre. Kafka e ‘Pukës’ mund të jetë e njërit prej atyre. Atëherë as mafiozi i huaj nuk na ka prekur gjë në varr…, ai thjesht mund të zgjojë  natën përgjumësh të afërmit e ndonjërit që nuk ka varr; atyre të rënë në luftën civile në ’97; mund të dyshojë dikush për të vrarët e Cërrikut ose të Qafë- Gjashtës; mund të dalë në ëndrrën e dikujt prej Katerit të Otrantos; 26 viktimat e Gërdecit u mblodhën një për një dhe këtu nuk ka dyshime; as për katër të 21 Janarit nuk ka dyshime; por për Remzi Hoxhën ose disa ‘të arratisur’ edhe mund të ketë… Politikanët që nuk e afrojnë kafkën e humbur me veten, kurrë nuk mund të shfaqen kundër krimit të bosëve të tyre.

A krijojmë një lidhje me të keqen që na ndodhi, apo e lavdërojmë dhe e lëmë të marrë rrugë?

Kjo është çështja; këtë na zgjon kafka e njeriut të pa emër në Rras. Kemi humbur fabrikat, fermat, parqet dhe shkollat…, që u ndërtuan për gjysmë shekulli por i rrënuam në një minutë. Kemi humbur pronat dhe pronësinë. Kemi humbur kursimet dhe mendjet në skemat piramidale. Kemi humbur qetësinë e fëmijëve dhe butësinë e njeriut familjar nëpër kallashë e molotovë… Të gjitha në tre dekadat e fundit.

Lidhja e fundit e njërit të gjallë me fatin e tij:

Nuk po them ‘me kafkën e tij’; edhe këtë mund ta thoja, sepse secilin mund ta presë fati i tjetrit të kthyer në simbol kafke. Por shikoj politikanë e apologjetë që bien shahit nëpër studio e në tribuna në mbrojtje të fatalitetit që ka ndodhur. Ca i shkojnë pas presidentit, ish- presidentit e ish kryeministrit, si  mburojë njerëzore për krimet e kryera. Të gjithë janë kapur në krimin e kafkave. Unë e shikoj aktin makabër të atij italianit në Pukë, si një ‘fat skenik’ për njerëzit që i dalin në krah krimit të kryer ndaj kombit: Këta, të paktën, në këtë çast, kanë mundësinë ta imagjinojnë veten nën maskën e kafkës mbi shpatullat  e veta.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kujtim Perolli: 23/09/2021 15:15

    Denim i ulet per veprime koruptive te lales

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja